Nga Ilir Yzeiri
Me njerëzit që kemi ndarë jetën tonë në mënyrë të përhershme, me ata që jemi ndierë sikur të ishim një, kur ata largohen nga kjo botë, është e vështirë ta besojmë se nuk janë midis nesh. Andrea, më 3 dhjetor në orën 13, bëri dy vjet që është larguar nga kjo botë, por ne, miqtë e tij, dhe familja e fëmijët e tij, nuk e besojmë dot këtë. Unë, madje, u ngatërrova mes datës 3 të vdkjes dhe datës 6 të varrimit. I pamësuar me idenë e largimit të tij nga kjo jetë, nuk u kujtova ashtu si duhet për vdekjen e tij.
Andrea u largua nga kjo botë kur ishte në kulmin e punëve dhe të veprimtarisë së tij. Ishte gjithë entuziazëm dhe kishte hapur disa projekte librash njëherësh, në fushë të historisë filozofike, të publicistikës historike dhe, natyrisht, ishte gjithë energji për të marrë pjesë aktive në jetën e vendit.
Edhe sot vendi i tij në studion e TV Klan në emisionin «Opinion» është bosh dhe vështirë të plotësohet me ndonjë tjetër gazetar. Grinta e tij dhe ndershmëria intelektuale, patosi nganjëherë edhe i rrëmbyer ishin karakteristika të një gazetari të talentuar polemist. Po ashtu dhe shkrimet e tij që disa herë çelnin gazetën «Dita», mungojnë, gjithashtu.
Andrea na mungon të gjithëve edhe për një përmasë tjetër që ai trashëgonte dhe që është pastërtia dhe ndershmëria intelektuale. Rrallë në jetën time kam njohur njeri aq të drejtë, të përkushtuar dhe aq të dhënë pas familjes sa ai.
Ndaj, sa herë vjen dhjetori përgatitem që të mos harroj Andrean, ditën kur ai u largua nga kjo botë. Megjithatë e kam të vështirë sepse vërtet më duket sikur kjo gjë nuk ka ndodhur.