Nga Ilir Yzeiri/
Viti i Skënderbeut, siç është shpallur 2018-a, që përkon me 550 vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, mund të kishte shërbyer për ta ndriçuar më mirë atë periudhë dhe, sidomos, edhe personazhet e tjerë të mëdhenj të historisë sonë që rrethonin Skënderbeun. Ndër ta, padyshim, është Donika, gruaja e tij, e cila meriton më shumë vëmendje. Siç është përmendur në disa raste, është e pakuptueshme pse eshtrat e saj nuk sillen në Shqipëri.
Po ashtu, një personazh tjetër, Vrana Konti, meriton një vëmendje të posaçme dhe jeta e tij, së bashku me atë të Donikës, janë një kapitull mjaft interesant i historisë sonë. Ndërkaq, një personazh tjetër i famshëm, Gjergj Arianiti mund të bëhet po ashtu më shumë i njohur për publikun. Sidomos i biri i tij, Kostandini, që zhvilloi një aktivitet të jashtëzakonshëm në Italinë Mesjetare meriton një vëmendje më të qëndrueshme.
Në shqip ka botime të mjafta që hedhin dritë mbi këtë periudhë dhe mbi këta personazhe. Është një vepër brilante e Paolo Pettës me titull « Despotë të Epirit e princër të Maqedonisë », përkthyer mjeshtërisht nga Pëllumb Xhufi, dhe botuar në vitin 2001 që zbulon me shumë dritë fatin e Donika Kastriotit dhe, sidomos, të Vrana Kontit. Po ashtu, tani në fund, përmes mikut tim historian, Aziz Gjergjit, kam zbuluar një historian tjetër, Lutfi Aliajn, i cili jeton në Itali dhe ka botuar disa libra, mes të cilëve një libër për Konstandin Arianitin, të birin e Gjergj Arianitit. Aty ai përmend edhe Donikën, të venë e Skënderbeut, që Paola Petta, në librin që përmenda, e ka treguar përmes një nënkapitulli me titullin « Mbretëreshat e trishtuara ».
Vrana Konti tregohet nga Barleti si një nga personalitetet e mëdha të kohës së Skënderbeut dhe komandant i garnizonit të Krujës. Ai ishte, si të thuash, krahu i djathtë i Heroit tonë dhe besnik ndaj tij.
Siç na tregon Paolo Petta, ai e ruajti këtë personalitet edhe kur fisnikët shqiptarë, pas vdekjes së Skënderbeut, u shpërngulën në Itali. Tri mbretëreshat e trishtuara ishin ajo e Napolit, e Aragonës dhe e Skënderbeut. Ndërsa roja i tyre personale dhe mbrojtësi e adjutanti i tyre ishte Vrana Konti.
Siç thotë historiani Aliaj, nga viti 1478 deri më 1496 princesha Donika Kastrioti ishte zonja shoqëruese dhe këshilltare e mbretëreshës, bashkëshortes së mbretit Ferdinandi II Aragona. Në vitin 1496, kur e bija e Ferdinandit, Johana Aragona u martua me Filipin e Kastilias, Donika shkoi si shoqëruese, fillimisht në Fiandra pastaj në Valencia. Siç thotë edhe Paolo Petta, data e vdekjes është e paqartë, por vendi dihet. Donika Kastrioti është varrosur në Manastirin Trinia e Shenjtë në Valencia.
Lutfi Aliaj e paraqet kështu në librin e tij varrin e Donikës :
« Në ballë të varrit të zbukuruar anash me dy ëngjëj, ndodhet një lapidar mermeri, me mburojën që ka në qendër shqiponjën dykrenëshe, ndërsa lart në sfond afreskun « Zonja e Këshillit të Mirë », padrone e Albanisë. Në një gravurë të vitit 1596, vijon ai, me autor Johann Theodor de Bry (1561-1623), princesha Andronika Arianiti Kastrioti, prezantohet me portretin në profil, me emrin në rrethin e portretit të shkruar në latinisht :
DONICE SCANDERBEGI VXOR
DONIKA GRUAJA E SKENDERBEUT
Në gravurë janë edhe dy shkrime, njëra në kornizë, në pjesën e sipërme, ku është shkruar :
EPIRI REGINA VT SIS PRVDENTIA FECIT QVAEQUE IPSI
POTERA FORMA PLAECERE IOVI
DONICE SCANDERBEGI VXOR
Në pjesën e poshtme të gravurës është një shkrim tjetër, i cili, në fakt, është pjesë përbërëse e dedikimit të mësipërm, madje është fraza fillestare e dedikimit ku thuhet :
TANTO TUO ES MERITIS VENIAT SI FAMA MARITO QUANTA
SVO QVONDAM DEIDAMIA VIRO
Përkthimi i plotë në gjuhën shqipe :
« Mençuria jote dhe bukuria jote që do t’i kishte pëlqyer vetë Jupiterit, bënë që ti të ishe Mbretëresha e Epirit, ti o gruaja e Skënderbeut, që i dhe aq shumë famë ish-burrit tënd, për meritat e tua ashtu si Deidamia i dha burrit »
Me këtë përkushtim, duke theksuar se Deidamia i dha burrit, Johann Th. De Bry, e krahason Donika Kastriotin me Deidamian, gruan e Akilit. » Përfundon këtu citimi nga L. Aliajt.
Një tjetër studiuese e shquar, Lucia Nadin, ka botuar disa libra për fatin e shqiptarëve në Venedik. Duke qenë veneciane dhe profesoreshë në atë qytet, ajo ka studiuar arkivat e atij vendi dhe sidomos dy libra të saj, « Shqiptarët në Venedik » dhe « Statutet e Shkodrës » janë gjithashtu një mundësi e jashtëzakonshme për të njohur fatin e shqiptarëve pas rënies së Shkodrës dhe pas vdekjes së Skënderbeut.
Historia jonë, për fat të keq, në pjesën më të madhe të saj, përbëhet nga personazhe me përmasa europiane që kanë lënë gjurmë jo në vendin amë, por jashtë tij. Italia Mesjetare, arbëreshët, Stambolli, Bukureshti, Sofja, Egjipti apo Amerika e Greqia janë vendet ku më së shumti shqiptarët janë dalluar dhe janë bërë të famshëm.
Rënia e Arbërisë nën zgjedhën turke dhe rënia e Shkodrës gjithashtu, janë një nga tragjeditë më të mëdha që kanë përcaktuar më tej edhe konstitucionin kulturor të shqiptarëve. Siç e dimë të gjithë, elitat fisnike dhe ato kulturore emigruan në masë në Itali. Fatin e atyre personazheve që unë përmenda më lart, por edhe të të tjerëve, si, fjala vjen, bëmat e stratiotëve, i kanë ndjekur studiues të ndryshëm. Ndërsa ruajtja e kulturës apo e frymës së Arbërisë paraskënderbejane në ngulimet arbëreshe, edhe sot e gjithë ditën, janë dëshmi e një historie të pasur që gjithnjë e më shumë po tretet në mugëtirën e harresës.
Kam pasur rast të shkoj në Stamboll dhe të interesohem për një figurë tjetër të madhe, Hoxha Tahsinin dhe kam vizituar teqenë dhe shtëpinë modeste të kultit ku ai ngrysi ditët e fundit të jetës që ndodhet në fund të rrugës së madhe që mbyllet me qendrën e valiinjve. Ajo godinë është Akademia e parë e Shqiptarëve sepse aty janë mbajtur takimet për alfabetin e shqipes. Aty kanë hyrë e kanë dalë Sami Frashëri, Konstandin Krisotoforidhi, Jani Vretoja, Pashko Vasa e plot dijetarë të tjerë. Por sot ajo godinë është transformuar në një objekt për interersa të bashkisë së Stambollit dhe atje nuk ka asnjë shenjë nga kjo që unë thashë.
Një tjetër figurë e shquar e kulturës europiane, Elena Gjika meriton të jetë po ashtu pjesë e qarkullimit kulturor shqiptar.
E përmenda më lart Donikën, gruan e Skënderbeut, sepse fati i saj më ngjan me një metaforë të trishtuar për kujtesën e mangët që kemi ne shqiptarët. Sot ka shpërthyer një modë naive për të idnetifikuar vende e emra njerëzish që ne i mendojmë se janë shqiptarë. Në fakt do të ishte më e udhës që të ndriçojmë më fort jetën dhe veprën e atyre shqiptarëve të dëshmuar tani që kanë lënë gjurmë në jetën e Europës.
Shqipëria, për fat të keq, qysh se u mësua me emigrimin masiv shekuj më parë, edhe sot, për njëqind e një arsye, është bërë një vend që, më së shumti, i josh banorët e saj të realizohen jashtë saj sesa këtu brenda. Brenda vendit, ashtu si brenda nesh, në shpirtin tonë, janë rrënjosur në të shumtën e rasteve zilitë dhe urrejtjet që na ndajnë dhe ende nuk po prodhojmë një institucion të fuqishëm brenda nesh që të na mbajë të bashkuar dhe të na shtyjë të prodhojmë më shumë sukses këtu brenda sesa jashtë.