Lidhur me çështjen e banorëve të Astirit, deputetët e LSI-së të qarkut Tiranë i kanë dërguar një letër institucioneve.
Mësohet se letra i është drejtuar ministrit të Energjisë Damian Gjiknuri, Drejtorit të ARRSH-së Afrim Qendro, Drejtorit të ALUIZNI-t Artan Lame, Kryeregjistruesit Valdrin Pjetri dhe Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Letra u firmos nga deputetët e LSI-së së Qarkut Tiranë, Endrit Braimllari, Kejdi Mehmetaj, Floida Kërpaçi. Deputetët e LSI-së kanë konfirmuar informimin mbi projektin në fjalë.
LETRA
KUVENDI
GRUPI PARLAMENTAR I LËVIZJES SOCIALISTE PËR INTEGRIM
Nr._______ prot. Tiranë, më __.__.2018
Lënda: Kërkesë
Drejtuar: Z. Damian Gjiknuri – MINISTRIA E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË
-Afrim Qëndro- DREJTOR I PËRGJITHSHËM AUTORITETI RRUGOR SHQIPTAR
-Artan Lame- DREJTOR I PËRGJITHSHËM AGJENCIA E LEGALIZIMIT DHE URBANIZIMIT
-Valdrin Pjetri – KRYEREGJISTRUES ZYRA QËNDRORE E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME
-Erion Veliaj – KRYETAR I BASHKISË BASHKIA TIRANË
Si deputetë përfaqësues të qarkut Tiranë prej më shumë se 28 ditësh kemi ndjekur nga afër situatën e krijuar me banorët e Unazës së Re lidhur me prishjen e godinave që preken nga zgjerimi i segmentit rrugor në zonën e Astirit dhe pjesën tjetër të Unazës së Madhe të Tiranës. Banorët janë thellësisht të shqetësuar mbi fatin e pronës së tyre privatë dhe përveç konfrontimit në terren më punonjësit e institucioneve të ndryshme publike shprehen se nuk kanë asnjë informacion zyrtar mbi prishjet apo shpronësimet. Duke marrë parasysh shqetësimin e lartë publik dhe numrin e madh të banorëve që preken nga projekt kërkojmë nga ana juaj informacion të detajuar për sa më poshtë.
Kush e ka hartuar projektin përfundimtar të zgjerimit të segmentit rrugor në zonën e Astirit dhe gjithë pjesën e Unazës së Madhe të Tiranës? Kush e ka kërkuar hartimin e këtij projekti? A është miratuar projekti përfundimtar konform ligjeve të Republikës së Shqipërisë? Sa është vlera totale e projektit dhe a është bërë një studim fizibiliteti? Ju lutem të na vendosni në dispozicion projektin të shoqëruar me të gjithë detajet teknike.
A janë zhvilluar konsulta publike përpara miratimit të projektit përfundimtar nga institucionet shtetërore përgjegjëse?
Sa është numri i pronave private që janë përllogaritur të shemben për të bërë të mundur realizimin e këtij projekti? Sa është sipërfaqja totale e këtyre pronave?
Sa prej këtyre pronave private janë të pajisura me çertifikatë pronësie dhe sa jo (ju lutem të na vini në dijeni numrin e objekteve shoqëruar me sipërfaqen totale të tyre). Sa prej objekteve janë në proces legalizimi?
A ka filluar procesi i shpronësimit për objektet e pajisura me çertifikatë pronësie? A është miratuar procesi i shpronësimit për objektet e pajisura me çertifikatë pronësie? A është miratuar VKM dhe VKB përkatëse? Sa është fondi i planifikuar për këtë qëllim?
Si janë trajtuar nga Aluizni ndërtesat që preken nga ndërtimi i kësaj vepre? A janë vlerësuar apo trajtuar më ndonjë akt shkresor përjashtimi apo kualifikimi objektet në proces legalizimi, sipas ligjit?
Ju lutem na vini në dispozicion të gjithë procedurat e ndjekura deri në procedurën e prokurimit publik. Gjithashtu informacionin zyrtar të shkëmbyer ndërmjet ARSH-së dhe Aluiznit lidhur me këtë projekt. Përgjigjen tuaj kërkojmë që ta shoqëroni me dokumenta zyrtarë.
Duke ju falënderuar për mirëkuptimin,
Deputetët: Endrit Braimllari, Kejdi Mehmetaj, Floida Kërpaçi.
/A.Rada