Emisioni ‘REPOLITIX’ mbrëmjen e sotme trajtoi çështjen e banorëve të Unazës së Re që protestojnë prej 25 ditësh. E ndërsa banorët që kanë banesat pa leje dhe duan dëmshpërblim të plotë vijojnë protestën, një pjesë tjetër kanë pranuar ofertën e bashkisë së Tiranës për t’u zhvendosur te banesat sociale në Shkozë.
Mes atyre që kanë pranuar të zhvendosen është edhe familja Pira nga Peshkopia. Benjamin dhe Zymbyle Pira janë prindërit e një vajze dhe djali 21 dhe 18 vjeç, të cilët jetonin në kushte të vështira në një nga banesat pa leje që preken nga projekti i zgjerimit të Unazës së Madhe dhe prej pak ditësh janë sistemuar në një nga shtëpitë sociale.
Ata shprehen për emisionin Repolix se shtëpia që kishin te Unaza e Re ishin e mbuluar me llamarinë, ndërsa sot janë shumë të kënaqur me banesën sociale që u ka ofruar bashkia e Tiranës. Kryefamiljari thotë se ishin të vetëdijshëm prej vitesh se banesën e kishin ngritur në gjurmën e rrugës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u bëri atyre një vizitë për t’i uruar për shtëpinë e re dhe i siguroi se mund ta përdorin atë pa afat (lexo këtu).
Intervista për Repolitix e familjes Pira
Benjamin Pira: Morëm vetëm rrobat e shtëpisë dhe plaçkat. Na lajmëruan në orën 10:00 të darkës se nesër do u prishim shtëpinë dhe ashtu ndodhi. Pranuam banesën sociale që na dha bashkia. Sa të mendonim që do të përfundonim në rrugë pranuam.
Zymbyle Pira: Me administrimin që bëri bashkia dhe stafi, ne na ofroi të gjitha mobiliet e shtëpisë, orenditë, jemi të kënaqur, pavarësisht se u mërzitëm nga shtëpia, por i lamë pas edhe ata që i kishim
Si duket kushtet?
Zymbyle Pira: Deri tani shumë të mira në krahasim me atë që kishim. Jemi shumë të kënaqur
Pse u zgjodhën ju?
Zymbyle Pira: Rruga do të bëhet për të gjithë njerëzit….
Prej sa kohësh banonit në atë zonë?
Zymbyle Pira: Prej 20 vitesh, që kur jam martuar në 1999
Benjamin Pira: Aty kemi 27 vite që jemi vendosur. Tani kështu erdhi puna, bashkia na strehoi dhe erdhëm. Jemi shumë të kënaqur. Stafi na ka ndihmuar shumë. Edhe Veliaj erdhi na falënderoi shumë, e falënderojmë për vizitën
Shtëpinë te Unaza e ndërtuat vetë?
Benjamin Pira: Në 1991 erdhëm nga Peshkopi. Shtëpia ka qenë një katëshe
Erdhën për vlerësim?
Zymbyle Pira: Na lajmëruan tre muaj para ata të bashkisë dhe ARRSH se do të prishen banesat. Shtëpia ka qenë me dokumente në shqyrtim legalizimi. Kam shkuar te ALUIZNI më thanë se letrat janë bllokuar për lejen e urbanistikës. Na thanë që është bllokuar për shkak të lejes së urbanistikës se do të kalojë projekti i ri.
Është banesë me qira apo e keni përfituar për gjithnjë?
Zymbyle Pira: Bashkia na tha që do e keni një shtëpi. Ndërsa sot Veliaj na e premtoi përgjithmonë. Na tha nëse doni të ikni ikni, por shtëpia është e juaja përgjithmonë pa qira. Veliaj erdhi sot bëri një vizitë, na respektoi, ne jemi shumë të kënaqur. Na ofruan ndihmë për çfarë kemi pasur nevojë
Do kërkoni dokumentet për shtëpinë?
Zymbyle Pira: Tani do të shohim, shpresat i kemi te kryetari i bashkisë, çfarë të na thonë ata jemi në rregull
Në raport me shtëpinë që kishit si janë kushtet?
Zymbyle Pira: Shumë të mira, jemi të kënaqur. U mërzitëm dhe kaluan një situatë stresuese, por sot jemi të kënaqur. Edhe ky (burri) u kënaq sot kur mori vesh se shtëpia është e jona
Benjamin Pira: Kisha mos besim se thanë për tre vite, por kryetari tha shtëpia është e juaja për jetë
Ne do ta verifikojmë kur të firmoset…
Zymbyle Pira: Tani bashkia e ka në dorë
Fëmijët me çfarë merren?
Zymbyle Pira: Vajza në shkollë të lartë, djali e la në pamundësi ekonomike
Si e kanë pritur këtë situatë?
Zymbyle Pira: Shumë me stres e kemi përjetuar
Jeni pa punë?
Benjamin Pira: Jam në pension invaliditeti. Atje ku ishim kam qenë më keq. Shtëpinë e kishim të mbuluar me llamarinë, këtu kushtet janë më të mira. Jemi shumë të kënaqur.
Çfarë të ardhurash keni?
Zymbyle Pira: Kam punuar sanitare, në artizanat…por me 200 mijë lekë nuk u bëhet qejfi as fëmijëve dhe as për të ngrënë nuk tepronin. Kam 20 vite që punoj dhe jam shumë e lumtur për sot. Dje kam qenë aq e mërzitur dhe sot kam shumë e lumtur. Dola nga ajo shtëpi, kisha jetuar 20 vite dhe ke sakrifikuar për të, por sot jemi mirë, shpresoj që të do bëhet më mirë. Atje kishim vetëm dy dhoma dhe një banjë të vogël. E qava me lot atë shtëpi…
Zymbyle Pira: Nëna dhe baba e tij janë atje. Veliaj tha se nëse i doni afër, që nesër katin e katërt të hyrjes e kanë gati. Nëna vjen, por plaku….
Pse nuk pranon ai?
Zymbyle Pira: E ka ndërtuar vetë dhe ka jetuar shumë vite e ka të vështirë që të dalë…
Pse u vendosët aty?
Benjamin Pira: Plaku thoshte të blejmë tokë se do të na zerë rruga dhe tani kështu erdhi koha na zuri. E dinim që do të kalonte unaza, por nuk lëvizëm. Tani erdhën këta të bashkisë…
Zymbyle Pira: Rrinim me shpresa se lekë për të blerë tjetër nuk kishim
Benjami Pira: Po ta dinë se shteti do u japë shtëpi do e pranonin /raport.tv
ma.me