Kreu i AKEP Ilir Zela i ka bërë një apel publik ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj pasi është përballur me një problem jetik. Në një status në “Facebook”, Zela tregon se çfarë i ka ndodhur kur ka dashur të aplikojë për pasaportë.
Ai i bën thirrje ministrit të Brendshëm t’i japë fund këtij poshtërimi me të cilin përballet çdo shqiptar.
STATUSI I PLOTË
I nderuar ministër Sandër Lleshaj. Po ju shkruaj publikisht me lutjen për t’u marrë seriozisht me dhënien fund të poshtërimit të qytetarëve shqiptarë sa herë bëjnë një aplikim për pasaportë.
Sot u paraqita për aplikim në pikën pranë njësisë 2 dhe aty nuk kishte shërbim. Asnjë njoftim për arsyen dhe as ku duhet të drejtohet qytetari.
Me dashamirësinë e punonjësve të njësisë 2 mësova se duhet të shkoja për aplikim tek njësia 5. Kur paraqitem aty më kërkojnë pasaportën e vjetër që ta dëmtojnë para se të bëj aplikimin për të renë.
U them se duhet të udhëtoj ndërkohë që përgatitet e reja. më thonë që kështu është rregulli.
Çfarë është ky rregull antikushtetues që pengon të drejtën time kushtetuese për të lëvizur? Apo është interesi i ALEAT përmbi Kushtetutën e Shqipërisë!
Dhe një gjë tjetër i dashur vëlla: pse duhet të shkojë qytetari në tre vende katër herë për të bërë një pasaportë? Dy herë tek gjendja civile, një herë tek ALEAT dhe një herë në polici? 5 ditë pune i dashur Ministër!
Për të mos folur për çmimin e pasaportës që e kanë vënë sikur të ofrojnë shërbim me standard të barabartë me SHBA. Të lutem jepi fund këtij poshtërimi.