Tridhjetë e nëntë ditë pasi siguroi lejen prindërore dyvjeçare, anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjin Gjoni, njëherësh gjyqtarë i Apelit në Tiranë dhe anëtar i Kolegjit Zgjedhor, është rikthyer me urgjencë në KLD. Gjin Gjoni rezulton se ka marrë pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mbajtur në datën 19 nëntor 2018, ku u zëvendësua kryetarja e Gjykatës së Apelit Vlorë Alma Liçaj me Iliba Bezatin. Liçaj u shkarkua nga Komisioni i Vetingut pasi nuk justifikonte pasurinë.
Në datën 11 tetor 2018, Këshilli i Lartë i Drejtësisë miratoi një leje dyvjeçare prindërore për Gjin Gjonin, leje e cila u konsideruar si e paligjshme nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Kërkesa u paraqit nga anëtari i KLD, Gerd Hoxha, i cili tha se Gjin Gjoni është bërë me vajzës dhe për shkak të se vajza dhe bashkëshortja janë rezidente në Gjermani, kjo situatë kërkon angazhimin e gjyqtarit larg Shqipërisë. Megjithatë, pavarësisht argumenteve të parashtruara në KLD në 11 tetor për domosdoshmërinë për të qëndruar gjatë në Gjermani, Gjin Gjoni është shfaqur në mbledhjen e KLD së datës 19 nëntor 2018, duke marrë sigurisht edhe pjesë në votim.
Nuk dihet se cila është arsyeja reale e rikthimit të befasishëm të Gjin Gjonit në KLD, domosdoshmëria për të ruajtur shumicën e votave në KLD, rreziku i përmbysjes së balancave apo shqetësimi për situatën që krijon mungesa e kryetarit të Gjykatës së Vlorës, siç edhe pretendon KLD në njoftimin për mbledhjen e jashtëzakonshme. Ndërkaq, në datën 16 nëntor 2018, Gjin Gjoni është përzgjedhur nga administrata e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, me anë të shortit, për t’ju nënshtruar skanerit të trefishtë të Vetingut, për ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Krahas Gjin Gjonit, është përzgjedhur edhe gjyqtarja pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, Fatmira Hajdari si dhe pesë anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, konkretisht Eneida Civici, Gerd Hoxha, Neritan Cena, Petrit Çomo dhe Ridvan Hado, që të gjithë gjyqtarë pranë Gjykatës së Apelit.
-Brunilda Kadi: Nisur nga lista që na është vënë në dispozicion, nga informacioni që kemi, unë do propozoja gjyqtarin Hysen Saliko, nisur nga përvoja e tij, vjetërsia, fakti që ka qenë edhe kryetar gjykate për një kohë të gjatë dhe anëtar i KLD-së.
-Etilda Gjonaj: Hysen Saliko është emëruar fillimisht në Gjykatë të Apelit në 2010-2011, pastaj ka kaluar inspektor në KLD dhe është rikthyer në apel në vitin 2016, pra nuk i ka 4 vjet… Gjyqtarët e tjerë që mbeten janë Margarita Buhali, Nazmi Troka, Skënder Damini, të cilët janë emëruar fillimisht në apel në vitin 2013, pra i kanë 4 vjet në të njëjtën shkallë dhe Iliba Bezati dhe Sokol Ngresi, të cilët janë emëruar në Gjykatë Apeli në vitin 2005 dhe vitin 2003. Duke marrë në konsideratë të dhënat që unë kam, do të favorizoja fort një kandidaturë e cila ka shumë vite në atë Gjykatën e Apelit Vlorë, ku respektivisht i bie Iliba Bezati ose Sokol Ngresi, të cilët janë në vitin 2005 dhe në vitin 2003. Dhe gjithashtu, do të preferoja fort që të mbështes një kandidaturë femër për kryetare gjykate.
-Brunilda Kadi: Kam përshtypjen që të dhënat e ministres nuk janë të sakta në lidhje me kandidaturën që unë propozova sepse nga informacioni që kemi ne dhe besoj që të konfirmohet, ky gjyqtar është emëruar në atë gjykatë në 2010 dhe inspektor ka qenë më përpara kësaj kohe. Kështu që mund të verifikohet. Ai ka qenë anëtar KLD-je me cilësinë e gjyqtarit të apelit nga ajo gjykatë.
-Brunilda Kadi: Mundem, z. President? Kam përshtypjen që të dhënat e ministres nuk janë të sakta në lidhje me kandidaturën që unë propozova sepse nga informacioni që kemi ne dhe besoj që të konfirmohet, ky gjyqtar është emëruar në atë gjykatë në 2010 dhe inspektor ka qenë më përpara kësaj kohe.
-Pjerin Prendi (Sekretar i Përgjithshëm i KLD): Relacioni është i shpërndarë dhe e kanë të gjithë anëtarët. Z. Saliko është që në vitin 2010 që është anëtar i Gjykatës së Apelit të Vlorës. Tetë (8) vite. Të dhënat janë të sakta në relacion.
-Gjin Gjoni: Edhe unë bashkohem me Brunën për arsye sepse nga 2010 deri në momentin aktual ai është gjyqtar i Gjykatës së Apelit. Qenia e tij anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë është pa ndërprerje nga puna. Nuk është se është shkëputur për shkak të qenies së tij si anëtar i KLD-së. Siç jemi ne sot. Të gjithë kryejnë funksionin e gjyqtarit dhe vijnë edhe në funksionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kështu që periudha para vitit 2010, ka qenë me cilësinë e inspektorit të KLD-së. Domethënë është 8-9 vjet pa shkëputje nga puna në të njëjtën gjykatë.
-Etilda Gjonaj: Mendoj që ne duhet të mbështesim një kryetare që të jetë femër, për shkak të gjithë karakteristikave, devotshmërisë në punë, që gjyqtaret femra kanë. Një ndër kriteret të 47/6 thuhet që të mos ketë qenë anëtar i
-Ilir Meta: I Këshillit të Lartë të Drejtësisë?
-Etilda Gjonaj: Po! I Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Dhe me të dhënat e fundit, na rezulton që 2011-2016 ka qenë anëtar KLD-je, kështu që është një kriter skualifikues.
-Brunilda Kadi: Po ajo është për kryetarët, nuk është për komandimet.
-Etilda Gjonaj: Po çfarë rëndësie ka? Po flasim për kriteret që parashikon 47/6 lidhur me kryetarin.
-Gerd Hoxha: Meqenëse flasim për përgjegjësi këtu, do të doja nga të gjithë përgjegjësi dhe nëse kemi ardhur këtu për të bërë shou apo mos t’i lexojmë gjërat siç duhet, mund të presim të dalim përjashta kur të vijnë kamerat dhe të flasim për gjëra që… Këtu jemi të përgjegjshëm për aq kohë sa do ta mbajmë këtë detyrë dhe ministrja bën mirë të jetë e përgjegjshme për ato që thotë sepse këto që shkruhen i kemi të gjithë përpara, i kemi të gjithë njësoj. Sa i përket ligjit, ai ligj nuk ka veprim prapavepruese (ligji i ri), kështu që neni 46 (është lapsus, bëhet fjalë për nenin 47/6) nuk vlen për rastin e z. Saliko. Unë do të kërkoja më shumë kurajë edhe nga ministrja këtu në qoftë se thotë të mbështesim një kandidate femër, të na thotë emrin e asaj kandidateje dhe mos ta lë… Siç bëjmë të gjithë. Nëse ka ardhur këtu pastaj për të mos qenë korrekte apo serioze në mbledhje, është punë e saj.
-Etilda Gjonaj: Për sa kohë që janë përcaktuar disa kritere minimale për kryetarin e gjykatës, duhet t‟i qëndrojmë me analogji edhe në rastin kur ne i komandojmë një gjyqtar të kësaj gjykate në pozicionin e kryetarit të gjykatës.
-Gerd Hoxha: Më fal, ka edhe diçka. Në rast se do zbatojmë KLGJ-në, i bie që ministrja mos të jetë në këtë tavolinë sepse nuk është anëtare. Kështu që, nuk i takon që të diskutojë fare. Kështu që, të jemi korrekt kur flasim.
Gjin Gjoni: Edhe unë bashkohem me Gerdin për një arsye shumë të thjeshtë. Në rast se ne do shtrimë kompetencat e KLD-së tek KLGJ-ja, i bie që kjo KLD të bëjë emërime, jo komandime më, në rast se ne do marrim termat juridik që përdoren sipas dispozitës për të cilën flitet. Po t‟i referohesh edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i bie që kjo KLD të ushtrojë të gjitha funksionet e KLGJ-së. Për sa kohë që ne si KLD e kemi kufizuar veprimtarinë tonë vetëm në ato dispozita tranzitore, unë mendoj që çështja është e zgjidhur. Në rastin konkret, nuk ka nevojë për diskutime të mëtejshme. Në rast se ne do marrim tagrat e KLGJ-së, hajde i emërojmë edhe anëtarët e Gjykatës së Lartë, mos ta lejmë Gjykatën e Lartë që të jetë me vende vakante derisa të bëhet Vetingu. Pastaj, kur të bëhet Vetingu, le t‟i heqë të gjithë. Kështu i bie. shqiptarja.com
ma.me