Dyshimet për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare kanë çuar në arrestimin e pesë zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, përfshirë njerëz të afërt me vetë ministrin Pal Lekaj.
“Koha Ditore” ka marrë vesh se të arrestuarit nisin që nga kabineti i ministrit Pal Lekaj.
Pjetër Ndou është këshilltar i Lekajt, ai të hënën është arrestuar nga zyrtarët e Task- Forcës. Ndou në qeverisjen e kaluar lokale ishte këshilltar në Kuvendin Komunal të Gjakovës nga subjekti i AAK-së.
Përveç Ndout, kësaj ministrie të hënën i janë arrestuar edhe katër zyrtarë që hyjnë në mesin e zyrtarëve kryesorë të kësaj ministrie. Burim Deliu, udhëheqës i Departamentit për patentë shoferë, Kadri Krasniqi, drejtor i Departamentit për kontrolle teknike dhe homologim, Burim Krasniqi, drejtor i Këshillit për siguri rrugore dhe Mhill Bibaj, ekzaminer në Gjakovë.
Burime të gazetës brenda hetuesisë kanë treguar edhe se një nga zyrtarët e dyshuar si pjesë e këtij grupi është ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri, të cilin Policia e Kosovës nuk ka arritur ta gjejë të hënën, përgatiti Koha. (b.an)