Emisioni ‘JAVA në RTSH’ ka sjellë mbrëmjen e së premtes një bashkëbisedim të gjatë me kryeministrin lidhur me temat më pikante të sferës politike, zgjedhjet e ardhshme dhe debatet brenda mazhorancës.
Në panel me analistët Preç Zogaj e Lorenc Vangjeli dhe me gazetarin Artan Hoxha, Edi Rama rrëfeu marrëdhëniet me opozitën, situatën me reformën në drejtësi dhe shpenzimet e parave publike. Për herë të parë, shefi i ekzekutivit foli edhe për arratisjen e Nikolla Gruevskit drejt Hungarisë, ndërsa tha se strehimi politik në Budapest do të krijojë tensione në vazhdim.
Redaksia e “JAVA në RTSH” sjell të zbardhur pjesë nga intervista e Kryeministrit Edi Rama në emisionin e së premtes mbrëma.
Rama: Për herë të parë opozita udhëheq një protestë në mbrojtje të paligjshmërisë
Protesta e banorëve në “Unazën e Re”, është protesta e parë e një lloji komplet të veçantë në Shqipëri, që kur ka filluar prishja e ndërtimeve pa leje në parkun “Rinia”, sepse për herë të parë një prishje masive ka në ballë opozitën politike.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në emisionin “JAVA” në Radio Televizionin Shqiptar.
“Të dyja qeveritë, qoftë të së majtës, edhe të së djathtës, bashki të majta apo të djathta qysh se ne hapëm siparin e prishjes së ndërtimeve masive kanë bërë prishjet dhe asnjëherë nuk kanë në vënë në diskutim këtë që po vihet sot, është hera e parë që vihet në diskutim dëmshpërblimi i shtëpive pa dokumente”, – theksoi Rama.
Kjo, vijoi ai, i ka dhënë kësaj proteste një tipar shumë shqetësues se këtu opozita ka marrë përsipër të udhëheqë një protestë për të mbrojtur paligjshmërinë haptas.
Kreu i qeverisë tha se “ka pasur protesta tek-tuk, protesta të komunitetit të banorëve të njerëzve të prekur, ka pasur solidarizime të ndonjë deputeti që ka vajtur atje, por kurrë nuk kemi parë një opozitë politike të rreshtuar për mbrojtur ndërtimet e paligjshme”.
Lidhur me pyetjen e të qenit Kryeministri me protestuesit, Rama tha se ” pyetja është e mprehtë dhe jo e lehtë për t’u përgjigjur, por tani kur kthej mbrapa fillin e kujtesës më kujtohen dy raste personale, një për armët kimike për shkak edhe të rrethanave të krijuara ishte e pamajftueshme për ta marrë unë atë vendim, ndava me ta të njëëtin qëndrim”. “Në rastin e Kukësit nuk kishim të bënim me një protestë apo reagim për diçka të paligjshme , por e vërtëta është se cënonte në mënyrë të pamenduar banorët e komunitetit. në fund më shpejt se në rastin tjetër pata reflektimin e nevojshëm dhe madje një ndjesë, sepse e vërteta ishte në të drejtën e tyre”, tha Rama duke shtuar se në rastin e banorëve të Unazës së Re , kërkohet diçka që ligji e ndalon kategorikisht, dëmshpërblimin e ndërtimeve të paligjshme.
Mjekët turq: Plagosja e polices Nuka me lëndë plasëse
“Epikriza e bërë nga ekspertët e spitalit të specializuar në Turqi shkruan ‘Plagosje e rëndë me bombë’, për efektiven Ina Nuka, pra nuk është fishekzjarr, por lëndë plasëse, e cila ne Kodin Penal konsiderohet goditje me armë dhe dënohet me 10 vite burg”.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në emisionin “JAVA” në Radio Televizionin Shqiptar.
“Vendosja e vajzave ka funksinuar vazhdimisht nuk është shpikja jonë, asnjë provokim është një vijë që ka funksionuar kur protesta nuk ka pasur qëllime për të kaluar në mjete të dhunshme, – nënvizoi Rama, duke shtuar se, – ajo që tha kryetari i opozitës është e turpshme, që vajza shkoi atje e patrajnuar, për të mbrojtur vjedhjen”.
Kryeministri Rama tha se “vajza është studente shumë e mirë, punonjëse policie shumë e mirë, që është aty për pasion dhe jo për punë. Unë takova prindërit dhe më treguan gjithë historinë e saj. Vajza ka shpëtuar se është e trajnuar dhe është treguar shumë e shpejtë, pasi goditja me lëndën plasëse ka hyrë mes shallit të uniformës dhe qafës. Ka qëndruar aty për një moment dhe shpërthimi ka ndodhur tek dora. Nëse shpërthimi do të kishte ndodhur në qafë, ne sot do të ishim në funeralin e saj”, – theksoi Rama.
Rama: Si mund të bashkëqeveris me Bashën
Kryeministri Edi Rama, i pyetur nëse do të konsideronte bashkëqeverisje me kreun e opozitës, Lulzim Basha, theksoi se kjo mund të ndodhë vetëm nëse Basha i drejtohej platformës së bashkëqeverisjes për të zgjidhur ndonjë ankesë, qoftë kjo defekt me ujin, apo legalizim të shtesave pa leje.
“Basha mendon vetëm se si të rrijë në karrigen ku e kanë vënë, derisa ndonjë arsye natyrale të më largojë mua nga skena dhe ta thërrasë atë në skenë”, – tha Kryeministri Rama gjatë emisionit televiziv “Java” në RTSH.
Ai tha se nuk e ka për synim të qëndrojë në atë që e cilësoi vorbullë, pa afat.
“Më shpejt sesa vonë do të shkruaja një libër të distancuar nga vorbulla. Ndërsa Basha pret që t’i vijë pushteti tek SHQUP, atij i kanë ardhur vetë të gjitha, ky është ndryshimi me Saliun. Atje ku është e kanë vënë dhe ai po pret se kur do e vënë atje ku ai do”, – tha Rama.
Rama: Përpara prishej ndërtesa dhe thuhej “shko ku të duash”
Nga të gjitha ndërtimet që do të prishen në gjurmën e Unazës së Madhe të Tiranës, 134 prej tyre janë pa letra, ndërkohë që banorët kanë nisur aplikimet për bonuse qiraje. Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama në “JAVA në RTSH” mbrëmjen e së premtes, duke folur për protestën e banorëve që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës.
“Shtatë prej tyre kanë vajtur në bashki dhe kanë aplikuar për të marrë bonusin e qirasë”, theksoi Kryeministri, duke bërë edhe një kategorizim të banorëve që preken nga Unaza.
Rama tha se një kategori banorësh janë pronarë prej kohësh dhe do dëmshpërblehen, pronarët e krijuar nga legalizimet po ashtu do dëmshpërblehen, dhe pjesa më e madhe e ndërtimeve që prishen janë biznese, e jo shtëpi.
“Ata që kanë aty një shtëpi, nga shembja e shtëpisë marrin tre vjet bonuse qiraje, më përpara prishej ndërtesa dhe thuhej shko ku të duash. Kjo ndodh për herë të parë”, theksoi Kryeministri.
“Ç’do u themi atyre dhjetëra-mijërave që u janë prishur në gjithë këto vite për punime publike dhe janë trajtuar kështu. Këta do i trajtojmë ndryshe dhe do ua japim këtyre taksat e njerëzve”, – tha Rama.
Ai foli edhe për një kategori tjetër të zbuluar gjatë procesit të Unazës së Madhe. “Janë njerëz që ndërtojnë pa leje në seri, godina pa leje në të gjithë Tiranën, nga Peza në Kombinat”, – theksoi Rama.
“Si mundemi t’u japim para sikur të jenë pronarë, këta nuk janë pronarë”, – tha ai. “Ka gjeneralë që nuk kanë shtëpi, punonjës policie, familje të reja, mjekë që kanë ardhur nga jashtë vendit për të punuar në spitalet rajonale dhe nuk kanë shtëpi. Ata nuk kanë pushtuar kurrë një milimetër katror. Ne do iu themi prisni se do u japim qira këtyre për gjithë jetën?” – theksoi Kryeministri.
Rama: PD legalizoi 40 godina pasi humbi zgjedhjet
Në 4 vjet janë kryer 150 mijë legalizime, që do të thotë se 150 familje kanë marrë pronësinë dhe 94% e tyre kanë qenë banesa. Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama duke folur në emisionin televiziv “Java” në RTSH mbrëmjen e së premtes, ndërsa shprehu qëndrimin e qeverisë së tij pro procesit të legalizimeve të ndërtimeve pa leje.
Mirëpo, siç tha ai, nuk mund të legalizohet gjithçka. “Para se ne të legalizonim 150 ndërtime pa leje, janë kryer vetëm 21 mijë legalizime dhe 80 e ca % e tyre kanë qenë biznese”, – tha ai.
Këto shifra, tha Kryeministri Rama, tregojnë qartësisht se nuk ka pasur një proces të strukturuar siç është tani dhe ka pasur qartësisht korrupsion. Ai mori shembullin e 40 legalizimeve që i cilësoi “absurde” të realizuara në korrik-shtator 2013 në gjurmën e Unazës së Madhe.
“Këto ndërtesa që do të prishen do të dëmshpërblehen të gjitha, pasi janë të legalizuara, edhe pse është absurde se si janë legalizuar. Ne dëmshpërblyem ngrehinat e legalizuara në krah të Universitetit, – tha ai. – U detyruam që t’i dëmshpërblenim, pasi ishin të legalizuara. Por nuk mund të dëmshpërblejmë pafund, pasi u shpenzuan miliona para nga taksapaguesit shqiptarë”, – theksoi Rama.
“ALUIZNI ka paditur plot raste korrupsioni e abuzimesh”, – theksoi Kryeministri Rama.
“Dekriminalizimi largoi deputetë nga partitë e tjera, vetëm një i PS”
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “vetëm një deputet i Partisë Socialiste u largua për shkak të ligjit të dekriminalizimit”.
Në emisionin “JAVA” në Radio Televizionin Shqiptar, Kryeministri Rama theksoi se “ne kemi larguar nga gjithë ai mal që u mbars, vetëm një deputet, i cili u largua vetë, dha dorëheqjen para se të kalonte ligji, sepse kishte pasur në të kaluarën një dënim, që sipas ligjit shqiptar në fuqi ishte i rehabilituar, se ka dënim, po ka edhe rehabilitim në këtë botë”.
“Ne pranuam të bëjmë një ligj dekriminalizimi, që është një ligj për të cilin ramë dakord të dy palët që të mos shkonim në Gjykatë Kushtetuese, pasi Gjykata Kushtetuese atë ligj e këput, se është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut dhe e bëmë këtë për këtë fazë historike”, – nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë ritheksoi edhe njëherë se një deputet është larguar nga PS, të tjerët kanë qenë deputetë të partive të tjera.
“Asnjë kilogram nga prodhimet shqiptare nuk është kthyer nga BE”
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “niveli i sigurisë ushqimore në Shqipëri është i lartë në krahasim me dje, në krahasim me nesër kemi shumë për të bërë”.
Në emisionin “JAVA” në Radio Televizionin Shqiptar, Kryeministri theksoi se “si ka mundësi nuk është kthyer nga BE, që janë kontrollet super të rrepta asnjë kilogram nga qindra-mijëra tonë fruta e perime që ne kemi eksportuar?”
“Këtu bëhet që çdo gjë që hahet nga produktet bujqësore është e intoksikuar. Si shpjegohet që të huajt që vijnë në Shqipëri thonë se këtu hahet shkëlqyeshëm?” – u shpreh Rama.
Rama: Ne kemi përqindjen më të ulet të PPP-ve në rajon
“Nuk shikoj një risk real për financat. Unë shikoj se do të kemi një injeksion shumë të madh në ekonomi se do të bëjmë në tre vjet një volum punimesh që përndryshe do t’i bënim në 10-15 vjet dhe nga ana tjetër do të kemi gjithë kohës këtë kornizë, 5% i tavanit nuk kalohet”.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në emisionin “JAVA” në Radio Televizionin Shqiptar.
Duke folur për kontratat e Partneritetit Publik Privat, Kryeministri Rama tha se “ne kemi përqindjen më të ulët të partneriteteve publike private në rajon. Jemi mbrapa Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi. Nga ana tjetër padiskutim edhe FMN dhe Banka Botërore e nënvizojnë edhe riskun, sepse ka një risk, siç ka borxhi risk, siç ka çdo veprim një risk të caktuar”.
“Ka dy elementë që janë shumë të rëndësishëm, së pari, FMN edhe në këtë prononcimin e fundit pasi patëm shumë diskutime, është shumë më e qetë, pasi ne kemi përcaktuar një tavan 5% nga buxheti, pra nuk kalohet kurrë 5% i buxhetit për PPB dhe faktikisht kur shkon te 5% ndalon, që do të thotë gjithmonë do t’i ketë qeveria do t’i ketë këto 5% për të paguar PPB”, – nënvizoi Rama.
Sipas tij, elementi tjetër është që projektet me tenderat ne na kanë shkuar 50, 60 deri 70%.
“Sa filloi Rruga e Kombit, dhe prit ku je akoma, sa filloi rruga Tiranë-Elbasan dhe ku jemi akoma, Qukës-Qafë-Plloçë ku jemi akoma. Tek këto projekte ne kemi vendosur qartësisht që ka një limit dhe çdo risk i takon privatit”, – tha Rama.
Kryeministri tha se “për këto kontrata kemi angazhuar supervizorë të huaj. Supervizionin e Rrugës së Arbrit e bën një kompani e madhe gjermane, ata të kompanisë tonë thonë se jemi të impresionuar nga metoda, kërkesat dhe po mësojmë dhe ne nga ky proces”.
“Bojkoti i Kuvendit nuk e zgjeron bazën politike”
Bojkoti i parlamentit nuk është element antidemokratik në këndvështrimin tim, sa kohë që nuk është prelud i dhunës”, – deklaroi Kryeministri Rama, i pyetur në emisionin televiziv “Java” në RTSH, në lidhje me strategjinë e opozitës për të bojkotuar parlamentin dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje.
“Problemi është çfarë fiton nga bojkoti. Nga eksperienca ime mendoj se bojkoti radikalizon bazën, por nuk e zgjeron atë. Sondazhet thonë se ne marrim më shumë dhe ata marrin më pak. Ne jemi në pozicionin e vitit 2017, ata kanë rënë edhe më shumë, LSI është shumë më keq”, – theksoi Kryeministri.
Rama: Gati të testojmë votimin elektronik
“Unë personalisht kam qenë në qëndrimin kategorik se votimi elektronik është marrëzi. Në Gjermani është antikushtetues, e sidomos me hakerimet e tanishme”, – theksoi Kryeministri Edi Rama në emisonin televiziv “Java” në RTSH, duke folur për kushtet e opozitës në lidhje me reformën zgjedhore.
Megjithatë, tha Kreu i Ekzekutivit, “për të bërë pjesën tonë në këtë drejtim, ne kemi angazhuar një grup pune, dhe po studiohet votimi dhe numërimi elektronik, për t’u dhënë çdo mundësi atyre të opozitës dhe për t’i dhënë kredibilitet procesit”.
Kryeministri Rama theksoi se u arrit që në Partinë Socialiste të ndërtohej edhe një proces pilot, një simulim i votimit elektronik për të parë si do funksiononte. “Nëse ata vijnë në komisionin e reformës zgjedhore, le të bëjmë pilotime, një njësi në Tiranë, një njësi rurale, të shohim si funksionon e ta shtrijmë në rang vendi. Duhet të vijnë ata ta bëjnë, se ne jemi gati”, – theksoi Kryeministri Rama.
Ai theksoi se në draftin e reformës zgjedhore janë reflektuar të gjitha rekomandimet e OSBE-ODHIR. “Ne jemi gati, ata duhet të vijnë, pushtetin në tavolinë nuk ua japim dot”, – tha Rama.
Rama: Do të fitojmë bashkinë e Kukësit
Në zgjedhjet vendore të 2019 Partia Socialiste do të fitojë Kukësin.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në emisionin “JAVA” në Radio Televizionin Shqiptar.
“Në zgjedhjet e 2019 do të kemi rikandidime e ndryshime. Nuk dua të hyj në emra. Kemi disa emra që i kemi të fiksuar, por për të respektuar procesin nuk dua të them emra”, – theksoi Rama.
Kreu i qeverisë tha se “kemi një numër kryetarë të bashkive që meritojnë respekt, pra nuk kemi pse dallojmë njërin nga të tjerët, pavarësisht se disa prej tyre e kanë siguruar me punë mbështetjen tonë”.
Kryeministri Rama bëri të ditur se “në mbledhjen e parë të kryesisë së partisë pas pushimeve të 2017, ne kemi pasur temën e punës edhe për organizimin e zgjedhjeve të 2019, kemi filluar përgatitjet që vjet. Jemi në fazën që po shkojmë 35-40% të punës dhe kemi filluar të identifikojmë kandidatët”, – theksoi Rama.
Lidhur me transformimin e qyteteve Rama tha se “shumë njerëz nuk e kishim menduar se do të bëheshin një sërë ndryshimesh si p.sh. në Fier. Sot ndalova në qendër të qytetit për të parë zhvillimet aty. Lumi i Gjanicës ishte burim përmbytjesh dhe ere të keqe, nuk kaloje dot. Edhe aty kemi prishur dhjetëra godina, janë dëmshpërblyer ata që i kishin me letra, të tjerët me bonus qiraje. Por nuk u ngritën në protesta, si këtu në Tiranë”.
Sot, shtoi ai, ura mbi Gjanicë është e mbushur me njerëz, është vërtet një spektakël.
“Të gjitha qytetet janë transformuar”, – theksoi Rama.
“Qytetarët e Vlorës s’kanë pasur shumë besim, kur unë u kam kërkuar votën për kryetarin e bashkisë, por nuk e kishin menduar Lungomaren”, – tha Rama.
“SPAK do të ketë influencë serioze”
Kryeministri Edi Rama i ftuar në emisionin “Java” në RTSH, theksoi se as ai, dhe as mazhoranca nuk ndihen të kërcënuar nga krijimi i drejtësisë së nesërme.
Kreu i qeverisë theksoi se qeveria është e motivuar për ta çuar përpara këtë reformë, deri në përfundimin e saj.
“Këtu do t’u përgjigjem me pyetje, nëse unë do të ndihesha i kërcënuar, pse do ta kërkoja me kaq ngulm këtë reformë dhe pse do të rrezikoja edhe pozicionin e Kryeministrit dhe mazhorancës me këtë reformë, kur erdhi puna që mund të shpërthente mazhorancën? Pse?
Kishte mundësi për ta çuar në drejtim tjetër, kjo do të bëhej me ata shqiptarët, ne ishim ata që do ta udhëhiqnim këtë proces, por nëse aktori kryesor shqiptar, siç ishte PS, nuk do të ishte aq e motivuar, procesi do të ikte më ngadalë dhe Shqipëria do të humbiste goxha”, – theksoi Kryeministri.
I pyetur për pushtetin që do të kenë ndërkombëtarët te SPAK dhe sa Shqipëria, Kryeministri theksoi se “pushteti i ndërkombëtarëve në këtë proces përcakton trupën, janë goxha përcaktues në trupë dhe trupa e dalë nga ana e tyre është një trupë e cila ka atë disponibilitetin që të jenë shumë bashkëpunuese me ta dhe patjetër te SPAK do të ketë influencë serioze, jo në kuptimin politik, por në kuptimin e ndërveprimit të afërt me agjencitë e tyre, gjë që sot nuk është aty ku ata do të dëshironin.
Kryeministri u ndal edhe te mbarëvajtja e Reformës në Drejtësi.
“Nuk e them unë, e thonë partnerët, është një reformë që është bërë me ritme jashtëzakonisht të larta dhe që nuk e kanë bërë të tjerët. Serbia dhe Mali i Zi janë në proces negocimi dhe do të duhet që të kalojnë dhe të bëjnë reformën tonë. Italia ka 20 vite që diskuton reformat në drejtësi dhe këto nuk janë gjëra që bëhen thjesht. Ne po diskutojmë për ngritjen e një sistemi nga e para, nuk është si të ngresh një qeveri, por një sistem dhe po bëhet gjithë ky pastrim, janë larguar 50 e ca persona, edhe janë pesha të rënda dhe nuk janë njerëz të dorës së shtatë, por njerëz që kanë mbajtur nën kontroll sistemin e drejtësisë. Është bërë një pastrim radikal në zemrën e sistemit demokratik”, – përfundoi Rama.
Supervizion ndërkombëtar për koncesionet e rrugëve
Qeveria shqiptare për të garantuar cilësinë e duhur të rrugëve të cilat do të jepen me Partneritet Publik Privat (PPP), do të thërrasë për herë të parë një supervizion ndërkombëtar.
Kryeministri Edi Rama i ftuar në emisionin “Java” theksoi se janë zhvilluar garat për afrimin e tyre, të cilat do të jenë studio të mëdha ndërkombëtare.
“Për koncesionet ne do të kemi për herë të parë supervizion ndërkombëtar”.
Kemi bërë garat, kemi marrë ofertat dhe janë studio të mëdha ndërkombëtare që do të vijnë dhe do të bëjnë supervizionet. Supervizioni është një nga arsyet pse vepra shkatërrohet, siç u bë rruga Tiranë-Elbasan. Kjo rrugë, një nga komponentët e shkatërrimit ka supervizionin. Nëse supervizioni të përcakton trashësinë e asfaltit dhe e bën atë më pak. Rruga ka marrë fund”, – theksoi Kryeministri Rama.
Rama thyen heshtjen për Gruevskin: Strehimi në Hungari do të krijojë tensione
Kreu i ekzekutivit shqiptar ka komentuar për herë të parë strehimin politik që Budapesti ka pranuar për Nikolla Gruevskin.
Në studio me analistët Preç Zogaj, Lorenc Vangjeli dhe gazetarin Artan Hoxha, kryeministri Rama u shpreh se për strehimin e Gruevskit ka një shqetësim të përgjithshëm, kryesisht nga aleatët perëndimorë.
“Unë nuk i di detajet e procesit, por jam dakord që ky strehim politik do të krijojë vazhdimisht probleme dhe tensione. Sepse ka një shqetësim të përgjithshëm jashtë Maqedonisë nga aleatët” – tha Rama në studion e emisionit “Java” në RTSH.
EDI RAMA ! PERBALLE PROTESTES PER P.S, MARREDHENIET ME OPOZITEN, REFORMA NE DREJTESI DHE PARATE PUBLIKE.
Gepostet von RTSH Radio Televizioni Shqiptar am Freitag, 23. November 2018