Një operacion antidrogë i organizuar në qytetet Vlorë e Tiranë ka përfunduar me arrestimin e 5 personave të dyshuar si shitësit dhe blerësit e narkotikëve, si dhe është sekuestruar një sasi prej 50 kg kanabis sativa në trajtën e çokollatës.
Në pranga përfunduan Sokol Bushi, 23 vjeç, dhe Martin Bushi, që të dy banues në fshatin Llakatund të Vlorës; Arben Metaj, 47 vjeç, banues në Vlorë; Edi Tafa, 22 vjeç, banues në Kamëz; si dhe Renaldo Gecaj, 46 vjeç, banues në Paskuqan.
Nga hetimet rezulton se shtetasit Arben Metaj dhe Sokol Bushi kishin siguruar lëndën narkotike me synimin për ta transportuar atë drejt Tiranës me një mjet tip kamionçinë. Të ndjekur nga specialistë të hetimit të narkotikëve, ata kanë çuar edhe në gjurmët e blerësve në Tiranë Renaldo Gecaj dhe Edi Tafa.
Policia sekuestroi në momentin e dorëzimit të lëndës narkotike rreth 50 kg kanabis çokollatë, një automjet frigoferik “Renault”, një autoveturë “Peugeot 407” dhe 7 aparatë celularë.
/b.d