Një zyrtar shumë i lartë amerikan i FBI-së, një nga personat përgjegjës për luftën kundër pastrimit të parave, ka qenë të paktën tre herë në Tiranë.
Kështu u shpreh në studion e emisionit “Java në RTSH” analisti Lorenc Vangjeli i cili tha se zyrtari në fjalë ka ardhur dy herë në fillim të vitit dhe herën e tretë në këto dhjetë ditët e fundit.
Në panel sëbashku me gazetarin investigativ Artan Hoxha dhe analistin Preç Zogaj, Vangjeli tha se emri i këtij zyrtari nuk rezulton të jetë shënuar në sistemin TIMS.
“Axhenda e kësaj vizite të fshehtë pune është një sekret që ruhet fort dhe për qëllimin e saj vetëm mund të hamendësohet. Me gjasë edhe për lidhje të mundshme me hetime konkrete që janë në zhvillim e sipër” – tha Vangjeli duke shtuar se më shumë se kuriozitet, misioni i tij ka ngjallur frikë.
Sipas tij, hetimet nuk lidhen me individë të zakonshëm dhe qytetarë anonimë, por për personazhe të fortë publikë.
***
Java në RTSH: Opozita kthehet në parlament për paratë që të mos djegë mandatet,
Në fund fare pushteti është i kohës. Dhe koha që po kalon me shpejtësi duket se do të ridemensionojë në të paktën një drejtim aksionin opozitar.
Neni 71, i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend;
Bojkoti parlamentar nga opozita ka nisur në javën e tretë të korrikut.
Mbas pushimeve të dimrit, sesioni i rradhës së kësaj legjislature fillon të hënën e tretë të janarit. Në datën 21 janar 2019. Kjo është edhe data kur mbushen fiks gjashtë muaj bojkot dhe rrjedhimisht, ndodh edhe ndërprerja automatike e mandateve të deputetëve.
Nëse opozita do të dojë të ruajë mandatët e saj, rasti i vetëm është momenti i diskutimit dhe miratimit të buxhetit. Nëse zgjedh këtë mënyrë, opozita justifikohet duke thënë se rikthehet në parlament vetëm për të denoncuar, sipas saj, mënyrën kriminale sesi po shpenzon paratë publike qeveria e zotit Rama. Por që në fakt, do të lejojë deputetët e opozitës që të mbajnë mandatin dhe të vazhdojnë të paguhen me para publike edhe mbasi nuk ushtrojnë funksionin publik të ligjvënësit.
Në të kundërt, por me shumë gjasa nuk do të ketë të kundërt, mandati i secilit deputet do të shqyrtohet individualisht për të parë se kur secili nga ta mbush gjashtë muaj bojkot të seancave dhe të komisioneve parlamentare. Për t’u zëvendësuar pastaj me deputetë të listës shumemërore të partive të opozitës të depozituara në KQZ.
Nëntë vjet më parë, fiks në një dilemë të tillë kaloi dhe partia socialiste e cila vendosi që në minute e fundit, të ruante mandatet e saj të fituara në zgjedhjet e vitit 2009.
Artan Hoxha: 1600 shqiptarë në kërkim nga Policia e Shtetit
Gazetari investigativ Artan Hoxha ka komentuar deklaratat e përditshme të policisë që tashmë ka nisur publikimin e të shpallurve në kërkim për çdo qark.
Sipas Hoxhës, emrat në fjalë nuk përbëjnë listën përfundimtare. Në studion e emisionit ‘Java në RTSH’ gazetari tha se kjo është një listë me persona të dënuar mbi 5 vite burgim. Por, sipas tij, në listën e plotë janë 1600 vetë të shpallur në kërkim.
Ai shtoi se qytetarët duhet të bashkëpunojnë me policinë për të dërguar para drejtësisë personat me rrezikshmëri të lartë, të cilët jo rrallë herë lëvizin lirisht.
“Mjaftoj t’ju kujtoj vetëm ngjarjen e lokalit Monopoli në bllok ku i vrari dhe njëri nga të plagosurit ishin të shpallur në kërkim. Dhe në vend që të arrestoheshin nga policia, ata u gjetën nga kundërshtarët e vet” – tha Artan Hoxha.
Zogaj, apel politikës: T’u jepen pasaportat të larguarve pas 1944
Kthimi i eshtrave të Mid’hat Frashërit ngjalli jo pak debat në Tiranë. Por vonesën e këtij akti e kompensoi disi cilësia e ceremonisë së organizuar.
Kështu u shpreh analisti Preç Zogaj në studion e emisionit “Java në RTSH” teksa bëri edhe një apel.
“Ceremonia e homazheve ishte në lartësinë e të madhit Mid’hat Frashëri, por mendoj se është momenti të sjellim në vëmendje edhe raste të tjera për dhjetëra shqiptarë që fati i degëdisi gjatë regjimit komunist dhe që meritojnë një varr në atdheun e tyre. Unë dua që t’i bëj një apel Kryeministrit dhe opozitës që të shohin mundësinë e hartimit të një ligji të posaçëm për emigrantët politikë të periudhës së komunizmit për pajisjen e tyre me pasaporta” – tha Preç Zogaj.
Ai tha se ky do të ishte satisfaksioni më i vogël që mund t’u japë vendi i tyre personave që për 27 vite ëndërrojnë të kenë nënshtetësinë shqiptare.
Dekretimi i Lleshit / Balla, Bollino dhe Peka, debat në ‘Java në RTSH’
Dekretimi i Ministrit të Punëve të Brendshme ka qenë tema e diskutimit në panelin ku ishin ftuar Sokol Balla, Carlo Bollino dhe Çim Peka. Lajmi i mbërritur gjatë transmetimit se Ilir Meta vendosi dekretimin e Sandër Lleshajt, ishte diçka e parashikueshme sipas botuesit Bollino.
“Ngërçi që presidenti kishte paraqitur ishte shumë formal duke krijuar përshtypjen se nuk kishte as rrugëdalje. Por konfirmimi jozyrtar erdhi pasdite kur presidenti e ç’dekretoi Lleshin si Gjeneral, pas kërkesës së kryeministrit. Që ishte dhe një farë provokimi për ta zgjidhur situatën” – tha Bollino.
Por për gazetarin Çim Peka, Rama dhe Lleshi janë pikërisht ata që e kanë shkelur Kushtetutën.
“Vetë emërimi i Lleshit si zv.ministër duke pasur gradën Gjeneral ishte shkelje kushtetuese. Ministria e Mbrojtjes ndryshe nga hera e parë, është detyruar t’i propozojë presidentit ç’dekretimin e Lleshit. Edi Rama nuk i ka shkuar tre herë në takim Presidentit për ta sqaruar këtë gjë. I vajti në zyrë vetëm pasi mbaroi afati” – tha Peka.
Sipas tij, Sandër Lleshi ka shkelur ligjet e shtetit shqiptar duke marrë dy paga paralelisht nga administrata.
Ndërkohë, për Sokol Ballën të qenurit gjeneral aktiv ishte absolutisht në kundërshtim me Kushtetutën. Por sipas tij, Ilir Meta dështoi ta zgjidhte ngërçin e krijuar.
“Presidenti i Republikës, që nga pikëpamja kushtetuese është institucioni që e zgjidh krizën, në këtë rast nuk ia doli. Në fakt, Ilir Meta e stimuloi atë. Presidenti, që e kishtë këtë lloj informacioni, nuk duhej ta linte krizën të maisej 7 ditë rresht. Një president normal thërret ministrin e Mbrojtjes apo Shefin e Shtabit dhe konsultohet nëse një problem i tillë ekziston dhe kërkon që të sqarohet situata” – thoi Sokol Balla në studion e emisionit ‘Java në RTSH’.
Drama e arit të zi, evazioni dhjetëra milionë euro nën heshtjen e të gjithëve
Gazetarja Ola Xama ka qenë pjesë e panelit me analistët Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli për të diskutuar mbi industrinë e naftës.
Një investigim i Xamës nxorri në pah evazionin që kompanitë gjigande të karburanteve në Shqipëri kanë kryer duke shmangur jo vetëm pagat për punëtorët, por edhe detyrimet ndaj shtetit.
“Kur unë nisa investigimin, takova një nga prokurorët e çështjes së ARMO-s dhe aty rashë në gjurmë. ARMO vetëm ishte gjobitur ndërkohë që kishte bërë qindra miliona dollarë evazion fiskal. Dhe bëhet fjalë për 230 milionë…” – tha Xama.
Gazetarja komentoi edhe absurdin e tregut. Teksa Shqipëria është një nga vendet në Europë me vendburimet më të mëdha, ajo importon naftë.
“Çdo vit Shqipëria importon afro 500 mijë ton naftë në vit, naftë e cila tregtohet në tregun e pakicës dhe kjo është një nga arsyet që sot jemi ndër vendet me çmimin më të shtrenjtë të naftës në Europë dhe në botë dhe me një cilësi që është shumë e ndryshme nga vende të tjera që kanë çmim më të ulët apo të njëjtë me ne” – shtoi Ola Xama në studion e “Java në RTSH”.
/JavaNews.al