Rënia e lindshmërisë dhe emigrimi masiv e vendosin ekonominë shqiptare përballë një rreziku të ri; atë të tkurrjes së forcës punëtore. Sipas Bankës Europiane për rindërtim dhe zhvillim, deri në vitin 2040 popullsia e Shqipërisë në moshë pune do të rrudhet me mbi 15 për qind. Ardian Civici thotë se kjo është një sfidë serioze për ekonominë.
“Nëse ne përballemi me tendencën shqetësuese të rënies së fuqisë punëtore kemi përpara dy skenar. I pari është skenari negativ që kjo rënie e fuqisë punëtore të na sjellë rënie ekonomike, ose skenari i dytë është ai që ky rrezik të evitohet duke”, shprehet Ardian Civici, ekspert i ekonomisë.
Sasia e të mirave që prodhon një ekonomi është rezultat i tre faktorëve; punës, kapitalit dhe produktivitetit. Kur fuqia punëtore tkurret, e vetmja mënyrë për të shmangur rënien ekonomike është rritja e investimeve ose krijimi i një forcë punëtore më të kualifikuar.
“Nëse teknologjia nuk do të ndryshojë dhe ekonomia do të mbetet e orientuar tek sektorët me produktivitet të ulët siç është sot atëherë rënia e fuqisë punëtore do të na çojë në varfëri”, thotë Civici.
Por si mund të parandalohet ky skenar negativ? Për Civicin, politikat që dekurajojnë emigrimin do ishin vetëm hapi I parë, por jo I mjaftueshëm.
“Por nga ana tjetër duhet të rrisim kapacitetet e burimeve njerëzore duke investuar në arsim dhe teknologji të avancuar”, shprehet eksperti i ekonomisë.
Për shumë vite me radhë, të ardhurat nga emigrantët kanë qenë një nga burimet kryesore të zbutjes së varfërisë në vend. Por tani, Shqipëria ka filluar të ndjejë efektet e para negative të shpopullimit, i cili kërcënon jo vetëm rritjen e ekonomisë, por edhe qëndrueshmërinë e financave publike.
ma.me