Këshilli Bashkiak zhvilloi sot mbledhjen e tij të radhës, ku miratoi një sërë vendimesh të rëndësishme me karakter social, që kanë ndikim në jetën e shumë familjeve dhe qytetarëve të Tiranës, si dhënia e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë, si dhe pagesa për PAK e Invalidët e Punës për periudhën 1 deri 30 nëntor 2018.
Gjithashtu, anëtarët e Këshillit Bashkiak miratuan edhe vendimin për kompensimin e çmimit të energjisë elektrike për kategoritë përfituese, gjatë periudhës 1-31 tetor 2018, si dhe atë për miratimin e familjeve aplikuese që përfitojnë nga programi i bllok-ndihmës ekonomike deri në 6 për qind.
Ndërkohë, 85 familje të kryeqyteti do të kenë mundësi që me vendimin e sotëm të mund të marrin një bonus për përballimin e qerasë së shtëpive, ndërsa disa familje të tjera morën ndihmë financiare për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësi të ndryshme. Mes të tjerash, Këshilli Bashkiak miratoi edhe vendimin për vendosjen e memorialit të Holokaustit në Parkun e Madh të Liqenit Artificial.
Më poshtë, vendimet e miratuara në mbledhjen e Këshillit Bashkiak:
- Vendim “Për propozim për dhënien e ndihmës ekonomike për periudhën 1- 30.11.2018”.
- Vendim “Për miratimin e pagesës për PAK e Invalidët e Punës për periudhën 1-30 nëntor 2018”.
- Vendim “Për miratimin e kompensimit të çmimit të energjisë elektrike, për kategoritë përfituese, gjatë periudhës 1-31 tetor 2018”.
- Vendim “Për miratimin e familjeve aplikuese që përfitojnë nga programi i bllok-ndihmës ekonomike deri në 6 përqind, nga fondi i kushtëzuar dhe nga buxheti i bashkisë Tiranë, për periudhën 1-31 tetor 2018”.
- Vendim “Për miratimin e sistemimit të fëmijës, E.S, pranë Qendrës së Zhvillimit Pëllumbat, Tiranë”.
- Vendim “Për dhënien e ndihmës financiare për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësi të ndryshme, për disa familje që banojnë në territorin administrativ të Bashkisë Tiranë”.
- Vendim “Për trajtimin me bonus strehimi të disa familjeve në nevojë, të cilat nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë”.
- Vendim “Për miratimin e kompensimit ushqimor për fëmijet e familjeve në nevojë në shkollat ku po implementohet projekti pilot “Bëjmë detyrat e shtëpisë” nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë”.
- Vendim “Për mbylljen e përkohshme të Qendrës Sociale “Shtëpia e Përbashkët”.
- Vendim “Për disa ndryshime në vendimin nr.132, datë 21.12.2017 të Këshillit Bashkiak “Për miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2018- 2020 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2018, i ndryshuar”.
- Vendim “Për miratimin e rregullores “Për kushtet dhe rregullat e zënies së hapësirës publike në Bashkinë e Tiranës”.
- Vendim “Për shqyrtimin dhe miratimin e listës së sipërfaqeve të tokave bujqësore të pandara në Njësitë Administrative Zall- Herr, Pezë dhe Shëngjergj të gatshme për t’u dhënë me qira”.
- Vendim “Për disa ndryshime në vendimin nr.39, datë 23.05.2016 e Këshillit Bashkiak “Për përcaktimin e linjave të transportit qytetës dhe rrethqytetës të udhëtarëve në Bashkinë e Tiranës, mënyrën e organizimit të shërbimit dhe përcaktimin e stacioneve të qëndrimit të autobusëve të shërbimit në këto linja (i ndryshuar)”.
- Vendim “Për miratimin e kërkesës për transferimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të disa pronave të paluajtshme shtetërore, që do të përdoren për ushtrimin e detyrave të saj funksionale në fushën e infrastrukturës”.
- Vendim “Për miratimin e procedurës së vlerësimit, nxjerrjen jashtë përdorimit dhe asgjesimit të teknikës së transportit në inventar të Bashkisë Tiranë”.
- Vendim “Për dhënien e miratimit për vendosjen e memorialit të Holokaustit në Parkun e Madh të Liqenit Artificial, Tiranë”.
- Vendim “Për emërtimin e rrugës “Alqi Boshnjaku””.
- Vendim “Për emërtimin e Rrugës “Kujtim Hysi”.
- Vendim “Për vendosjen e një pllake përkujtimore në Njësinë Administrative Baldushk”.
- Vendim “Për disa ndryshime në vendimin nr.31, datë 31.05.2004 të Këshillit Bashkiak Tiranë “Për Rregulloren e funksionimit të Këshillit të Bashkisë Tiranë”. /b.d