Nga Fatjona Mejdini
Fëmijët romë nga Shqipëria detyrohen të lypin rrugëve të Kosovës, ndërkohë që as prindërit dhe as autoritetet nuk janë gati të marrin përgjegjësi për të drejtën e tyre të sigurisë, të arsimimit ose të një të ardhmeje të sigurt. Në qytetin e Ferizajt të gjithë e dinë se ku jetojnë “ata nga Shqipëria”. Të drejtojnë në periferi të qytetit, në një lagje jo larg nga lagjja e njohur Sallahane, e cila banohet kryesisht nga komuniteti ashkali.
Në verë, lagjja bëhet e zhurmshme me ardhjen e familjeve të reja nga Tirana, Elbasani, Fieri dhe Durrësi. Ndonjëherë, fëmijët e të ardhurve përshtaten me vendasit, duke luajtur me gëzim në rrugica dhe duke harruar një copë herë vështirësitë që hasin në këtë vend.
Nga mëngjesi i hershëm deri vonë në mbrëmje prindërit i detyrojnë të ndjekin njerëzit nëpër rrugë dhe të lypin pará. Ndonjëherë ata i urdhërojnë të ulen në trotuare pa lëvizur për orë të tëra, me shpresë se kalimtarët do të ndjejnë keqardhje dhe do të hedhin ndonjë monedhë.
OJQ-të në Shqipëri që luftojnë për të drejtat e komunitetit rom besojnë se fëmijëria dhe arsimimi i tyre sakrifikohet që familjet të mund të kenë një çati mbi kokë dhe të sigurojnë ushqim.
Larg nga shtëpitë e tyre dhe pa leje për një qëndrim të gjatë në Kosovë, prindërit e kanë prioritet shmangien e policisë dhe të deportimit.
Por, sipas autoriteteve dhe OJQ-ve, ka rreziqe më të mëdha për fëmijët e detyruar të lypin. Sëmundjet, aksidentet, grabitja, rrahja, abuzimi dhe shfrytëzimi seksual, trafikimi nga kriminelët dhe rrëmbimi për birësim të paligjshëm janë vetëm disa nga rreziqet me të cilat përballen fëmijët romë çdo ditë.
Kur një fëmijë nuk ka strehim të përhershëm, këto rreziqe rriten edhe më shumë.
Në Shqipëri, komuniteti rom është komuniteti etnik më i varfër dhe më i margjinalizuar, shpesh në prag mbijetese, dhe për vite ata i kanë shfrytëzuar fëmijët e tyre dhe i kanë detyruar të kërkojnë lëmoshë rrugëve të Kosovës.
Danieli, një shtatëvjeçar nga Tirana, lyp në një vend parkimi në Prizren.
Pasi shoferët parkojnë makinat e tyre, ai i ndjek duke iu kërkuar pará.
Gjyshja e tij, Maria, e cila lyp rrugëve të Prizrenit, tmerrohet nga ideja se një ditë mund të shtypet nga makina.
“Vetëm shpirti im e di se sa e vështirë është për mua t’i kërkoj Danielit të lypë, por nëna e tij ka ikur dhe vetëm në këtë mënyrë mund ta ushqej atë dhe vëllain e tij”, – tha ajo.
Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2018, policia e Kosovës ka identifikuar 140 qytetarë të Shqipërisë, të cilët lypin rrugëve në qytetet e Kosovës.
Vlerësohet se të paktën 85 prej tyre janë fëmijë.
Sipas policisë, vitin e kaluar janë identifikuar 127 qytetarë shqiptarë, të rritur dhe fëmijë, lypsarë në rrugët e Kosovës. Më 2016, numri ishte 172, më 2015 ishte 162, kurse më 2014 kulmoi në 455.
Altin Hazizaj, drejtor i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, CRCA, tha se ka patur shumë raste të raportuara të fëmijëve shqiptarë romë, lypsarë në Greqi dhe Itali, që janë viktima të abuzimit seksual ose shfrytëzimit për pornografi dhe prostitucion, të përfshirë në rrjete të pedofilisë.
“Nuk kemi patur raportime të tilla nga Kosova, por nuk duhet të befasohemi, nëse vite më vonë histori të tilla do të na raportoheshin neve ose institucioneve të tjera”, – tha ai.
Policia e Kosovës i bën jehonë shqetësimit.
Oficeri i policisë, Salih Dragidella, tha se rrugët e qyteteve në Kosovë mund të bëhen të rrezikshme për fëmijët e detyruar të lypin.
“Rreziku është i lartë sidomos për vajzat. Ato rrezikohen seriozisht nga kërcënimi i trafikimit”, – paralajmëroi ai.
Sipas shifrave të policisë së Kosovës, gjatë viteve 2016 dhe 2017 janë identifikuar 23 raste të shfrytëzimit të fëmijëve për prostitucion, 5 raste për punë dhe shërbime të detyruara, dhe 3 raste të mbajtjes së tyre në skllavëri.
Gjykatat e qyteteve kryesore të Kosovës si Prishtina, Prizreni, Ferizaj dhe Gjilani e kishin të vështirë të tregonin se janë marrë me çështje ku viktimat kanë qenë fëmijë shqiptarë.
Rasti i vetëm i dhënë nga gjykata e Ferizajt ishte ai i muajit korrik 2016, ku abuzuesi i një fëmijë 13 vjeç ishte një grua shqiptare me inicialet E. A.
“Fëmija ishte detyruar të bënte punë të rëndë, më saktësisht të lypte çdo ditë nga mëngjesi deri vonë në mbrëmje, i shfrytëzuar nga kjo grua që nuk ishte nëna e tij, e cila i mbante për vete paratë e mbledhura gjatë aktivitetit”, – thuhet në vendimin e gjykatës.
Gjykata vendosi mos të procedojë me dënimin ndaj gruas, por e deportoi në Shqipëri dhe i ndaloi hyrjen në Kosovë për dy vjet.
Deportime të tilla janë mënyra me të cilën për shumë vite policia e Kosovës dhe sistemi gjyqësor e kanë përballuar situatën me shqiptarët romë.
Gjatë gjashtë muajve të parë të 2018, ata kanë dëbuar 56 njerëz, fëmijë dhe të rritur, drejt kufirit shqiptar.
Tensioni i krijuar për qytetarët “e paftuar” të Shqipërisë është evident në Kosovë, ndërsa fqinjët e tyre në Ferizaj në veçanti janë të pakënaqur.
“Ata nuk shqetësohen për hapësirën e përbashkët. Kjo lagje është bërë më e pistë se më përpara që kur kanë ardhur këtu”, – tha një person që donte të mbetej anonim.
Në Prizren, ku lypësit nga Shqipëria kërkojnë pará nëpër lokale përgjatë bregut të lumit Lumbardhi, njerëzit janë të zemëruar.
“Ata e kanë bërë jetën tonë të vështirë. Çdo ditë vijnë përafërsisht 30-40 gra apo fëmijë në lokalin tim dhe kërkojnë pará. Nuk largohen, nëse klienti refuzon të japë. Më duhet të ndërhyj vetë dhe t’iu jap 50 centë që ata të largohen”, – tha Valmir Kryeziu, pronar i një lokali në Prizren.
Kontrabandistët gjejnë rrugën e tyre
Përtej kufirit, Shqipëria nuk tregon interes të marrë mbrapsht fëmijët dhe prindërit e tyre.
Një oficer i policisë së Kosovës – i cili donte të mbetej anonim – tha se në vitin 2015 ata kishin patur një problem në kufi me policinë shqiptare që refuzonte të regjistronte një autobus me njerëz që po ktheheshin mbrapsht.
“Problemi i tyre ishte se po merrnin shumë riatdhesime nga vendet evropiane dhe duke marrë edhe lypës nga Kosova do të rrisnin numrin e përgjithshëm dhe kjo nuk do të dukej mirë”, – tha ai.
Por pikërisht në këtë moment kontrabandistët hyjnë në lojë.
Prindërit e fëmijëve që lypin në rrugët e Kosovës thonë se iu kanë paguar 200 deri në 300 euro kontrabandistëve për t’i ndihmuar ata të hyjnë në Kosovë përmes shtigjeve që shmangin kalimin e kufirit.
“Kjo rrugë nuk është e rrezikshme ose e lodhshme, problemi i vetëm është pagesa që të shmangim sa më shumë të mundemi kapjen nga policia”, – tha Kela, një 17-vjeçare nga Durrësi që lyp në rrugët e Ferizajt së bashku me motrën e saj të vogël.
Larg kamerave, policia e Kosovës përshkruan se si kontrabandistët nga Shqipëria i ndihmojnë lypësit të kthehen në Kosovë shumë lehtë.
“Në vitin 2016 ne deportuam dhjetëra prej tyre përmes pikës së kontrollit kufitar.
Ka mundësi që ata do të jenë në gjendje të kthehen përsëri përmes ndihmës së kontrabandistëve më shpejt se ne në rrugët e qytetit”, – tha një oficer policie.
Policia shqiptare në Kukës është në dijeni të shqiptarëve të komunitetit rom që kalojnë në mënyrë të paligjshme në Kosovë, por mohuan se ata kanë marrë ndihmë nga të tjerët në këmbim të parave, edhe pse të tjerë e kanë konfirmuar një gjë të tillë.
Drejtori i Kufirit dhe Migracionit për policinë shqiptare në qarkun Kukës, Ferdinand Gjeta, tha se ata kurrë nuk kanë kapur ndonjë kontrabandist që transporton romët në mënyrë të paligjshme përtej kufirit.
“Kemi raste kur romët kapen duke kaluar ilegalisht kufirin. Janë ndaluar, intervistuar dhe janë kthyer mbrapsht. Ata nuk kanë nevojë për një udhërrëfyes, sepse tani e njohin mirë zonën”, – tha ai.
Marenglen Hadaj, komandant i policisë në pikën e kalimit kufitar të Morinës, tha se policia e Kosovës ndan përgjegjësinë për kalimet e paligjshme.
“Ata kalojnë në mënyrë të paligjshme në Kosovë, prandaj në këtë rast është problemi i policisë së tyre, jo i yni”, – tha ai.
Mungesa e vullnetit politik nga Shqipëria dhe Kosova për këtë çështje konsiderohet si një nga pengesat më të mëdha për zgjidhjen e këtij problemi, sipas Alketa Laskut, përfaqësuese e përhershme e fondacionit Terre des Hommes në Shqipëri dhe Kosovë.
“Në Kosovë perceptimi është se ky është problem i Shqipërisë, ndërsa autoritetet në Shqipëri besojnë se shërbimet për ata njerëz duhet të sigurohen në Kosovë”, – tha ajo.
Fondacioni ka punuar për çështjen e fëmijëve të shfrytëzuar për lypje jashtë kufijve që nga viti 2009.
Trafikimi i fëmijëve: një problem për Shqipërinë
Autoritetet shqiptare kanë qenë të vonuara në adresimin e rrezikut me të cilin përballen fëmijët në Kosovë, siç thonë përfaqësuesit e OJQ-ve për të drejtat e fëmijëve.
Një grup përfaqësuesish nga Agjencia shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, koordinatori kombëtar Antitrafik dhe organizatat jo-qeveritare, me asistencë nga njësitë bashkiake për mbrojtjen e fëmijëve, kanë filluar gradualisht punën për të asistuar rastet e para të riatdhesimit.
Sipas Agjencisë shqiptare për Fëmijët, ata janë marrë me katër raste të fëmijëve të trafikuar në vitin 2018, të referuara nga koordinatori kombëtar Antitrafik dhe të identifikuara nga autoritetet kosovare.
“Nga rastet që na janë referuar nga koordinatori, tri janë nga Fieri dhe një nga Shkodra. Më tej i kemi referuar në njësitë bashkiake për mbrojtjen e fëmijëve për të bërë identifikimin dhe vlerësimin e situatës në të cilën gjenden familjet e tyre”, – u shpreh agjencia.
Në vitin 2017 ka patur tri raste riatdhesimi të asistuar të fëmijëve.
Nga ana tjetër, Rovena Voda, koordinatore kombëtare Antitrafik dhe zëvendësministre e Brendshme, tha se çështja e fëmijëve shqiptarë që lypin në Kosovë është një çështje e ndjeshme, duke marrë parasysh se shfrytëzohen kryesisht nga prindërit e tyre.
“Kjo dukuri nuk mund të marrë fund ose thjesht të trajtohet nga policia. Ajo ka nevojë për qasje sociale, si dhe shumë aktorë dhe faktorë të tjerë”, – u shpreh ajo.
Puna e dobët e institucioneve në ndalimin e trafikimit të fëmijëve u pasqyrua edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për “Trafikimin e qenieve njerëzore” në qershor të vitit 2018.
“Përpjekjet për identifikimin e lypjes së detyruar mbeten të pamjaftueshme, sidomos për fëmijët e pashoqëruar, fëmijët e rrugës, dhe ata që kalojnë kufirin për të lypur”, – thotë raporti.
Raporti i Europolit për situatën e rrjeteve kriminale, të përfshira në trafikim dhe shfrytëzim të viktimave minorene në Bashkimin Europian, i nxjerrë në tetor të vitit 2018, ishte sërish një goditje e rëndë për institucionet.
“Europoli ka marrë informacion në lidhje me disa grupe kriminale të përbëra nga të dyshuar shqipfolës që trafikojnë të mitur, djem dhe vajza, në BE për shfrytëzim seksual, punë të detyruar dhe birësim të paligjshëm”, – thotë raporti.
Altin Hazizaj, nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, u shpreh se deri sot institucionet nuk e dinë se sa fëmijë shqiptarë janë larguar në Kosovë, sa janë kthyer ose çfarë ka ndodhur me ata që nuk janë kthyer.
Shqipëria: një terren i vështirë për prindërit
Kosova është vend i preferuar për të lypur nga familjet rome për disa arsye.
Është shumë afër, flitet e njëjta gjuhë dhe valuta euro është më e vlefshme se leku shqiptar. Këto janë vetëm disa nga arsyet e shumta për të cilat ata kalojnë kufirin.
Kosova mund të jetë një vend i huaj, por kjo në fakt e bën stigmën e lypjes nëpër rrugë edhe më të lehtë për t`u përballuar.
“Në vendlindjen time, në Fier, nuk do të kisha kurrë kurajë të lypja në rrugët e qytetit, do të më vinte shumë turp. Këtu është e thjeshtë”, – tha Kimetja, një grua 27-vjeçare, e cila mban një foshnje në krah, teksa lyp në rrugët e Prishtinës.
Bujaria e njerëzve në Kosovë është një arsye më shumë për familjet që të lypin atje.
Shpresa, një grua 25-vjeçare nga Tirana, ka kaluar tri stinë të verës duke lypur në Ferizaj së bashku me tre fëmijët e saj të moshës 7, 4 dhe 2 vjeç.
Që të tre lypin veç e veç, në mënyrë që të fitojnë sa më shumë pará të munden për familjen.
“Në Tiranë, njerëzit nuk na japin pará dhe janë shumë agresivë.
Ata na fyejnë, madje edhe na shtyjnë. Këtu njerëzit sillen shumë rrallë në atë mënyrë”, – tha ajo.
Një faktor tjetër kontribuues për lypjen në Kosovë është se legjislacioni dhe institucionet në Shqipëri e kanë ashpërsuar qëndrimin ndaj prindërve të cilët i detyrojnë fëmijët të lypin rrugëve.
Rastet janë dërguar në gjykatë sipas nenit “Keqtrajtimi i të miturve” të Kodit Penal që parashikon nga dy deri në pesë vjet dënim me burg për rastet ku fëmija detyrohet të lypë.
Në një rast gjyqësor më 4 maj 2017, në bazë të këtij neni, një baba i gjashtë fëmijëve u dënua me një vit e katër muaj burg, pasi u zbulua se dy fëmijët e tij lypnin në rrugë. Në vendimin gjyqësor gjykatësi argumentoi se dënimi i tij u lehtësua nga fakti se babai ishte pjesë e komunitetit rom pa mundësi të tjera mbijetese.
Megjithatë, në qershor të vitit 2017 një ligj i ri për mbrojtjen e fëmijëve u fut në fuqi, i cili iu jep punonjësve të bashkisë hapësirë për t’i çuar prindërit që detyrojnë fëmijët të lypin në polici dhe prokurori.
Njësia e Bashkisë së Tiranës për Mbrojtjen e Fëmijëve konfirmoi se deri tani ka çuar në polici 12 prindër dhe se policia ka referuar 11 prej tyre në prokurori.
Ndërsa vigjilenca për fëmijët e detyruar të lypin është rritur në Shqipëri, shumë pak përpjekje bëhet për ata që kalojnë kufirin, fati i të cilëve mbetet në duart e kalimtarëve.
Lypja gjatë muajve të verës në Ferizaj i siguron pará mjaftueshëm familjes së Shpresës për të mbijetuar për të gjithë vitin në Elbasan.
Sidoqoftë, fakti që fëmijët e saj humbin fëmijërinë dhe të drejtën e arsimimit, teksa lypin rrugëve të Kosovës, është diçka që e mundon Shpresën çdo ditë.
“Në Shqipëri, askush nuk më ka pyetur nëse kam nevojë për ndihmë për të rritur fëmijët e mi dhe unë nuk di mënyrë tjetër për ta bërë këtë, por ende ëndërroj që një ditë ata të kenë mundësi të ndjekin shkollën”, – tha ajo. /ma.me