Nga Bedri Islami
Ditët e fundit, edhe nëse bota do të kishte qenë më pak e kujdesshme, ajo u ndesh me dy pamje, të cilat, më shumë se mijra fjalë të tjera, sollën në kujtesën e tyre hije të një të shkuare që nga shumë kush mendohej se kishte kaluar, por që nga një komb ballkanas, shqiptarët ishte perceptuar gjithnjë si i dukshëm.
Më shumë se kaq, ishte i pranishëm, një përmasë që kacavirrej nëpër poret e një kurthi të hershëm, ku kishin rënë fqinjët e tyre dhe nga i cili nuk po dilnin dot: nacionalizmi i skajshëm, duke shkuar drejt racizmit.
Shfaqja e parë do të ishte në një ndeshje futbolli. Ekipi famëmadh i Liverpulit nuk guxoi të merrte me vete një futbollist me origjinë shqiptare nga Kosova, Shaqirin, pasi i druhej mërisë së verbër të një grupi ultras nacionalistë, të cilët e kishin shpallur atë armik të kombit të tyre. Nga një ndeshje futbolli dhe nga dy duar të bashkuara që simbolizonin shqiponjën. Kaq kishte mjaftuar që një qytetar zvicerian, që luan në Angli, të shpallej person i padëshiruar në mesin e Beogradit. Dhe të ndillte frikën për një emër të madh të futbollit, kur çdo gjë do të ishte në sytë e të gjithë botës, e vëzhguar, e mbrojtur ndoshta, por gjithnjë e frikshme.
Liverpuli i madh u tërhoq. Skuadra udhëtoi pa njërin nga përfaqësuesit e saj, dhe, sikur të mos ishte asgjë tjetër, vetëm droja e një ekipi të madh mund të sillte shëmbëlltyrën e një vendi ku ultrasi nuk triumfon rastësisht mbi shtetin.
Sipas asaj që kishin filmuar kamera amatore, në shkallët e brendshme të stadiumit beogradas, ishin rreshtuar dhjetëra e dhjetëra pjesëtarë t forcave komando, të armatosur rëndë, sikur të mos ishte një ndeshje futbolli, por një shpallje e gjendjes së jashtëzakonshme.
Thjesht për një shqiptar nga Kosova.
Po në ato ditë, në jugun e Shqipërisë, në shtetin fqinj, kishte plasur një histeri tjetër nacionaliste, shkuar drejt racizmit politik e jetësor. Vrasja e ekstremistit Kacifas, ndoshta një vrasje e paraditur nga ekstremistët e “Agimit të Artë” apo e organizatës famëkeqe MAVI, po shndërrohej marramendshëm shpejt në një përplasje mes forcave politike greke, por edhe në një fillesë të re, të tmerrshme në rindezjen e mallkimit të paqen mes dy popujve.
Kacifas ishte një ekstremist, i armatosur, i uniformuar në kamuflazhin ushtarak grek, i mëkuar rrënjësisht me idetë e çartura të Vorio Epirit, në të shumtën nga psallmet e kishës greke, shtet brenda shtetit dhe qeveri brenda qeverisë, që, pasi kishte qëlluar disa herë në drejtim të forcave policore shqiptare, kishte vazhduar të qëllonte. Njëra ndër mediat kryesore greke kishte ngritur versionin e saj të vrasjes pas dorëzimit, një tjetër se ishte vrarë për flamurin grek, një e tretë se kishte qenë një vrasje e parashikuar, një e katërt, me të cilën ishte bashkuar edhe opozita në Shqipëri, se ai mund të neutralizohej e të mos vritej, dhe, së fundi, si për t’i vënë kapak kësaj histerie, një peshkop janinas, ku ishte dikur qendra e Shqipërisë së Jugut, bën thirrje për pushtimin ushtarak të shtetit fqinj.
Të dy pamjet, si në veriun e shqiptarëve, ashtu dhe në jugun e tyre, kishin dhe mbetën tek në paragjykimin e tyre tek miti i shtetit të madh, si Serbisë së Madhe, i Greqisë së Madhe, i të drejtës për sundim etj.
Në të dy vendet, prej shumë kohësh, është mbetur në një kurth, të cilin, me ngulm, vullnetshëm dhe pa ndalesë, e kanë ngritur vetë:racizmin e përkëdhelur miturisht, dhe këtë e kanë bërë përmes doktrinave shkencore, të zyrtarizuara nga qeveritë e tyre dhe, për fat të keq, edhe sot e kësaj dite, ata nuk çlirohen dot prej saj, nuk e heqin dot atë mantel që u kanë vënë mbi supe dekadat e shumta të shkuara dhe prej të cilave dalin herë pas here, si përndizje, shkëndija të tilla nacionaliste.
Dhe ky racizëm, më së shumti ka rënë mbi shqiptarët, jo vetëm si një komb ndryshe nga ata, pra jo sllav, por, më tepër se kaq, si një komb, i cili, sipas filozofit dhe shkrimtarit të njohur francez, Jean-Peirre Faye, ka lidhje më shumë me kulturat burimore, ku, ajo shqiptare zbret dhe është rrjedhë e epokës homerike dhe heleno-romake; ndërsa, në kahun tjetër, kultura serbe është rrjedhë e Greqisë bizantine. Por, do të shtoja, edhe vetë kultura e sotme greke nuk është asgjë tjetër veçse një rrjedhë e mëvonshme e kulturës bizantine, ndaj shpesh herë duken aq të ngjashme me kulturën serbe.
Për shqiptarët, ta zëmë Kosova është një pjesë e natyrshme e truallit të vet, ndoshta pjesa më nacionaliste e saj dhe më shumë e përpjekur për mëvetësi. Megjithëse e rrudhur nga dekadat e vërshimit sllav, përsëri ajo mbetet njëra ndër krahinat e njohura , ku etnia shqiptare është jo vetëm dominuese, por edhe toleruese e skajshme.
Për serbët , sipas shkrimtarit Vuk Drashkoviç, “Kosova për shqiptarët është gjeografi, kurse për serbët gurra e kulturës së tyre,epi dhe feja, Alfa dhe Omega e ekzistencës së tyre”.
Në jugun e Shqipërisë cungimet kanë qenë po aq të çmendura sa në veriun e saj,dhe, disi më të mëdha se në perëndimin e vendit. Nëse do të bëhej lista e viktimave shqiptare në tokën greke, që prej një shekulli, tmerri i përhapur do të ishte shumë më i madh se gjithë gjëmat tjera ballkanike të kësaj kohe.
Në veriun e banimit të shqiptarëve kanë droje të dërgojnë një njeri të vetëm, i cili është mbështjellë dy fish nga një lloj sigurie: nga qenia pjesë e një ekipi të madh futbolli dhe, si përforcuese e ngjeshur, nga nënshtetësia e tij. Në fund të fundit, Shaqiri është një qytetar zvicerian.
Për një flamur të ngritur në Beograd dy qytetarë shqiptarë u keqtrajtuan mizorisht.
Në një fshat shqiptar, ku banojnë minoritarë, një ditë morti, dolën vrullshëm disa qindra ultras nacionalistë, të cilët, duke dashur të përgjunjin një shtet, dhe për “kritizerët e paskaj” ata e kanë bërë këtë, më shumë duan të gjunjëzojnë qeverinë e tyre. E duan me patjetër, ndoshta edhe nga fakti se ky brez i ri i njerëzve të politikës greke fillon e dëshmohet më i arsyeshëm, jo i skajshëm, disi më bindës për Europën, jo të nënshtruar nga Kisha dhe kërkues për vendosjen e një sinori mes qeverisjes së shtetit dhe asaj të kishës. Kjo e fundit është mbështetja e fundit, ashtu si ka qenë e para, e ultranacionalistëve. Pesë përfaqësues të kishës greke erdhën dhe shoqëruan arkmortin e Kacifas dhe liturgjia e tyre ishte në gjuhën greke, jo thjeshtë se po përcillnin një minoritar, por si një dëshmi priftërore se po e bëjnë këtë në tokë greke, si një fillesë për të realizuar thirrjen e peshkopit të tyre janinas.
Ultrasit grekë, ashtu si ultrasit serbë, e dinë fare mirë se , edhe po të harbohen me ditë e me netë, nuk bëjnë dot zhbërjen e një historie, e aq më shumë zhvendosjen e një shteti. Ata, në shtetin grek, e kanë me qeveritarët e tyre, me ndjenjën e ringjallur të Megalidhesë, ndërsa në veri, në shtetin serb, fantazmat e mitit të Kosovës nuk janë hequr nga mendjet e politikës së nxehtë.
Në të dy përplasjet shteti shqiptar mbajti një qëndrim të heshtur, e , do të thoja, të menduar. Sipas informacioneve të besueshme, kjo ka qenë edhe porosia e dhënë nga shërbimet partnere dhe nga shtete e institucione që monitorojnë shtetin shqiptar dhe strukturat e tij. Ndoshta është dukur si një nëpërkëmbje kombëtare dhe, duhet pranuar, e gjithë pamja e jashtme e ngjarjes të çon drejt këtij mendimi, por, jo shumë vonë, e gjitha do të jetë një bumerang për vetë politikën greke, sidomos të opozitës së saj.
Fakti që me këtë pjesë të ultrasve u bashkuan edhe deputetë të parlamentit shqiptar nga minoriteti, veçanërisht nga opozita, si Dule apo Tavo, që ishin në fakt paraqitja konkrete e deklaratave politike të shefave të tyre, të sjell ndër mendje ata , për të cilët në Drenicë thonë” mos i pyet, se tregojnë vetë”.
Të dy ngjarjet, që duken si pa lidhje me njëra tjetrën, tregojnë një fakt: ndryshku i ultranacionalizmit titpik ballkanas ende nuk ka filluar të shkrijë.