Nga The Economist
Rezultati që pritej, erdhi. Demokratët kanë marrë Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet amerikane të mesmandatit, çka do t’u lejojë të mbikëqyrin Shtëpinë e Bardhë, menjëherë pasi demokratët të ulen në karriget e tyre në janar.
Republikanët kanë mbajtur Senatin, me një maxhorancë të shtuar, çka do t’ia bëjë më të lehtë presidentit Trump konfirmimin e emërimeve. Të dyja palët shpallën fitoren. Vendi ndjeshëm i ndarë, do të ketë tani një qeverisje gjithashtu të ndarë.
Megjithatë, rezultatet tregojnë thellimin e një ndryshimi strukturor në politikën amerikane, që do ta bëjë vendin më të vështirë për t’u qeverisur në të ardhmen e parashikueshme. Demokratët përfaqësojnë shumicën e votuesve amerikanë, por republikanët dominojnë gjeografikisht.
Demokratët e fituan votën popullore për Dhomën e Përfaqësuesve me një diferencë të rehatshme. Pozicioni i tyre si partia që gëzon mbështetjen më të madhe te amerikanët, falë forcimit në qendrat urbane, u përforcua nga një rritje e mbështetjes në periferi, ku revoltimi me Presidentin Donald Trump ishte i dukshëm.
Ndërkohë, republikanët u forcuan në shtete më pak të populluara dhe zona rurale, duke i mundur demokratët në shtete si Indiana, Mizuri dhe North Dakota. Në një vend ku njëra dhomë e legjislaturës bazohet në numrin e popullsisë dhe tjetra në territorin në tërësi, kjo ndarje kthehet në bazë për ngërçe politike, qeverisje të dobët dhe përfundimisht pakënaqësi me vetë sistemin politik.
Mënyra si shtrihet kjo ndarje është e habitshme. Dhjetë vjet më parë, ishin 17 shtetet me një senator republikan dhe një demokrat. Prej janarit 2019, do të jenë vetëm shtatë. Në zgjedhjet federale vështirë se ndonjë kandidat do t’ia dalë të mbijetojë në territorin e partive kundërshtare. Vetëm gjashtë senatorë demokratë i fituan zgjedhjet në shtetet që mbaheshin nga Trump në vitin 2016. Tabloja është më pak e zymtë për guvernatorët, por në aspektin e secilit shtet më vete, ripërsëritet e njëjta skemë. Nga janari, Minesota do të jetë i vetmi shtet, ku një dhomë kontrollohet nga demokratët dhe tjetra nga republikanët. Hera e fundit që ka qenë kështu është ajo e vitit 1914.
Kjo ekuilibër mund të jetë i qëndrueshëm, por është i dëmshëm për vendin dhe për të dyja partitë. Për republikanët, rreziku është afatgjatë. Tani për tani, ata mbajnë Shtëpinë e Bardhë dhe kanë një shumicë të shtuar në Senat. Por në një sistem dypartiak, një parti që mbizotëron ndërsa vazhdimisht dështon të kapë shumicën e votave, një ditë nuk do të shihet më nga votuesit si ushtruese legjitime e pushtetit. Për demokratët, sfida është e menjëhershme. Ata mund të garojnë kundër një sistemi që i dobëson ata në aspektin strukturor, por nuk mund ta ndryshojnë përsa kohë nuk kanë gjetur një mënyrë si të fitojnë pikërisht përmes tij.
Rezultatet e larta në Nju-Jork dhe në Kaliforni janë diçka e mirë, por nuk do të sjellin vetë shumicën qeverisëse. Cila është rruga për të dalë nga ky bllokim? Problemi kryesor është tani te demokratët. Për të mirën e tyre, pa përmendur atë të vendit, ata duhet të gjejnë mënyra për të tërhequr zemrën e Amerikës. Kjo fillon me vetëpërmbajtjen. Ata duhet të përdorin shumicën e tyre në Shtëpinë për të vëzhguar një president që tregon përçmim për normat që i kanë kufizuar presidentët e mëparshëm. Ata duhet të shohin me kujdes atë që po ndodh në agjencitë federale dhe të hetojnë abuzime të mundshme të presidentit me pushtetin apo keqpërdorimin e detyrës shtetërore për rritje personale.
Por demokratët duhet t’i rezistojnë tundimit për të përdorur shumicën e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve për të marrë hak, duke e kapur presidentin në mënyrën se Newt Gingrich dhe kolegët e tij republikanë dikur “kapën” Bill Clinton-in.
Hetimet u duhen lënë prokurorëve. Nuk është e qartë, për shembull, se sa fitim do të nxirrte hetimi i mënyrës se si u konfirmua Brett Kavanaugh në Gjykatën Supreme. Sigurisht që nuk ka arsye për të nisur një procedurë shkarkimi, siç dëshirojnë disa demokratë. Një përparësi tjetër e demokratëve duhet të jetë ajo e të treguarit se kanë idetë dhe kapacitetet për qeverisje, të cilat mund t’i çojnë te më shumë votues. Një mënyrë për ta bërë këtë është të bëjnë një përpjekje pozitive për të bashkëpunuar me presidentin dhe republikanët. Ka disa marrëveshje që mund të arrihen në lidhje me infrastrukturën dhe çmimet e ilaçeve.
Ata gjithashtu duhet ta bëjnë imigracionin një çështje më pak toksike. Në vitin 2010, kur republikanët fituan Dhomën e Përfaqësuesve gjatë presidencës së Barack Obamës dhe vazhduan të bllokonin çdo gjë që demokratët dëshironin të bënin, Shtëpia e Bardhë argumentoi se ishte e padrejtë që gjysma e një dege të qeverisë federale të dilte pengesë në çdo rrugë. Kjo ishte e drejtë atëherë dhe është e drejtë edhe tani.
Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve nuk duhet të deklarojnë, siç bënte dikur Mitch McConnell, se do të kundërshtojnë gjithçka që bën presidenti. Nuk duhet të ketë një “marrje peng” si ajo e Dhomës së përfaqësuar nga republikanët gjatë mandatit të Obamës.
Shumë demokratë do të japin këshilla kundër përmbajtjes, duke argumentuar se strategjia e “tokës së djegur”, që republikanët përdorën kur kishin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, mund t’u bëjë punë edhe atyre. Pse, – do të pyesin ata, – duhet që demokratët të jenë partia e kompromisit në emër të qeverisjes më të mirë, kur kundërshtarët e tyre shpesh kanë refuzuar të lëshojnë qoftë edhe një centimetër.
Për dy arsye.
Së pari, mund të japë rezultate. Duhet pranuar, sjellja e kohëve të fundit e presidentit Trump nuk ka qenë e mirë. Duke akuzuar demokratët se e kanë bërë të lehtë vrasjen e policëve, siç bëri në fazat përmbyllëse të fushatës, nuk është kjo mënyra më e mirë për të nxitur konkurrencën dypartiake. Z. Trump mund të heqë dorë nga ideja e firmosjes të ndonjë ligji në dy vitet e ardhshme, duke preferuar të qeverisë me urdhra ekzekutivë, ndërkohë që ankohet nga opozita. Por ai gjithashtu mund të na befasojë, duke u dëshmuar më i gatshëm për të gjetur zgjidhje me demokratët, më shumë seç kanë bërë presidentët e tjerë republikanë. Parimi nxitës i Trump-it është interesi vetjak më shumë sesa besnikëria ndaj partisë. Ai është provuar i gatshëm të largojë njerëz që kanë qenë për një kohë të gjatë në pozita të larta të partisë, në të mirë e në të keq. Roli i njeriut që bën marrëveshje mund të përshtatet më mirë me egon e tij.
Së dyti, edhe nëse përpjekjet bipartizane dështojnë, sjellja me përgjegjësi është në interesin afatgjatë të demokratëve. Në përgjithësi, demokratët duan që qeveria federale të punojë mirë. Republikanët, përkundrazi, ende i konsiderojnë fjalët ” jam i qeverisë dhe jam këtu për të të ndihmuar” si një agresion i vogël. Bllokimi nuk i sjell asgjë besimit në qeverisje, çka është një gjë që demokratëve u duhet, nëse kërkojnë të fitojnë më shumë besim te votuesit. U pëlqen apo jo, ata dalin më shumë të humbur sesa të fituar nëse bëhen pengesë për republikanët.
(TemA TV)