Infrastruktura është një tjetër sektor i ekonomisë së vendit që do të përfitojë fonde të konsiderueshme nga buxheti i shtetit për periudhën 2019-2020.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj gjatë prezantimit sot në Komisionin e Ekonomisë të Projektbuxhetit 2019, u shpreh se ky sektor do të përfitojë 2.8% të PBB dhe financimi i projekteve infrastrukturore synon kompletimin e akseve brenda 2021
Ahmetaj tha se kompletimi i akseve nacionale rrugore siç është rruga e Arbërit, Thumanë-Vorë-Kashar, Milot- Balldre, Orikum-Dukat, janë akse rrugore të përfshira në paketën “1 Miliardë”.
Rruga e Arbërit është tashmë një fazë të avancuar të punimeve. Ndërkohë që po përgatiten procedurat për zgjerimin me 6 korsi të rrugën Tiranë-Durrës dhe përmirësimin e aksit Vorë-Rrogozhinë.
Ahmetaj theksoi se projekti i prezantuar zyrtarisht në dikasterin e Infrastrukturës, është një propozim që kërkon 0 lek nga buxheti i shtetit. “Nëse do të plotësohen të gjitha kushtet do të jetë PPP që do të financohet tërësisht nga investitori dhe në afat, rikthimi i investimit do të vijë nga taksa”, tha ai.
Duke u ndalur në akset rrugore që po financon qeveria, Ahmetaj tha se kompletimi i pjesës më të madhe të segmenteve rrugorë me financim të brendshëm do të vazhdojë gjatë viteve 2019-2021.
“Këto akse janë Kardhiq-Delvinë, (një aks tejet i rëndësishëm për turizmin dhe për rritjen e qarkullimit të sigurt në rajonin jugor që faktikisht shkurton me gati 1 orë kohën e udhëtimit Sarandë-Tiranë), ndërkohë që vazhdon financimi i rrugës për Elbasan, Bypassi i Tepelenës dhe Bypass i Shkodrës dhe një pjesë e Unazës së Tiranës”, tha Ahmetaj.
Ministri shpjegoi se janë edhe disa akse rrugore, që parashikohet të përfundojnë deri në vitin 2021 me financim të huaj, si Bypass i Fierit, që siç u shpreh ministri parashikohet të bëhet i kalueshëm përpara sezonit turistik 2019, Bypass i Vlorës, Qykës- Qafë Plloçë dhe në mars 2019, bëhet i plotë loti i fundit Tiranë-Elbasan.
Objektivi është vënia në punë e aeroportit të Vlorës dhe Kukësit nëpërmjet skemës së PPP dhe furnizimi pa ndërprere me ujë i zonës bregdetare deri në vititn 2021, tha Ahmetaj.
/b.d