Natën e 22 tetorit, Real Madridi mori një mesazh elektronik me titullin “Drafti i Marrëveshjes të 16-ve”. Ky mesazh i ishte dërguar presidentit të klubit, Florentino Perezit. Dokumenti në këtë mesazh ishte drafti 11-faqësh i marrëveshjes së klubeve të mëdha evropianë për krijimin e Super Ligës. Nëse kjo marrëveshje realizohet, atëherë Liga e Kampionëve nuk do të ekzistojë qysh nga sezoni 2021, pasi që 11 klubet më të mëdha evropiane do të largohet nga UEFA dhe do të krijojnë një Super Ligë Evropiane, transmeton Gazeta Express.
11 themeluesit e kësaj lige nuk do të jenë në rrezik të eliminohen nga liga dhe e kanë anëtarësinë e garantuar për 20 vjet. Pesë klube të tjera do të merrnin pjesë si “mysafir fillestarë”, kështu që liga do të përbëhej nga 16 ekipe.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Der Spiegel, ky projekt ishte sekret. Sipas draftit që i ishte dërguar Perezit, data për nënshkrimin e këtij dokumente nga përfaqësuesit e 16 klubeve ishte nëntor 2018, mirëpo një datë më e saktë nuk ishte specifikuar.
11 klubet të listuara si themeluesit e Super Ligës, të cilët nuk rrezikojnë të eliminohen, janë Real Madridi, Barcelona, Manchester Unitedi, Juventusi, Chelsea, Arsenali, Paris Saint-Germaini, Manchester City, Liverpooli, Milani dhe Bayern Munichu. Këto klube janë pjesë e shoqërisë sekrete, ku si mysafir fillestarë, sipas këtij dokumenti, do të jenë: Atletico Madridi, Borussia Dortmundi, Marseille, Interi dhe Roma.
11 klubet themeluese planifikonin ta regjistronin një kompani në Spanjë, e cila do të merrej me anën e marketingut, organizimit dhe ekzekutimit të Super Ligës Evropiane. Gara planifikohet të zhvillohet në dy faza: fazën e grupit dhe fazën e play-offs. Ata planifikonin ta organizojnë edhe një ligë të dytë, nën Super Ligën.
Nga kjo ligë e dytë, ekipet më të mirë në fund të sezonit do të luanin një seri ndeshjesh për ta siguruar një vend në Super Ligë, por vetëm kundër ekipeve si “mysafire fillestare” pasi që themeluesit janë anëtarë të përhershëm. Ky projekt ishte bazuar në Euroligën e Basketbollit.
Dokumenti përfshin gjithashtu edhe përqindjen e aksioneve që do të kishte secili klub për pronësinë e kësaj lige. Real Madridi planifikohet t’i ketë 18.77% të aksioneve, Barcelona 17.61% dhe Manchester Unitedi 12.58%. Në vend të katërt është Bayern Munichu me 8.29%.
Në këtë draft nuk përmendet as edhe një herë të vetme UEFA. Artikullin e plotë të Der Spiegelit mund ta lexoni këtu, përgatiti ”Gazeta Express”. (b.an)