Presidenti Ilir Meta nuk ka marrë asnjë vendim për të dekretuar ministrin e ri të Brendshëm, Sandër Lleshi.
“Zëri i Amerikës” thotë se zyrtarisht, afati për të miratuar dekretin ka kaluar dhe Lleshi nuk mund të emërohet më ministër.
Por Presidenca pretendon të kundërtën.
Sipas saj, afati i fundit është sot në mesnatë.
“Afati i presidentit per dekretin skadon ne fundin e dites se 7, qe eshte sot ne oren 24:00, ne mesnate”, thonë nga Presidenca.
Me sa duket, Meta do të presë deri në mesnatë për vendimin.
Ose nuk do të bëjë asgjë, duke e djegur kandidaturën e Lleshit.
***
Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta tha të premten në mbrëmje se ende nuk ka marrë një vendim për të dekretuar ministrin e ri të Brendshëm Sandër Lleshi, të propozuar nga kryeministri Edi Rama. Në një intervistë zoti Meta nuk ngurroi të merrte dhe shembullin e presidentit italian, i cili pak muaj më parë vuri veton ndaj dekretimit të një prej ministrave të qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet. Presidenti Meta komentoi dhe ngjarjen e Bularatit ku një minoritar mbeti i vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë, duke u shprehur se “ajo është një ngjarje e provokuar” e cila sipas tij, “synon të krijojë një acarim artificial të marrëdhënieve shqiptaro-greke”.
Kushtetuta e vendit i lë Presidentit 7 ditë kohë afat për emërimin e një ministri. Ky afat skadoi mesnatën e së premtes. E megjithatë Kreu i Shtetit, Ilir Meta, tha se ai “do të gjejë mënyrën e duhur për t’u shprehur në kohën e duhur”, duke shtuar se nuk do të ndikohet nga askush dhe nga asgjë as nga orët dhe sekondat, ndërsa nuk u shpreh se cilat ishin pengesat që e kishin detyruar të kërkonte kohë për të marrë një vendim. “Presidenti ka për detyrë të ushtrojë të gjithë përgjegjësitë e tij kushtetuese për të krijuar bindje të plotë për çdo propozim që i bëhet për dekretim. Presidenti nuk mund të hedhë firmën për dekrete formale, sepse do të ishte papërgjegjshmëri. Aq më tepër për një detyrë të tillë, e cila në momentin aktual kërkon akoma edhe më shumë përgjegjësi dhe vëmendje”, nënvizoi zoti Meta
Kushtetuta në asnjë rresht të saj nuk parashikon shprehimisht, raste të mos dekretimit të një propozimi për emërimin e anëtarëve të kabinetit qeveritar. Vitin e shkuar, ish presidenti Bujar Nishani, i cili u shfaq publikisht kundër propozimit për emërimin e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, pranoi megjithatë se nuk kishte kompetenca për ta refuzuar atë. Por zoti Meta bëri mbrëmë një tjetër interpretim. “Kushtetuta është shumë e qartë: Presidenti ka përgjegjësi për çdo firmë që hedh. Përndryshe, Presidenti nuk do ta kishte këtë mundësi dhe këtë instrument konfirmimi, verifikimi, kontrollimi, dhe garantimit të integritetit të çdo ministri. Ndaj dua të them që çdo President ka për detyrë që me veprimet e tij, apo me mos veprimet e tij, të marrë përgjegjësinë e duhur publike dhe të tregojë përgjegjshmëri maksimale. Kështu që në këtë drejtim, askush të mos ketë dyshime që unë, përgjegjësitë e mia, sidomos, në këtë situatë do ti ushtroj në mënyrë mjaft maksimale dhe mjaft kurajoze”.
Zoti Meta madje duket se paralajmëroi refuzimin e emrit të zoti Lleshi, kur ju referua rastit të Italisë, pak muaj më pare, kur do formohej qeveria e te e dalë pas zgjedhjeve dhe “ku presidenti ka të njëjtat kompetenca dhe mendonte që një profesor i ekonomisë që e kishin propozuar për ministër të ekonomisë, rrezikonte me idetë e tij të cenonte objektivat e Italisë dhe prezencën e saj në Euro tha që nuk e firmos. Tha të bëhet ministër të zyra për Europën dhe u bë. Askush nuk mund ta detyrojë presidentit të firmosë apo të konfirmojë një emër për një detyrë të tillë kushtetuese, të cilën atij ja jep Kushtetuta, jashtë bindjes së tij”.
Një qëndrim tërësisht të kundërt, Kreu i Shtetit pati për ministrin e Brendshëm të dorëhequr, Fatmir Xhafaj, për të cilin tha se “tregoi një vullnet për të ecur në këtë drejtim, pavarësisht nga vështirësitë dhe rrethanat e komplikuara”./VOA
a.ç