Kryeministri Edi Rama tha se duke filluar nga muaji janar do të nisë puna për kantierin e ri të aeroportit të Kukësit. Deklaratat e tij u bënë pas mbledhjes së qeverisë në qytetin verilindor.
“Kemi avancuar me procedurën për aeroportin e Kukësit dhe deri në javën e dytë të dhjetorit do të mbyllet procedura dhe më pas një nevojitet një periudhë e shkurtër për përcaktimin e kontratës dhe ambicia është që brenda muajit janar të vitit që vjen, maksimumi në shkurt do të nisë punë për kantierin e ri të Aeroportit në Kukës. Dua të theksoj se nuk bëhet fjalë për çeljen e aeroportit që kemi, por bëhet fjalë për një aeroport të ri. Jemi shumë të inkurajuar me diskutimet që kemi bërë me ekspertët. Aeroporti do ketë rol të madh në zonë, sa i përket edhe punësimit”, tha Rama
Rama tha se po punohet intensivisht për të vënë në punë pistën e skive në Shishtavec.
Shefi i qeverisë deklaroi se do të ndërhyhet në aksin rrugor Kukës-Has-Tropojë për t’i dhënë atë që i ka munguar kësaj zone. Gjithashtu Rama shtoi faktin se vitin e ardhshëm do të ndërtohet hoteli i parë me 5 yje në zonën e Valbonës.
“Po punojmë ngusht me disa investitorë për të investuar në zonën e Shishtavecit. Vitin e ardhshëm do të kemi hotelin me 5 yje në zonën e Valbonës. Mbështesim familjet e kësaj zone, jo vetëm për argotizmin. Do të kemi një ndërhyrje në rrugën Kukës –Has-Tropojë. Do të kemi një paketë të re investimesh”, tha Rama.
a.ç