Ish-nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, beson se dorëheqja e Fatmir Xhafajt nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme i gjeti të papërgatitur të gjithë, përfshirë edhe opozitën e faktorin ndërkombëtar.
Në një intervistë për “Panorama”, Patozi flet për merita të padiskutuara të opozitës në denoncimin e vazhdueshëm që i kanë bërë Fatmir Xhafajt, por sipas tij, reagimet e eksponentëve të PD që shoqëruan dorëheqjen ishin joserioze.
Sipas Patozit, deputetët e PD-së, në vend të mbanin linjën zyrtare të kryetarit të PD-së, nxituan për të marrë merita personale për largimin e Xhafajt. Ish-nënkryetari i PD-së thekson se Rama e Basha, pavarësisht se nuk janë në një marrëveshje mes tyre, vijojnë të merren vesh shumë mirë me njëri-tjetrin.
Për 12 muaj që Xhafaj ushtroi detyrën, ai ishte ministri më i sulmuar nga opozita. Besoni se largimi i Xhafajt nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme duhet parë si një fitore e opozitës apo si rrjedhojë e luftës së brendshme brenda PS-së?
Arsyeja mund të ishte edhe komplementare, pra një rezultante e të dyjave, pavarësisht se momenti i dorëheqjes ishte aq i papritur, sa nuk të jepte shumë mundësi ta shisje si fitore. Ndërkohë, askush nuk mund ta mohojë se sulmet e pareshtura të opozitës kishin lënë gjurmët e veta mbi zhguallin sado të fortë e të regjur në beteja politike të Fatmir Xhafajt. Dhe pa diskutim që, më shumë se atij vetë, ia kishin vështirësuar jetën dhe ia kishin prishur ritmin gjithë qeverisë.Por çudia ishte se opozita reagoi në mënyrën më joserioze ndaj kësaj ngjarjeje me valencë të fortë politike.
Një numër i madh eksponentësh të Partisë Demokratike u futën në një garë të çuditshme interpretimesh për dorëheqjen e Xhafajt, gjë që e bëri qesharak qëndrimin zyrtar të saj. Dhe e gjitha ndodhi pasi Lulzim Basha kishte dalë shumë shpejt me deklaratë, ndryshe nga ç’ndodh zakonisht kur ose mendohet gjatë, ose nuk flet fare. Dhe normale do të ishte që të tjerët pas tij ose duhet të heshtnin, ose të përpiqeshin ta ndiqnin në një farë mënyre kryetarin, duke e shpjeguar me fjalë të ndryshme të njëjtën gjë.
Dhe më e pakta që mund të thuhet në këtë rast është se, jo vetëm nuk ekziston autoriteti i kryetarit, por as respekti më minimal ndaj tij, që të mos flasim fare pastaj për ca rregulla të pashkruara që çdo forcë politike serioze nuk ia lejon vetes të mos i zbatojë. Famir Xhafajn nuk mund ta detyronin të jepte dorëheqjen njëkohësisht edhe opozita, edhe Saimir Tahiri, edhe dosja e të vëllait, edhe Edi Rama, edhe “Xhuxhi”, edhe përleshjet mes klaneve rivale të mafies, edhe një regjistrim rozë, edhe …edhe…
Që ta them siç e mendoj, Xhafaj iku se u lodh njëkohësisht nga të dy faktorët. Nga njëra anë akuzat e pandërprera të opozitës, që nuk kishin shanse të zbeheshin, përkundrazi, me afrimin e datës së zgjedhjeve, do të intensifikoheshin. Nga ana tjetër, mungesa e konfidencës me Kryeministrin, që për një anëtar kabineti është element shumë i rëndësishëm. Kjo është më e pakta që mund të thuhet për një marrëdhënie të ftohtë mes dy njerëzve të pushtetshëm, ku shquhej qartë që Xhafaj nuk ishte ndër të preferuarit e Ramës si në prejardhjen e karrierës, ashtu edhe stil apo në sjellje.Për të qenë realist, unë mendoj se momentin Xhafaj e ka zgjedhur vetë.
Sepse gjeti një ditë që i kapi gafil të gjithë. Politikën, shtypin, e sidomos ndërkombëtarët. Po të ishte për Partinë Demokratike ai do të kishte ikur që kur doli përgjimi i “Babales”, për të mos thënë më parë, që kur Basha deklaroi se ai do të kalonte vetëm mbi trupin e tij. Ndërsa po të ishte për Ramën, ai do ta kishte hequr në shtator, me nisjen e sesionit të ri, menjëherë pas pushimeve, bashkë me ndonjë ministër tjetër të parëndësishëm, sa për shoqërues misi.
Opozita e denoncoi përmes dokumenteve dhe materialeve audio e video vëllain e Xhafajt dhe influencës që Fatmir Xhafaj dha për të penguar dënimin e tij. Besoni se për opozitën do të ishte më e favorshme që ai të qëndronte në detyrë për ta përdorur si “kalë beteje” në aksionin politik të dobësimit të qeverisë, apo duhet parë nga opozita si triumf i një kauze të fituar?
Që ta them me dy fjalë. Ikja e Xhafajt e lehtëson disi maxhorancën prej ngarkesës që ka marrë për lidhjet me krimin dhe me trafiqet. Dhe duket sikur prej ballonit të qeverisë së Edi Ramës kanë hedhur një thes me rërë që të mos binte dhe për të vijuar disi fluturimin.Dhe jam i sigurt se ata që dinë më shumë nga politika dhe që kanë mbetur ende në PD, këtë gjë e kuptojnë shumë mirë, sepse e shoh nga reagimet e tyre nervoze. Kjo natyrisht nuk ka lidhje fare me performancën reale të Fatmir Xhafajt si ministër, por me faktin që ai ishte lehtësisht i atakueshëm për shkak të historisë së të vëllait.
Gjë që nuk mund ta thuash më për emrin e ri që ka propozuar Rama, CV-ja e të cilit nuk ka ndonjë cen, për t’u bërë target i sulmeve të opozitës. Por tek e fundit, kjo tashmë është një histori e mbyllur dhe opozita duhet të përshtatet me këtë realitet të ri. Në finale, Edi Rama ka humbur dy ministra të Brendshëm, njëri pas tjetrit, të cilët kanë ikur duke mbajtur mbi supe akuza të ngjashme.
Nuk ka rëndësi koha dhe mënyra se si janë larguar. Edhe sikur aksident po t’u kishte ndodhur, do të quhej se edhe opozita e kishte një meritë. Jo në rastin që ajo kishte bërë shumë në denoncimin e të dyve dhe nuk kishte pse të mos e konsideronte këtë edhe si produkt të saj.
Ju keni folur vazhdimisht për paktine 17 majit mes Ramës dhe Bashës. A është sulmi ndaj Xhafajt, një ministër i mbështetur nga ndërkombëtarët dhe jo plotësisht në kontrollin e Ramës, një fakt?
Jo. Unë nuk jam aq naiv sa të mendoj se Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë bërë një marrëveshje të përjetshme më 17 maj. Në politikë nuk ka të tilla. Atëherë ata kishin përpara një hall të momentit dhe e zgjidhën, secili në mënyrën e vet. Njëri fitoi thellë zgjedhjet dhe mori i vetëm timonin, ndërsa tjetri u kënaq me ca thërrime pushteti dhe me faktin që pastroi partinë e vet kur bëri listën. Unë e besoj që Basha sot është i mërzitur dhe e ka sinqerisht kur thotë se do ta rrëzojë Edi Ramën që t’i zërë vendin, sepse ajo që fiton në opozitë është shumë më e vogël se ajo që do të fitonte po të ishte në pushtet. Aritmetikë e thjeshtë është.
Por, sipas meje, Lulzim Basha dhe Edi Rama nuk kanë nevojë që të nënshkruajnë apo t’i betohen njëri-tjetrit për ta ruajtur të paprekur këtë sistem të kalbur dhe të korruptuar, që prodhon përbindësha politikë. Ata merren vesh për bukuri në distancë për këtë pikë, edhe sikur mos të takohen apo të flasin më kurrë në telefon bashkë.
Dhe pikërisht kjo është sipas meje marrëveshja reale midis tyre, e pashkruar, që ka nisur më 17 maj e nuk dihet sa do të zgjasë. U bënë shumë vjet që PD-ja e Lulzim Bashës bën gjithçka që t’i ikë temës së reformës zgjedhore dhe jam i sigurt që e radikalizon qëllimisht situatën politike, që sistemi të mos preket dhe ndryshimet e nevojshme të mos bëhen. I njëjti teatër po luhet edhe tani, kur të gjithë i largohen atij argumenti dhe dëgjohet vetëm ndonjë zë i mekur që vjen nga aleatët e vegjël të PD-së, i cili bëhet përherë e më i zbehtë.Por e them me siguri, që sa më shumë të ruhet ky pakt i pistë, aq më shumë kosto do të ketë, jo vetëm Partia Demokratike, por e gjithë shoqëria shqiptare.
Në këtë kuptim, unë nuk besoj te një konspiracion mes Ramës dhe Bashës për të goditur Fatmir Xhafajn, sepse zakonisht pazar ka atëherë kur të dyja palët përfitojnë diçka. Nëse Ramës mund t’i ketë interesuar dorëheqja e ministrit, relativisht jashtë kontrollit të vet, Bashës nuk besoj se i leverdiste të kishte Sandër Lleshin “e virgjër” përballë Fatmir Xhafajt, pasi i kishte ngarkuar këtij të fundit një thes me mëkate mbi shpinë. Largimi i Xhafajt erdhi në një moment që Policia kishte finalizuar një aksion, i cili çoi pas hekurave dy ish-deputetë socialistë dhe pretendohet se po kaq i rrezikuar është edhe një kryebashkiak.
A mendoni se ka lidhje largimi i Xhafajt me këto zhvillime dhe sidomos me përgjimet ndaj Dakos?
Po, besoj se ka një lidhje me aksionin e madh të Policisë. Në kuptimin që Xhafaj, përpara se të ikte ka dashur të kishte një trofe, me aq sa mund të konsiderohet këtu goditja e disa grupeve kriminale dhe e disa politikanëve afër pushtetit. Si për të treguar që po e bënte si ata trajnerët që largohen nga drejtimi i skuadrës pasi marrin rezultat të mirë. Në Shqipëri nuk ta quajnë shumë këtë, por ashtu me sa duket e ka menduar ai. Ndërkohë, nuk gjej ndonjë arsye që dorëheqja e Fatmir Xhafajt të jetë ndikuar nga përgjimet apo dosja e Vangjush Dakos. Sepse, nëse ka diçka serioze në të, ajo mund të hetohet dhe zbardhet njësoj, pavarësisht dhe kushdo qoftë ministri i Brendshëm.
Sepse kjo puna e dorëheqjeve apo shkarkimeve politike nuk është me normë, që dikur mbushet numri dhe mund të shpëtosh edhe po të kapesh. Aq më tepër për atë që ka në dorë opozita, e cila ku ta gjejë t’i rrëzojë dhe bëjë kapicë të gjitha peshat e rënda të kundërshtarit të vet politik.
Opozita ka zgjedhur të bojkotojë Kuvendin duke vendosur vetingun në politikë dhe kushtet e saj për Reformën Zgjedhore për t’u rikthyer. Si e shikoni këtë strategji dhe a mendoni se opozita po shkon drejt bojkotit të zgjedhjeve lokale me Ramën Kryeministër?
Ajo që unë arrij të shquaj nga lëvizjet e Lulzim Bashës është fakti që opozita e drejtuar prej tij nuk ka asgjë të qartë se ku do të mbërrijë. Do të kishte qenë më mirë që të kishte një strategji, qoftë edhe të gabuar, se sa kështu, duke ecur kuturu, ku ta çojë rrjedha. Nuk arrij ta kuptoj se pse duhet që të ketë patjetër një fabul apo një personazh për të treguar që Edi Rama po qeveris keq, sepse shikoj që sapo iku Xhafaj, po vrapojnë të gjithë të demonizojnë Gjushin.
Dakord, le ta bëjnë, nëse mendojnë se populli nuk e merr vesh ndryshe atë që po ndodh, përveçse me telenovela. Por ndërkohë, të bëjnë edhe ndonjë punë tjetër, sepse Shqipëria ka edhe halle të tjera përveç përgjimeve.Dhe mbi të gjitha, të tregojnë me akte dhe me gjeste se pushteti i nesërm do të jetë ndryshe, sepse sa kohë që të krijohet perceptimi se të gjitha palët janë njësoj, qeveria fiton gjithmonë.
Ti mund të rritesh depresionin në një vend duke treguar se sa i keq është pushteti, por nuk do ta zgjosh kurrë shpresën, po nuk tregove se je i ndryshëm prej atyre që qeverisin.Dhe kjo bëhet vetëm nëse je i vërtetë. Ka një keqkuptim të madh tek opozita zyrtare se mjafton të rrëfesh pafund histori ku baltoset kundërshtari, por pak rëndësi ka e vërteta. Për mua nuk ka dëm më të madh që mund t’u bëhet kauzave opozitare sesa të tregosh gjëra të paqena apo gjysmë të vërteta, për të mos shkuar te gënjeshtrat fare. Ndërkohë që kjo qeveri nuk të krijon asnjë vështirësi për të qëmtuar dhe pastaj treguar pa asnjë shtesë apo zbukurim dhjetëra skandale korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin.Kur edhe pak muaj na ndajnë nga ballafaqimi më i afërt elektoral, populli i opozitës është më konfuz se kurrë për të ardhmen e vet politike.
Askush nuk e di nëse do kthehet apo jo më në Parlament Luli dhe Monika, do shkohet në zgjedhje lokale, do të detyrohet qeveria që të bëhen zgjedhje të parakohshme bashkë me ato vendore apo nuk do hyhet në zgjedhje fare. Të thuash që nuk shkohet në zgjedhje me Edi Ramën, është një “deja vu” e shëmtuar e 2017-ës, dhe të gjithë e kanë të freskët se si përfundoi. Po të më pyesnim mua, do thosha që në zgjedhje do të shkoja edhe sikur Kryeministër të ishte Hitleri dhe opozita do t’i fitojë thellë ato.Por natyrisht, asnjë fitore nuk vjen duke pritur që kundërshtari të bjerë vetë.
Nëse kjo çështja e vetingut të politikanëve po përdoret si sebep për të anashkaluar Reformën Zgjedhore, është e sigurt që kjo mund t’i interesojë vetëm Lulzim Bashës si individ, por në asnjë rast Partisë Demokratike dhe opozitës. Kam bindje se ruajtja e këtij sistemi politik e favorizon shumë Ramën dhe Partinë Socialiste, gjë që do të ishte goditje shumë e rëndë për opozitën. Dhe e vetmja gjë që do të përfitohej prej saj, do të ishte ruajtja e të drejtës së Lulzim Bashës për të bërë prapë listën e deputetëve apo të kryebashkiakëve të Partisë Demokratike. Mbase ka njerëz ende në PD apo në opozitë që mendojnë se ia vlen të bëhet kjo sakrificë. Unë për vete e konsideroj fundin e botës.
Paraqisni një panoramë të zymtë për aksionin politik të opozitës dhe perspektivën e saj. Nuk e keni problem se opinionet tuaja mund të paragjykohen si subjektive për shkak të raportit të keq me Lulzim Bashën?
Jo, aspak. Nuk shqetësohem fare për këtë. Unë jam i çliruar tashmë nga çdo përgjegjësi dhe nga çdo konflikt interesi në atë parti dhe kjo më ndihmon që të jem më i ftohtë dhe më i qartë në gjykim. E kam deklaruar prej muajsh që nuk pres më që të kem ndonjë post apo luaj ndonjë rol atje, sepse e konsideroj që PD-ja është shndërruar në një ndërmarrje personale. Në këtë kuptim, unë mbetem një zë i lirë dhe qytetar i angazhuar që nuk ka detyrime apo pengesa për të thënë të vërtetën. Nuk është e vërtetë që me Lulzim Bashën kam një raport të keq, sepse në fakt nuk kam raport fare me të. Kjo më ndihmon të jem i drejtpërdrejtë kur e kritikoj, por po aq nuk më pengon t’i jap të drejtë atij nëse do të thotë apo bëjë diçka të mirë. Do të më pëlqente shumë të mos flisja apo shkruaja kurrë për të, për shumë arsye, por kjo është e pamundur për sa kohë atë do ta lejojnë të qëndrojë në krye të Partisë Demokratike, duke zvarritur dhe mbajtur peng jo vetëm fatet e opozitës, por të gjithë shoqërisë shqiptare, në vështirësi ekstreme nga keqqeverisja e Edi Ramës.
/b.d