Italia i siguron Shqipërisë mbështetje për trajtimin e të sëmurëve me hemofili. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Ogerta Manastirliu mori pjesë sot në një tryeze pune ne Senatin Italian, për shkëmbimin e eksperiencave dhe bashkëpunimin mes vendeve për sëmundjet e lindura të gjakut.
“Jetëgjatësia dhe trajtimi i pacientëve me hemoglobinopatite ka ndryshuar cilësisht vitet e fundit në Shqipëri, por kemi ende shumë për të bërë sa i takon profilaksisë dhe identifikimit të hershëm të sëmundjeve të lindura të gjakut”, tha Manastirliu në fjalën e saj në këtë tryezë.
Ministrja Manastirliu vlerësoi mbështetjen e Italisë për të siguruar ndihmë konkrete për sigurimin e faktorit VIII, i cili është jetik për të sëmurët hemofilikë.
Seanca drejtohej nga z. Pier Paolo Sileri, president i Komisionit të Shëndetësisë në Senatin Italian, ku merrte pjesë gjithashtu edhe nënsektretari i shtetit, z. Armando Bartolazzi, zëvendës sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë në Itali.
Me Bartolazzi, më herët, Ministrja Manastirliu zhvilloi një takim zyrtar, ku palët u dakordësuan për forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të ndërsjelltë midis Shqipërisë dhe Italisë per shendetin publik, ne fushen farmaceutike, bashkepunimin mes spitaleve, edukimin dhe trajnimi e mjekëve.
Bashkëpunimi do të formalizohet me marrëveshjen e re mes dy vendeve tona, e cila pritet të firmoset së shpejti nga ministrat respektivë të Shëndetësisë.
Takimet e zhvilluara sot në shtetin fqinj, janë në kuadër të projekteve të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sëmundjeve të lindura të gjakut, ku Shqipëria është përfituese e faktorëve antikoagues, në sajë të bashkëpunimit mes Ministrisë Shëndetësisë, Rajonin e Toskanës dhe Spitalit Universitar “Meyer” në Firenze.