Vendimi i miratuar sot në kuvend për mbylljen e kazinove, basteve sportive, bastet e garave, sallat e bingove dhe lojërave online brenda 31 dhjetorit, shërben si instrument për të luftuar krimin.
Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj deklaroi në një nga programet televizive të mbrëmjes se ky vendim ka dy korsi.
“Ka një reflektim shoqëror, ka një reaksion ndaj përhapjes së fenomenit dhe kthimit të tij në një plagë sociale. Një pjesë e lojërave të fatit ranë në duar që ishin të papërshtatshëm, në duar të elementëve kriminale. Këtë e vumë re gjatë këtij viti, nga sondazhet, por edhe nga të gjitha institucionet e inteligjencës të vendit dhe të huaja, për terrenin që gjenin elementët kriminalë në lojërat e fatit. 2018-ta kulmoi në atë angazhim që ka qeveria edhe në luftën kundër krimit. Mos e shikoni thjesht si një mbyllje e një industrie, por ta shohim edhe si një reflektim të qeverisë. Ka dy korsi kryesore, njëra është pjesa sociale dhe pjesa tjetër është lufta kundër krimit”, u shpreh Ahmetaj.
Ahmetaj theksoi se “me ligjin e miratuar sot, në 31 dhjetor kazinotë bastet sportive, bastet për gara, sallat e bingove dhe lojërat online, mbyllen ne 31 dhjetor”.
“Brenda basteve kanë gjetur strehë elementë kriminale”, – përfundoi ministri.
/b.d