41 drejtues të shërbimeve mjekësore universitare në QSUT do t’i nënshtrohen garës. Shpallen kriteret e vlerësimit, dokumentacioni dhe datat e konkursit për drejtues të shërbimit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Shpallja e bërë për vendet vakante specifikon se aplikantët duhet të kenë eksperiencë jo më pak se 10 vjet në specialitetin përkatës të shërbimit për të cilin konkurrojnë. Gjithashtu, një kriter tjetër që kandidatët duhet të plotësojnë është paraqitja e një projekti 4-vjeçar për zhvillimin dhe drejtimin e shërbimit, që do të shërbejë si bazë për vlerësimin e punës së drejtuesit të ardhshëm të shërbimit që i ka paraqitur ato.
Përzgjedhja e kandidaturave për drejtues të shërbimit në strukturat shëndetësore do të jetë e hapur deri më 5 nëntor.
Sa i përket dokumentacionit, ky i fundit do të dorëzohet pranë zyrës së burimeve njerëzore të Fakultetit të Mjekësisë. Data e zhvillimit të konkurimit do të jetë data 19 nëntor dhe në vijim.
/b.d