Nga Eduard Zaloshnja
Në qoftë se e vë majën e kompasit në një pikë çfarëdo të hartave të qyteteve shqiptare dhe vizaton një rreth me rreze 100 metra, brenda rrethit do të gjesh 7-8 pika bastesh sportive. Janë shumë, rreth 4500 në gjithë Shqipërinë. Për t’i pakësuar ato, qeveria përgatiti një projektligj para disa vitesh, por miratimi dhe zbatimi i tij u shty herë pas here. Dhe fare papritmas, Edi Rama deklaroi se nuk do të ketë pakësim të pikave të basteve sportive, por mbyllje tërësore të tyre!
Dhe pas asaj deklarate të Ramës, kanë filluar të qarkullojnë hipoteza alternative rreth basteve sportive në Shqipëri – gjegjësisht, bastet si monopol shtetëror dhe bastet online. Le t’i analizojmë këto tre alternativa të basteve.
Bastet e lagjeve
Në cilëndo pikë baste të lagjeve të shkosh, sheh një skenë pak a shumë të njëjtë. Një tufë meshkujsh që shohin me pasion ndeshje futbolli, shumë prej tyre me një biletë basti në tavolinë (disa nuk kanë bileta basti, por thjesht shohin ndeshjet, meqë nuk e përballojnë blerjen e paketave sportive të Dixhitalbit apo të Tringut).
Nga të dhënat e kompanive kryesore të basteve, rezulton se rreth 90% e biletave janë deri në vlerën 200 lekë, ndërsa rreth 70% janë deri në vlerën 100 lekë. Me fjalë të tjera, shumica dërrmuese e biletave të basteve është e ngjashme me biletat e lotarisë kudo në botë. Shpenzohen 200 lekë, me shpresën se mund të fitohen 200 mijë ose shpenzohen 100 lekë për 100 mijë.
Ndryshimi nga lotaria është se biletat e lotarisë i blejnë qindra mijëra shqiptarë çdo javë, por vetëm një apo dy fatlumë fitojnë, ndërsa biletat e vogla të basteve sportive i blejnë dhjetëra mijëra shqiptarë çdo javë, dhe shumë prej tyre janë bileta fituese (rreth 6% e biletave deri në 200 lekë dhe rreth 3% e biletave deri në 100 lekë).
Në një shtet diktatorial (si Koreja e Veriut, për shembull), nuk lejohet as lotaria, as bastet, as bingo e as çdo lloj loje tjetër fati. Por në botën demokratike këto lejohen, sepse si bileta e lotarisë, si bileta e bastit, apo e bingos shihen si një shpenzim i vogël i të varfërve, për të blerë një ëndërr. Dikush që shpenzon 1 dollar për biletë lotarie, basti apo bingoje ka blerë faktikisht ëndrrën se mund të fitojë miliona, në qoftë se bileta është fituese. Dhe kur ajo nuk rezulton fituese, ai dikush blen biletën e radhës, me shpresën se fatin e fituesit të fundit, që mund të jetë dikush në tavolinën ngjitur apo dikush që e sheh në televizor (në rastin e lotarisë apo bingos), do ta ketë edhe ai me biletën e radhës.
Po me 10-përqindëshin e biletave të basteve mbi 200 lekë, si është puna? Nga të dhënat e kompanive shqiptare të basteve rezulton se shumica e biletave të mëdha blihen në faqen online të tyre. Pra, pa shkuar fizikisht në pikat e basteve për çdo ndeshje (lojtarët derdhin një shumë të caktuar tek kompanitë e basteve dhe luajnë online nga celulari apo kompjuteri i tyre). Dhe është provuar se bastet e vëna online përbëjnë formën më adiktive të bixhozit – në 1/10 e sekondës mund ta vësh një bast online. Ndërsa vajtja në pikën e basteve për çdo ndeshje e pakëson probabilitetin e luajtjes së shumave të mëdha, ngaqë mund të ndikojë edhe mungesa e privatësisë në një lokal plot me njerëz të njohur që shohin ndeshjet.
Dhe këtu kthehemi tek pikat e basteve në lagje. Në to punësohen mbi 11000 punonjës (mesatarisht nga 2.5 për lokal), për të mos përmendur pastrueset që punojnë me kohë të pjesshme në to. Në total, behët fjalë për mbi 50 milionë dollarë rroga në vit. Qiradhënësit e vegjël të lokaleve sigurojnë rreth 60 milionë dollarë në vit nga qiratë e tyre, me të cilat sigurojnë të ardhura të qëndrueshme për familjet. Një mbyllje e të gjithë pikave të basteve do t’i jepte kërkesës konsumatore një goditje prej 110 milionë dollarësh në vit. Me fjalë të tjera, një kufizim i pikave të basteve, dhe jo mbyllje tërësore e tyre, do të ishte më e arsyeshme në nivel makroekonomik.
Bastet monopol
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë në Kuvendin e Shqipërisë ka hedhur idenë e krijimit të monopolit shtetëror për bastet. Në pamje të parë, kjo përbën një zgjidhje të arsyeshme për problemin e përhapjes së tepruar të pikave të basteve në territorin e Shqipërisë. Një kompani shterore do t’i shpërndante pikat e basteve në distanca të arsyeshme nga njëra tjetra dhe do të rregullonte e kontrollonte sasinë e parave që do të luhej në to. Por si çdo monopol shtetëror, do të kishte problemet e mirënjohura të administrimit shtetëror.
Së pari, do të linte pa punë 11 mijë punonjësit aktualë të pikave të basteve, për të futur në punë militantët e partisë në pushtet. Dhe nga militantët nuk mund të presësh eficencë… Së dyti, një ndërmarrje shtetërore bastesh do të vuante nga korrupsioni – gjë që e ka provuar historia e ndërmarrjeve shtetërore kudo në botë. Së treti, menazhimi i ndërmarrjes shtetërore të basteve nuk do të ishte kurrë aq i mirë sa i kompanive private. Këto të fundit janë më eficiente, për sa kohë mbikëqyren mirë nga shteti, si për shpërndarjen e pikave të basteve, edhe për dispozitat financiare.
Bastet online
Në qoftë se pas 1 janarit nuk do të ketë më pika bastesh në Shqipëri – as private e as shtetërore – bastaxhinjtë e mirëfilltë (jo ata dhjetëra mijërat që blejnë bileta të vogla) do të zhvendosen tërësisht online. Ata do të vazhdojnë t’i luajnë shumat e mëdha në BastArena, Bet365, apo në dhjetëra faqe të tjera bastesh online. Dhe në fakt, këta bixhozxhinj janë problemi shoqëror i basteve. Sepse janë ata që luajnë me shuma të mëdha, dhe që do të vazhdojnë të luajnë online me shpejtësinë e internetit, duke lënë peng shtëpitë dhe jetët e tyre familjare. Ndërsa blerësit aktualë të biletave të vogla do të mbeten pa pikën e basteve të lagjes, ku harrojnë për disa orë hallet e tyre, duke parë me endje futboll dhe duke ëndërruar se bileta e tyre 100-lekëshe do t’u sjellë 1 milion…
/AFP.al