Miq, pije e muzikë e mirë. Emra të njohur të jetës publike që shfaqen në një dimension krejt ndryshe e të lirë. Si mund të jetë një rrëfim me një gotë vere para, me tinguj pianoje në sfond dhe me miq të mirë përreth, në një mbrëmje?
Ka nisur të mërkurën në Top Channel programi “Soiree”, me autore Alda Bida e Jonida Shehu, formati më i ri në ekranet shqiptare, që thyen rregullat strikte të bisedave të darkës.Jonida mikpret miq të cilët ndajnë me teleshikuesin, kohë cilësore. Artan Lame, Leonard Solis, Rovena Dilo, Armand Peza, Arvin Kita dhe Ilnisa Agolli kanë ndarë me publikun momente të parrëfyera nga jeta e tyre personale e profesionale.
Nga batutat në mbledhje qeverie me Fatos Nanon të sjella nga Solis, te ato të Lames “që kush ka letra” nuk zgjidh gjë në vendin tonë, te kujtimet e kahershme të Pezës e Kitës mbrëmja solli ndryshe secilin prej tyre, në një bisedë “pa kravatë”. Këngët dhe kujtimet me to krijojnë një tjetër atmosferë.
Të lirshëm si në “Soiree-të” e viteve 1930 të ndikuara nga kultura franceze e pritjeve, secili i ftuar vjen ndryshe çdo javë. Mbrëmë Jonida tregoi se do mbledhë çdo javë miq për të bërë me ta biseda nga më të ndryshmet, për të besuar sekrete e çaste nga jeta që kanë qenë larg vëmendjes së publikut, mes muzikës e kërcimit të të ftuarve që tanimë flasin me verë e kokteile përpara ose vallëzojnë këngën që duan nën tingujt e Gent Rushit dhe zërave të Marsela Çibukaj e Kamela Islamaj.
Programi që vë në vëmendje gjendjen emocionale dhe komoditetin për t’u ndjerë si në shtëpi për secilin të ftuar i prezanton publikut një mbrëmje ndryshe ku edhe ai ndjehet i ftuar mes emocioneve të personazheve publikë që të lodhur nga ditët e tyre dhe rutina e pandryshuar një darkë i lënë pas të gjitha për të qenë kaq njerëzor e të prekshëm në ekran.