Fatmir Limaj në një intervistë për Rubikon të KTV-së foli për qëndrimin e tij karshi qëndrueshmërisë së koalicionit dhe punën e qeverisë.
I pyetur nëse ndan mendimin e njëjtë me Jakup Krasniqi, i cili është kryetar i këshillit kombëtar të Nismës dhe një ndër themeluesit e partisë, se kryeministri do të duhej të ofronte dorëheqjen, Limaj tha se me Krasniqin ndajnë opinionet dhe shqetësimet e njëjta.
“Ne ndajmë shqetësimet e përbashkëta në të gjitha analizat me z. Krasniqin aty ku është vendi. Absolutisht të gjitha. Edhe opinionet dhe sugjerimet për të ardhmen i kemi të njëjta për faktin se për këto fenomene jemi të shqetësuar dhe kemi qëndrim ndryshe nga të tjerët. Nuk bëjmë kalkulime të ngushta partiake.
Krasniqi nga profili i tij jep parashikime, mendime të pakufizuara. Natyrisht që jemi në përputhje të plotë me vizionin, qëndrimin dhe angazhimin e përbashkët”, është shprehur ai. (b.an)