Policia spanjolle ka hedhur dritë mbi një ngjarje të rëndë kriminale, ku ka zbuluar trupin e pajetë të një shqiptari, i cili rezultonte i zhdukur që nga qershori i vitit 2017 në Barcelonë.
Një vit më parë, ishte një grua moldave ajo e cila u paraqit në polici për të denoncuar për zhdukjen e shqiptarit. Shqiptari i zhdukur kishte marrë me qira një banesë tek moldavja, ndërsa kjo e fundit iu drejtua policisë pasi është ndjerë e shqetësuar për fatin e shqiptarit, i cili kishte lënë sendet personale në banesë.
Pas kësaj ngjarjeje, ka qenë edhe babai i shqiptarit, ku një muaj pas zhdukjes së djalit, ai shkoi në polici. Siç raportojnë mediat spanjolle, bëhet me dije se babai kishte kallëzuar në polici se djali bashkëjetonte me moldaven, përcjell “elnacional.cat”.
Kështu hetuesit dyshuan për krim pasioni, pasi moldavja nuk tregoi asnjë detaj të ketë qenë e lidhur me shqiptarin. Pas kontrolleve të imtësishme dhe hetimeve të zgjatura, policia spanjolle zbuloi detaje të reja duke dalë në përfundimin se kishte të bënte me një organizatë kriminale të trafikimit të drogës, ku pjesë e saj ishte edhe moldavja.
Siç raportojnë autoritetet spanjolle, pjesëtarët kishin një rrjet biznesesh, të cilat përdoreshin për të fshehur aktivitetin e tyre kriminal. Për këtë ngjarja, autoritetet bënë të mundur arrestimin e tre personave, ku dyshohet se kanë lidhje të drejtpërdrejtë në zhdukjen e shqiptarit.
Sakaq, në mesin e të arrestuarve është edhe shtetasja moldave, e cila ishte partnere me shqiptarin në këtë grup kriminal. Trupi i shqiptarit të zhdukur u zbulua i groposur në një zonë industriale, ku pas ekspertizës mjeko-ligjore, është vërtetuar se trupi i përkiste shqiptari.
Mediat dhe autoritetet nuk kanë dhënë asnjë detaj për identiteti e tij. Pas kësaj, në pranga të policisë spanjolle kanë përfunduar edhe 9 persona të tjerë, të cilët rezultojnë si kultivues lëndësh narkotike, ku pjesë e tyre ishte edhe partnerja e shqiptarit. Çudia ka ndodhur pikërisht me moldaven, e cila nga një denoncuese që ishte në fillim, në fund të hetimeve rezultoi të ketë gisht në groposjen e shqiptarit./BW