Nga Carlo Bollino
Ka një dëshmitare kyç dhe të paktën tre dokumente, që mund të konfirmojnë apo të përgënjeshtrojnë përfundimisht akuzat e Emiljano Nuhut, ish-oficerit të Policisë që pretendon se i janë bërë kërcënime me vdekje më 21 korrik në darkë, ndërsa përpiqej të arrestonte Rexhep Rrajën, të birin e deputetit socialist të akuzuar se ka rrahur dhe përndjekur Xhisiela Malokun.
Ndryshe nga sa ndodhi me “rastin Babale”, kur vërtetimi i është lënë një ekspertize zanore me një interpretim të dyshimtë, kësaj here fjala e Nuhut, dëshmitarit të ri të Akuzës të hedhur në fushë nga opozita, mund të verifikohet në mënyrë të qartë dhe të padiskutueshme.
Dëshmitarja kyç është prokurorja kurajoze e Krujës, Mirela Kapo, që po zhvillon hetimet dhe që të dielën urdhëroi arrestimin e Rexhep Rrajës: në letrën dërguar autoriteteve shqiptare më 14 gusht, para se të arratisej jashtë shtetit duke kërkuar azil, në fakt Emiljano Nuhu shkruan se në mbrëmjen e 21 korrikut 2018 mori në telefon urdhërin nga prokurorja Mirela Kapo që të arrestonte në flagrancë Rexhep Rrajën.
Sipas tij, ishte pikërisht për të shmangur arrestimin, që djali i deputetit ka lajmëruar të jatin, Rrahman Rraja, që pastaj ka mbërritur me armë në dorë në Komisariatin e Fushe Krujes i shoqëruar nga kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi, nga kryetari i grupit socialist Taulant Balla e nja dhjetë njerëz të tjerë kërcënues.
Policia pretendon se ky version është i gënjeshtërt, pasi më 21 korrik Emiljano Nuhu nuk ndodhej me shërbim në Fushë Krujë dhe, sipas imazheve të regjistruara nga telekamerat e sigurisë së Komisariatit, asnjë nga politikanët e përmendur në letër nuk ka qenë në rajonin e Policisë.
Nuhu e ka parashikuar edhe këtë kundërshtim, duke hamendësuar se imazhet e Komisariatit janë manipuluar. Por, ato që nuk mund të manipulohen janë tabulatet e telefonit të Mirela Kapos, ato të telefonit të Emiljano Nuhut dhe ato të drejtorit të Policisë së Krujës, të gjitha këto 3 dokumenta elektronike në duar të shoqërive telefonike dhe që prokuroria e Tiranës duhet të kërkojë.
A është e vërtetë që mbrëmjen e datës 21 korrik prokurorja Mirela Kapo ka marrë një telefonatë nga Emiljano Nuhu? Dhe çfarë do të thotë Mirela Kapo kur do të dëgjohet nga Prokuroria e Tiranës se po heton mbi kërcënimet e pretenduara që i janë bërë Nuhut? A do të konfirmojë se i ka dhënë Nuhut urdhërin me telefon që të arrestojë djalin e deputetit, urdhër që do të shkaktonte më pas reagimin e dhunshëm të fisit politik të Rexhep Rrajës?
Dhe në rast se gjërat do të kishin shkuar sikurse tregon Nuhu, a ka gjurmë në tabulatet edhe të telefonatës së dytë, me të cilën Nuhu pretendon se ka informuar prokuroren Mirela Kapo se arrestimi nuk ishte bërë për shkak të ndërhyrjes së grupit të njerëzve të armatosur? Dhe a ka në tabulatet e telefonit të drejtorit të Policisë së Krujës gjurmë të regjistruara të bisedave me Emiljano Nuhun, që ai pretendon se ka bërë po atë mbrëmje të 21 korrikut, duke kërkuar përforcime për të arrestuar Rexhepin?
Aspekti politik i historisë “Xhisiela” në të vërtetë rrotullohet rreth kësaj pike. Në rast se Prokuroria e Tiranës vërteton se Emiljano Nuhu dhe Mirela Kapo mbrëmjen e 21 korrikut nuk kanë komunikuar mes tyre dhe se prokurorja më pas nuk urdhëroi Nuhun dhe asnjë tjetër që të arrestonte Rexhep Rrajën, e gjithë historia e kërcënimeve politike e ngritur nga ish-polici në kërkim të azilit politik shkërmoqet si një kështjellë prej rëre. Siç e kemi parë, do të jetë shumë e thjeshtë të verifikohet dhe askush s’do të mundë të sajojë alibi për të thënë se nuk është e qartë se si qendron e vërteta.
Madje, vetë Nuhu, kur bëri më 30 korrik një kallzim në Komisariatin 6 të Tiranës, duke denoncuar se ishte kërcënuar pasi po hetonte çështjen e Xhisielës, nuk i referohet aspak episodit të 21 korrikut. Kufizohet vetëm të thotë se pasditen e 30 korrikut dy kushërinj të Rexhep Rrajës, Redian dhe Ramazan Rraja, e kanë kontaktuar nëpërmjet what’s up-it, duke kërkuar ta takonin në Tiranë.
Dhe, gjatë këtij takimi, që u zhvillua në lokalin “Richmond”, këta të dy e kanë kërcënuar deri në atë pikë, sa ta detyronin të hiqte dorë nga hetimi dhe dy javë më pas të arratisej jashtë shtetit në kërkim të azilit. Pse në kallzimin e 30 korrikut Emiljano Nuhu nuk përmend në asnjë rast edhe kërcënimet që kishte marrë nëntë ditë më parë?
As në mesazhin e “qytetarit dixhital” të publikuar nga Sali Berisha më 29 korrik (dhe burimi i të cilit duket të ketë qenë pikërisht Emiljano Nuhu) nuk përmendet në asnjë rast sulmi i armatosur i 21 korrikut: mesazhi është plot me detaje mbi dhunën ndaj Xhisielës nga ana e Rexhep Rrajës, por nuk lexohet as edhe një rresht i vetëm mbi hyrjen e njerëzve të armatosur në Komisariatin e Fushë Krujës.
Pse? Sipas Policisë që heton mbi këtë çështje, këto kërcënime me armë në të vërtetë nuk kanë ekzistuar dhe Emiljano Nuhu ka vendosur t’i shpikë ato vetëm para se të arratisej, në mes të gushtit, për ta bërë më të besueshme dhe solide kërkesën për azil politik. Ja pse në asnjë denoncim të shpërndarë apo të dorëzuar prej tij para 14 gushtit nuk është folur kurrë për këtë.
Të verifikosh me saktësi se çfarë ka ndodhur me të vërtetë mbrëmjen e 21 korrikut në Komisariatin e Fushë Krujës është thelbësore, pasi do të shërbejë për të provuar sinqeritetin e Emiljano Nuhut dhe për të treguar apo për të përgënjeshtruar në mënyrë të qartë implikimin e drejtuesve të rëndësishëm socialistë në këtë skandal dhune dhe perndjekje.
Të zbulosh të vërtetën mbi mbrëmjen e 21 korrikut do të shërbejë edhe për t’i dhënë sërish pak qetësi Xhisiela Malokut, e detyruar prej ditësh tashmë, jo vetëm të luftojë me fantazmat e dhunës së pësuar dhe të një dashurie të sëmurë, por edhe të përballojë një linçim fizik e moral nga ana e atyre politikaneve e gazetareve që pretendojnë t’i nxjerrin me çdo kusht një “të vërtetë”, që ajo nuk ka ndërmend ta pohojë.
Në rast se politika del jashtë skene, ndoshta Xhisiela do të mundë të fillojë të bëjë përsëri një jetë larg prozhektorëve, me një mbështetje që sot Shteti ka detyrimin t’ia japë dhe me impenjimin se do t’i jepet më në fund drejtësi, bashkë me pak respekt.
Inkuizitori Andi Bushati: Torturojeni Xhisielën, se kështu çlirohet
Andi Bushati po e ndjek këmba-këmbës historinë e Xhisielës, jo se është i interesuar për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, por se shpreson që të gjejë prova, të cilat të konfirmojnë akuzat e Emiljano Nuhut. Vetëm se ajo që kërkon ai, bie ndesh me Xhisiela Malokun, e cila nuk dëshiron të bashkëpunojë dhe nuk pranon të thotë atë çka pret Bushati. Përballë këmbënguljes së saj, Bushati e ka humbur kontrollin, duke i harruar fare rregullat e deontologjisë profesionale, që duhet të respektojë një gazetar. Në sytë e Bushatit, në fakt, Xhisiela Maloku nuk është viktimë e një abuzimi psikologjik dhe e një dhune fizike, por është peng i një grupi kriminal, i cili, me heshtjen e tij, fsheh kriminelë të tjerë, duke u bërë bashkëfajtore.
Pikërisht ashtu sikurse bënin gjykatësit e Inkuizicionit me ata, që mendonin se ishin të pushtuar nga demoni, të cilëve iu bënin tortura mizore vetëm që t’i “çlironin” nga mëkati, edhe Bushati nuk ka dyshime: Kanë bërë mirë Eni Vasili dhe Blendi Fevziu që kanë “torturuar”, me pyetjet e tyre, Xhisielën, për ta detyruar të “pohojë”, ndonëse edhe vetë Bushati, madje, pranon se “evokimi i masakrave që kishte provuar janë një eksperiencë tmerrësisht e dhimbshme”. Por kjo dhimbje, sipas inkuizitorit Bushati, do të shërbejë qw ta çlirojë Xhisielën. Ja çfarë shkruan ai:
”Jo, Xhisiela nuk duhej lënë të gënjente. Alibia e saj duhej demaskuar, sepse ai qe versioni që i kishin servirur përdhunuesit. Varianti i tyre duhej zhbërë, sepse ai qe i vetmi që e mbante ende peng 25-vjeçaren. Përsa kohë Xhisiela do të vazhdojë të përsërisë alibinë e masakruesve të saj, ajo do të vazhdojë të mbetet peng i tyre. Sepse ajo ashtu u duhet. E trembur dhe e kanosur u shërben atyre më mirë. Ndërsa, duke grisur këtë vello të rreme, ajo fiton lirinë reale dhe, bashkë me të, edhe të vërtetën. Në këtë kuptim, zbardhja deri në fund e ngjarjes reale, një pjesë të së cilës e bënë ‘Open’ dhe ‘Opinion’, nuk i ka shërbyer vetëm interesit publik, por edhe vetë Xhisielës, që ende detyrohet të thotë gënjeshtra. Natyrisht, për të nuk qe e lehtë përballja publike me fytyrë, evokimi i masakrave që kishte provuar, ato janë një eksperiencë tmerrësisht e dhimbshme për këdo. Por kjo dhimbje, sado e fortë, nuk kurohet duke e lënë në heshtje, duke bërë sikur faktet nuk ekzistojnë”.
Edhe ta lexosh këtë, të fut frikën. Sikurse shkruan Mero Baze në “Tema”, deontologjia gazetareske do ta ndalonte të intervistohej dikush kur është peng dhe kur dihet që nuk është i lirë të thotë gjithë të vërtetën. Pra nuk përfshihet në detyrat e gazetarit të demaskojë frikën e një pengu. Por, për Bushat-ët nuk ekziston deontolgjia. Për ata ekziston vetëm misioni i inkuzitorëve: ta përshtatësh botën ndaj së vërtetës së tyre unike. Kush guxon të rebelohet ndaj këtij “ligji”, meriton të torturohet dhe, më në fund, të digjet si shtrige në turrën e druve. (Shqiptarja.com)