Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi sot Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha sot në një konferencë për shtyp se “pasi diskutoi mbi zhvillimet ekonomike e monetare në vend dhe mbi ecurinë e pritur të tyre, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi: të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 1.00%; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore në Bankën e Shqipërisë në nivelin 0.10%; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë në nivelin 1.90%”.
Bazuar në trendet aktuale të zhvillimit dhe në faktorët mbështetës të tyre, Banka e Shqipërisë pret rritje të mëtejshme të aktivitetit ekonomik dhe shfrytëzim më të mirë të kapaciteteve prodhuese në horizontin afatmesëm.
“Kursi aktual i politikës monetare është një faktor i rëndësishëm mbështetës i këtyre zhvillimeve dhe nivelet e ulëta të normës bazë të interesit mundësojnë kosto të ulëta financimi”, – tha Sejko.
/b.d