Rreth 30 mijë familje do të përfitojnë nga çeku që do të jepet për bebet, referuar lindjeve për vitin 2017.
Të dhënat u bënë publike nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë një interviste televizive në mbrëmjen e sotme.
“Sot u bë vetëm prezantimi i politikës së re. Ne jemi duke e laboruar një skemë se si do të jepet ky bonus. Do të përpiqemi që ta japim në mënyrë të shpejtë qoftë edhe nëpërmjet sistemeve dixhitale që duam të fusim në maternitete”, – u shpreh ministrja.
Manastriliu bëri të ditur se skema e këtij bonusi është duke u punuar në bashkëpunim me ekspertët e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si një bonus i plotë për familjet.
Sipas saj, shëndeti i fëmijës dhe nënës janë parësore dhe janë prioritet i qeverisë, kjo është edhe arsyeja pse politikat sociale janë të fokusuara pikërisht te përmirësimi i shërbimeve për nënat.
/b.d