Shqipërisë i duhen rreth 450 milionë euro investime në 15 vitet e ardhshme për menaxhim e integruar të mbetjeve urbane. Ministria e Infrastrukturës ka gati një studim, i cili pritet të miratohet. Buxheti i shtetit duhet të mbajë peshën kryesore në investime ndërsa pjesa tjetër i takon pushtetit vendor.
Për 15 vitet e ardhshme qeveria duhet të investojë 260 milionë euro, ndërsa pushteti lokal 180 milionë euro”, sqaron Isa Memia, përfaqësues i ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Strategjia e mbetjeve e ndan Shqipërinë në 10 zona menaxhimi, më e madhja është ajo Tiranë-Durrës, për të cilën deri në 2022-shin duhet të investohen mbi 100 milionë euro, ndërkohë situatës alarmante të plehrave në Durrës qeveria po synon ta zgjidhe me inceneratorin e Tiranës, i cili do të përpunojë dhe mbetjet e qytetit bregdetar.
“Durrësin dhe Tiranë të jenë një zonë për menaxhimin e mbetjeve dhe të shfrytëzohet impanti në kryeqytet. Edhe kostoja do të jetë më e ulët. Jemi në diskutim me Bashkinë e Durrësit që këto qarqe të jenë në zonë më vete”, u shpreh Memia.
Sipas studimit tarifat që duhet të paguajnë qytetarët për trajtimin e plehrave duhet të mbulojë kostot dhe të dy skenarët e publikuar flasin për rritje të çmimit. 80 përqind e të ardhurave do të përballohet nga qytetarët dhe 20 përqind nga bizneset.