Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti me një fjalim Samitin e Paqes “Nelson Mandela” të mbajtur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, që po zhvillohet në Nju-Jork.
“Duke njohur e pranuar periudhën e viteve 2019-2028, si Dekadën e Paqes të Nelson Mandelës, ne si shtete anëtare, angazhohemi për të bërë më shumë përpjekje të përbashkëta duke qenë së bashku përgjegjës ndaj vlerave dhe parimeve të kësaj Deklarate”, – tha Meta.
“Në Shqipëri ne kemi pasur ‘Mandelat’ tonë, të cilët për dekada me radhë gjatë regjimit komunist, janë përndjekur mizorisht e pa mëshirë dhe janë privuar nga liria, për shkak të ideve dhe besimeve të tyre. Por ata mbijetuan për të na treguar dhe për të na inkurajuar që të jemi më tolerantë për besimet, fenë dhe etninë e njëri-tjetrit”, – theksoi Presidenti.
“Ndërsa ne flasim këtu, në mbarë botën ka ende shumë konflikte të dhunshme, si dhe mundësi të ndryshme për luftë që duhet të parandalohen si dhe kriza humanitare që duhen të përballen e tejkalohen. Ka shumë shkelje të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, dhe qëllimi ynë për paqen globale ende nuk është arritur. Në mes të gjitha këtyre dimensioneve të paqëndrueshmërisë, ekziston trashëgimia e njerëzve që kanë luftuar për paqen dhe për një të ardhme paqësore”, – tha Meta.
“Sot ne po kërkojmë mënyra të reja për të promovuar sa më mirë qëndrueshmërinë e paqes dhe për ta përdorur sa më mirë parandalimin e konflikteve në një perspektivë afatgjatë. Në këtë drejtim, Shqipëria vëren se kemi nevojë për një qasje të gjithë shoqërisë njerëzore, të mbështetur nga institucione të forta dhe sundimi i ligjit, siguria njerëzore, zhvillimi përfshirës dhe gëzimi i plotë i të drejtave të njeriut për të gjithë njësoj”, – nënvizoi Kreu i Shtetit.
“Në prag të përvjetorit të 70-të të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, dëshiroj të theksoj se të drejtat e njeriut përbëjnë me të vërtetë një bazë kritike për paqen dhe se elasticiteti ka hedhur spirancën dhe është ankoruar në sinergjitë mes përmbushjes së të drejtave të njeriut dhe bashkëjetesës paqësore në gjirin e shoqërive tona”, – tha Meta.
“Meqenëse të drejtat e njeriut janë universale, ato përbëjnë shtyllën kurrizore të shoqërive tona në ndërtimin e paqes dhe garantimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë. Zbatimi i Axhendës 2030 dhe qëllimi i saj për nxitjen dhe mëkimin e shoqërive paqësore, të drejta dhe gjithëpërfshirëse na çojnë drejt promovimit të parandalimit si një hap i hedhur para nga kultura e paqes dhe e sigurimit të bashkëjetesës paqësore mes kombeve, shoqërive, bashkësive dhe individëve”, – vijoi Meta.
“Miratimi i reformës së Sekretarit të Përgjithshëm mbi Paqen dhe Sigurinë që u mbështet nga Shqipëria, është një qasje e re për t’iu përgjigjur në mënyrë efikase kombeve të brishta dhe shoqërive të cenueshme, për të parandaluar konfliktet dhe për të ndërtuar një paqe sa më të qëndrueshme e të drejtë”, – shtoi ai.
“Unë besoj se nxitja e dialogut politik dhe forcimi i multilateralizmit janë mënyrat më të mira në promovimin e shoqërive globale me bazë rregullash, bazuar në vlerat e të drejtave të njeriut dhe në respektimin e të drejtës ndërkombëtare. “T’u mohosh njerëzve të drejtat e tyre njerëzore, do të thotë që të sfidosh vetë thelbin e njerzillëkut të tyre”, – ky ka qenë mësimi i Nelson Mandelës për të gjithë ne”, – mbylli fjalën e tij, Presidenti Meta.
/b.d