Nga Skënder Minxhozi/
Shkëlqim Fusha mund të jetë sërish fituesi i tenderit për ndërtimin e Teatrit të Ri kombëtar. Këtë rradhë jo me ndonjë truk ligjor të minutës së fundit, e as për shkak se e duan të gjithë brenda maxhorancës. Hapja e garës për ndërtimin e Teatrit, bashkë me rrëzimin formal të ligjit nominal që i jepte biznesmenit në fjalë të drejtën për realizimin e projektit, i jep kësaj kompanie shansin që të jetë fitues edhe i garës së hapur për ndërtimin në fjalë.
Arsyeja?! E tha hapur dhe qartë kryeministri pak ditë më parë në studion e Eni Vasilit. “Do ndodhi që një kompani tjetër duhet të marrë prokurat e pronësisë dhe të vijë të ndërtojë Teatrin”, qe përgjigja e Ramës ndaj pyetjes së intervistueses, se çfarë do të ndodhë me hapjen e tenderit për ndërtimin e Teatrit. E përkthyer nga shqipja në shqip: garuesit e tjerë do të paraqiten tek kompania e përzgjedhur nga qeveria, në cilësinë e pronarit të një pjese të tokës ku do të ndertohet Teatri, për të marrë prokurën e pronësisë. Çka, me një logjikë fare elementare, do të thotë se biznesmeni Fusha mund të bllokojë teorikisht pjesën tjetër të rivalëve, për ta fituar i vetëm tenderin në fund. Kësaj rradhe në rrugë formalisht korrekte dhe pa pasur nevojë për një ligj të dyshimtë e të debatuar pafund.
Kalvari i Teatrit Kombëtar është ndër më të vjetrit në Tiranë. Edhe përplasja e parë, edhe kjo e dyta, ka ardhur ndër të tjera edhe për shkak të një doze të lexueshme imponimi dhe mungese komunikimi me të gjithë atë pjesë të opinionit publik që e ka parë tradicionalisht me dyshim këtë ndërmarrje të vjetër dhe të re të Ramës.
Këtë qëndrim “acid” së fundi e ka nxitur edhe insistimi i maxhorancës për të kaluar me çdo kusht një projektligj i cili përmban brenda edhe emrin e firmës ndërtuese të projektit 30 milion dollarësh. E parë nga interesi i ngushtë i qeverisë, çeshtja e ligjit “Fusha” ka qenë një pasojë e krijuar nga një arrogancë e panevojshme dhe e tepërt, pasi siç shihet, me ose pa garë, kompania me të njëjtin emër i ruan shanset për ta fituar projektin e Teatrit.
Insistimi i shumicës për të imponuar një ligj të diskutueshëm prodhoi jo vetëm keqkuptim e politizim të mëtejshëm në një ambjent të mbarsur me akuza e sherre, por edhe një vonesë tjetër të kotë, e cila thjesht nuk do të egzistonte nëse do të kishim procedura normale gare për ndërtimin e Teatrit Kombëtar.
Pse duhej letra e një burokrateje pa emër në Bruksel, që të kthehej pas një nismë ligjore e debatueshme?! Pse duhej humbur kohë me sherre e votime të tendosura në parlament, kur mund të kryheshin procedura normale ligjore?! Të cilat sërish mund të nxjerrin në të njëjtin përfundim, por pa hije dyshimesh e luftë “për jetë a vdekje” në këmbët e Teatrit?! Një zot e di pse. Ndoshta sepse, siç e thotë një shprehje e vjetër, “disa gjëra nuk ndodhin kurrë… sepse bëhet mirë”!