Çështja e vettingut në politikë ishte në fokus të emisionit “Real Story” në Vizion Plus.
Deputeti i PD Enkeleid Alibeaj deklaroi se vettingu sipas variantit të paraqitur nga PD do të kryhet nga një organ administrativ i pavarur, pa lidhje me politikën.
Ai tha se ky organ do të ketë vetëm fuqi administrative, për të larguar nga politika politikanët që nuk kalojnë testin.
“Në qoftë se nuk e justifikon pasurinë, nëse i dle më shumë se çfarë duhet të merrte, e para ik nga politika. E dyta, ti nuk ikën në shtëpi, se nëse ke pasuri më tepër, o ke vjedhur, o ke bërë korrupsion, o ke xhaxhanë në Amerikë, dy të parat janë vepra penale. Do të thotë, do duhet të shkosh të SPAK dhe BKH”, deklaroi Alibeaj.
Ai tha se procesi administrativ thjesht të nxjerr nga politika. Po ashtu, ALibeaj sqaroi se ky proces do duhet të jetë i pavarur nga vettingu i drejtësisë dhe nën monitorimin e të huajve.
Por, për deputeten e PS Klotilda Bushka Ferhati, vettingu i politik realizohet plotësisht nga organet e reja të drejtësisë. Ajo tha se PD me “draftin e paraqitur ka kopjuar në mënyrë të cunguar pjesë nga reforma në drejtësi”./a.m.