Kushtrim Kadriu nga Lëvizja Vatra ka thënë se qytetarët e Luginës së Preshevës janë vazhdimisht pre e mashtrimeve të liderëve të Kosovës.Ai ka thënë se qytetarët e Luginës së Preshevës shfrytëzohen vetëm për vota nga liderët e Kosovës.
“Gjithmonë i kanë parë vetëm si vota. Votat elektorale të banorëve të dëbuar janë përcaktuese të karriges së kryetarit të komunës së Gjilanit”, ka thënë Kadriu duke shtuar se nuk sheh përkushtim të vërtetë nga Kosova për bashkëngjitje të Luginës, por “vetëm llafe në aspektin elektoral”.
Sipas Kadriut, qytetarët e dëbuar nga Serbia janë rasti i vetëm në botë që janë pa shtetësi. Ai ka thënë se Serbia u kërkon kushte shtesë qytetarëve shqiptarë për shtetësi serbe, ndërsa i detyron të japin edhe dokumente që s’janë nën hetime, duke përjashtuar me fillim ushtarët e UÇPMB-së.
Kadriu ka përmendur një premtim të kryeministrit Ramush Haradinaj për pajisjen e qytetarëve të dëbuar me dokumente identifikimi. Ky premtim, sipas tij, mbeti vetëm i tillë pa u ndërmarrë asnjë hap tjetër.
“Liderët e Luginës e pritën 6 muaj për një takim Isa Mustafën”
Sipas Kushtrim Kadriut të Lëvizjes Vatra, populli i Luginës së Preshevës është mashtruar shpeshherë nga liderët kosovarë.Pos deklarimeve të fundit për korrigjim kufijsh nga presidenti Hashim Thaçi, Kadriu ka thënë se shumë liderë për shumë kohë kanë mashtruar liderët e Luginës.Këtu ka përmendur edhe ish-kryeministrin Isa Mustafa për të cilin ka thënë se liderët e Luginës e kanë pritur gjashtë muaj për një takim të vetëm.
Sipas Kadriut, ideja e fundit e Thaçit që Lugina t’i bashkohet Kosovës ka shkaktuar amulli te qytetarët atje që “s’po dinë kujt t’i besojnë dhe çfarë të bëjnë”.
“Konsideroj se duhet të jenë më të qarta sepse konferencat dhe gurët që po i hedhë vetëm po e rëndojnë skenën në vend dhe jo që po ofrojnë zgjidhje. Të gjitha lëvizjet janë parë me skepticizëm sepse s’po i besojnë më propozimeve që vijnë nga Kosova.
Në vitin 2010 kishte premtuar autostradë që lidh Luginën me Gjilanin premtoi edhe hekurudhë e fonde speciale, por premtimet mbetën vetëm elektorale dhe s’u zbatuan kurrë. Madje liderët e Luginës e pritën 6 muaj për një takim ish-kryeministrin Isa Mustafa”, ka thënë Kadriu në Interaktiv të KTV-së. (b.an)