FRANCË- Shtetasi kosovar Florim Shehu, i cili u kthye në hero pasi shpëtoi nga mbytja në muajin qershor dy familjet fqinje, i është ofruar leja e qëndrimit për një vit. 33-vjeçari shqiptar, i diplomuar për bodybuilter, përveç lejes së qëndrimit mori një çek nga Bashkia, mjaftueshëm për të blerë një makinë pasi ai e la tijën që t’ja merrte rrjedha.
Shehu shpëtoi gjashtë persona gjatë rritjes së nivelit të ujit që përfshinë rajonin e Mayenne-s gjatë fundjavës që lamë pas.
Në fillim, ai u kujdes për fqinjin dhe dy fëmijët të tij të cilët ishin të bllokuar në banesën e tyre për shkak të rritjes së nivelit të ujit. Ai i mori dhe i strehoi në apartamentin e tij një kat më lart.
Më pas Florimi shkoi të ndihmonte dhe fqinjët e tjerë, një çift ukrainas dhe vajzën e tyre. Banesa e tyre ishte e mbushur me ujë, dera ishte e mbyllur dhe për këtë arsye duhej të dilnin prej dritares.
Florimi kishte aplikuar për azil në dhjetor të vitit 2017 në prefekturën e Majuestit, ku edhe jeton me gruan edhe me dy fëmijët e vegjël që nga shtatori 2017. Ishte gruaja e tij, Djellza, 27 vjeç, ajo që mbërriti e para në shtetin francez në 2014 për shkak të problemeve që ajo kishte në Kosovë, dhe një vit më pas Florimi iu bashkëngjit.
Ky është rasti i dytë që shteti francez “shpërblen” personat që kryejnë akte të mira dhe të vlefshme për komunitetin. I pari ishte Mamoudou Gassama, djali i cili u ngjit duke u kacavjerrë deri në katin e katërt, dhe arriti të shpëtonte jetën e një fëmije që po rrëzohej nga ballkoni.
a.ç