Zëri i Enkelejdës, është thuajse i shuar. Lotët nuk i ndalen për asnjë moment. Ka vetëm
pak minuta, që është kthyer nga varrezat, ku prehet Skerdilajd Konomi, bashkëshorti i saj gjykatës, i cili u ekzekutua barbarisht paraditen e 9 shtatorit të 2009.
Ndonëse kanë kaluar shtatë vite, dhimbja nuk i është zbehur aspak. Por, Enkelejdës i është dashur të bëhet e fortë, për dy fëmijët e prindërit e Skerdit, të cilët humbën djalin e vetëm
“Shtatë vite janë si shtatë ditë. Skerdi mungon kudo. Habitem sesi e kam gjetur forcën për t’i përballuar të gjitha”, thotë Enkelejda, mes lotësh. Pas disa minutash heshtje, rrëfen dramën: “Ja kështu ditë e bukur si sot, ishte edhe kur u vra Skerdi. U nis për në punë. ‘Do merrem me dosjet’ – më tha.
Ne nuk dimë ende kush e vrau. Kemi të drejtë ta dimë. Dikush duhet të na e thotë përse dhe kush e vrau Skerdin. S’di nëse ka fjalë për të përshkruar çfarë tronditje pësuam. Prekëm fundin”….
Zëri i të birit, kumbon gjithandej nëpër shtëpi. Ai ishte pak muajsh kur i ati iu ekzekutun ditën për diell në zemër të Vlorës. Është rritur tashmë. Ka nisur shkollën. Megjithatë ka një kërkesë për të ëmën, do ta njohë babanë sa më shumë. “Vajza është bërë e fortë në karakter. U rrit para kohe, pas dramës që na ra. Djali është i vogël, kërkon të shikojë fotot, ta njohë babanë përmes tyre. I kërkon vazhdimisht”, tregon Enkelejda.
Qetësisht e pyes nëse ka shpresë, se autorët e krimit do të ndëshkohen ndonjëherë nga drejtësia. Hesht. Nuk ka shumë për të folur. Duket se me vitet shpresa i është venitur. “Me kohën ikën dhe shpresa. Shpresa vdes e fundit nuk diskutohet, por unë jam bërë shumë pesimiste. Skerdi është harruar. Nuk di se çdo bëjë Vettingu, nëse do ta rihapë dosjen. Por, kjo është një dosje që edhe një që nuk merr vesh nga drejtësia, po ta hapë ja gjen fundit. Çështja e pronave rri atje ku është, arsyen përse nuk e dimë. Vrasësit nuk zbulohen. Gjërat janë të lidhura”, thotë ajo. A ndihesh e frikësuar Enkelejda pas asaj që i ndodhi Skerdit?- “Po – më përgjigjet – kam frikë”.
“Tani kam filluar të mendoj për të ikur nga Shqipëria. Shpresoja shumë se do të vihej drejtësi. Skerdi u përpoq të kërkonte të drejtën. E drejta e jetës është parësore. Pastaj edhe e drejta e pronës. Ai e kërkoi këtë të drejtë dhe i ndodhi gjëma. Ai ishte një shembull për të tjerët, që kushdo që kërkon të drejtën e pronës, ashtu do ta pësojë”, vijon më tej gruaja.
Përpos dhimbjes, Enkelejdës i qeshin sytë, kur kujton ditët me njeriun e zemrës. “10 shtatorin e 13 viteve më parë, ai erdhi dhëndër në shtëpinë time. Unë isha nuse. Rrugëtimi jonë edhe pse i shkurtër, ishte i mbushur me plot dashuri, na e prenë në mes, barbarisht. Skerdi ishte vetëm 33 vjeç. Mbushi 40 në shkurt….”.
Sot Enkelejdës i muungon gjithcka nga Skerdi
Por, Skerdi ishte i pazëvendësueshëm. Jo se ishte bashkëshorti im, por ai ishte shumë
njerëzor, nuk e meritonte këtë fund”/Tiranapost
a.ç