Nga Ben Andoni
Elementi i parë që i lidh të gjitha kancelaritë e shtetit, kur ndodh një krim, është ta vendosë atë në kontekst të një ngjarje të mëparshme, hakmarrje apo hajnije. Kjo e fundit, gjithnjë e më e pranishme si fenomen, për shkak të situatës ekonomike, që nuk i përkthen si duhet mesazhet optimiste të Ministrit të Financave dhe vetë kryeministrit të vendit. Nëse qytetari shqiptar do të kishte kulturën e mjaftueshme ekonomike, do t’i mjaftonin disa parametra makro për të kuptuar situatën e vështirë, ku ndodhet vendi. Borxhi publik, megjithë premtimet për uljen në masën e 65.5 % ka mbetur në kuota tepër të larta, që kapin 70%. Një shifër e stërmadhe njerëzish kërkuan azil në llogaritjet për vitin 2017, kurse 367 mijë shqiptarë aplikuan për llotarinë amerikane, pa përmendur ata që ikin përditë prej shpresës se do të mbeten diku. Dhe, më e frikshmja akoma largimi i profesionistëve të rinj. Janë gjëra të stërthëna do të thotë dikush, por nuk mund të lësh pa përmendur, që neve kemi mbetur në një qerthull, ku e kemi të pamundur të krijojmë një realitet ndryshe.
Mu këtë ndjen krimi dhe bota e zezë në Shqipëri, që është krejtësisht jashtë kontrolli dhe e pamundur të disiplinohet. E para sepse shpesh është parë që ajo ka lidhje direkt te politika dhe të fortët i shohim që kanë më shumë në phonebook emra politikanësh sesa familjarësh, e dyta sepse gjendja ekonomike e vendit tonë është e tillë, që nuk ofron shpresë për të zhdukur informalitetin e frikshëm, monopolet, shpërndarjen jo të rregullt të pasurisë kombëtare dhe mbi të gjitha padrejtësinë. Këtë të fundit e zgjidh shpesh me “drejtësinë” cinike krimi, që ka penetruar në çdo qelizë të jetës shqiptare. Ndaj, sot ti e ke të pamundur të ndalosh mllefin publik ndaj pak gjërave të mira që bëhen në vend, të ndalosh sadopak të keqen, të padrejtën që të përball në çdo zyrë dhe mbi të gjitha ta bësh normal realitetin ku jetojmë. I vetmi, që e kupton më mirë se kushdo këtë tollovi, është krimi. Ai vjen. Lan hesapet, ashtu si do vetë ai. Kuptohet se rrallë herë kapen protagonistët e errët. Dhe, kështu, krimi largohet për të ardhur sërish, kur t’i duhet “të punojë”. Pas tij, dëgjohet fëshfëritja e hapit të shtetit, që regjistron krimin e radhës, i vendos një epitet…dhe na kthjell të gjithëve duke na thënë se ky është realiteti shqiptar. (Javanews)