Rigjykimi i Izet Haxhisë në Gjykatën e Apelit në Tiranë, për vrasjen e ish-deputetit demokrat Azem Hajdarit, duket se ka hyrë në një ngërç ende pa filluar shqyrtimi gjyqësor.
Pas dorëheqjes së trupës gjyqësore, ku mes tre gjyqtarëve ishte edhe bashkëshortja e Azem Hajdarit, të njëjtën gjë pritet të bëjë edhe treshja e dytë e gjyqtarëve të apelit që janë përzgjedhur për këtë gjykim.
Burime pranë Gjykatës së Apelit, kanë pohuar për Top Channel se edhe gjyqtarët e trupës së dytë që janë: Valdete Hoxha, Genti Shala dhe Astrit Haxhialushi, kanë kërkuar të dorëhiqen nga kjo çështje me argumentimin se kanë konflikt interesi.
Por dorëheqjen pritet ta deklarojnë në seancën e parë që do të zhvillohet gjatë muajit shtator.
Nisur nga kjo situatë e krijuar, Gjykata e Apelit me shumë gjasa do t’i drejtohet Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të zgjidhur këtë ngërç, duke deleguar gjyqtarë nga gjykatat e tjera të apelit në vend, raporton TCH.
Izet Haxhia, ish-truproja i Sali Berishës, u ekstradua nga Turqia në vendin tonë në muajin maj të këtij viti.
Në qershor, Gjykata e Tiranës i njohu të drejtën e rivendosjes në afat të ankimit për vendimin që e ka dënuar me 25 vite burg si një nga fajtorët për vrasjen e Azem Hajdarit në shtator të viti 1998.
Vetë Izet Haxhia gjatë procesit për t’ju njohur ankimi ka deklaruar se pranoi ekstradimin pasi mori garanci për jetën dhe se do të dëgjohej nga drejtësia.
Ndërsa për ish-shefin e tij që dikur i ka ruajtur jetën, ka deklaruar se nga viti ‘90 deri në ‘98 ishte dëshmitarë i shumë ngjarjeve kriminale të cilat mund t’i djegin Berishës.