Ngjarjet tre muajve të fundit në Shkodër, ku kanë ndodhur 6 vrasje mafioze, dhe janë zhdukur dy persona, ka bërë që deputetët e opozitës të udhëtojnë drejt këtij qyteti për të zhvilluar një mbledhje të jashtëzakonshme, si mesazh kundër krimit.
Por lidhur me këtë vendim të opozitës, ka reaguar kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili nga foltorja e Kuvendit, tha se gjatë qeverisjes së PD, numri i të vrarëve në Qarkun e Shkodrës ka qenë më i madh.
“Në Konferencën e Kryetarëve kemi rëndë dakord që në hapje të këtij sesioni të merrnin fjalën krerët e grupeve parlamentare për të kontribuar për një film të mbarë të kësaj legjislature. Por nga mediat jemi njoftuar se dy grupet e opozitës janë në Shkodër për të zhvilluar një takim mes tyre për çështje që kanë të bëjnë me rendin publik në Shkodër. Prej vitesh rendi publik ka qenë problematik në atë pjesë të territorit.
Në vitin 2010 kur ministër i Brendshëm ishte kryetari aktual i PD, Lulzim Basha, ato arritën në nivelin më të lartë, 18 vrasje vetëm në Qarkun Shkodër, gjatë vitit 2010. Krahasuar me 8 vrasje gjatë 8 muajve të parë të 2018. Sigurisht ne jemi shumë të shqetësuar për çdo vrasje nga krimi, dhe janë ngjarje që duhen zbardhur. Z.ministër Xhafaj, ne kemi besim tek ju dhe policia se këto ngjarje do zbardhen”, u shpreh deputeti socialist Taulant Balla.
/b.d