Zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda, hodhi më shumë dritë mbi mënyrën si do të bëhet procesi i marrjes së 20 emigrantëve nga Eritrea, që aktualisht janë të bllokuar në Itali.
E ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News24, ajo sqaroi më me detaje vendimin e qeverisë për të ndihmuar vendin fqinj, por që nga ana e opozitës është thjeshtë një reklamë e fasadë.
Voda tha se ky vendim është “respektim i parimeve humanitare, mbrojtja e njerëzve në kushte nevoje, kur flukset migratore kanë pushtuar të gjithë Europën. Shqipëria i është përgjigjur jo më larg se para një muaji në Gjenevë, është mbajtur një takim nën frymën e konventës për refugjatës, thirrjes për ndihmë.
Kur do të vijnë në Shqipëri?
Ka pasur një diskutim edhe brenda Unionit, dhe Italisë, ende nuk ka një ditë zyrtare por ka një procedurë të caktuar. Ne jemi gati t’i presim ata. Për shkak të ligjeve në Itali e rregullores së Dublinit, emigrantët do t’i nënshtrohen një procedure, pyetësori. Shpresoj që shpejtë t’i marrim.
Pjesa e intervistimit të refugjatëve ka përfunduar?
Dakordësinë mund ta shprehin 15 ose 10 ose dhe 20 nga ata, ne po presim, jemi në proces e sipër. Në thelb besoj se dhe Unioni nuk është kundër.
Ku do qëndrojnë emigrantët kur të vijnë?
Ne kemi qendrën kombëtare pritëse të azilkërkuesve, që ka një numër të madh shtretërish, por kemi dhe qëndra të tjera. Në jug, Kakavijë, Shkodër, Gjirokastër, afër Tiranës, pra për asistencë jemi munduar dhe falë organizatave ndërkombëtare të përballojmë flukset migratore. Për këta 20 në planin e masave kjo situatë na gjen të përgatitur shumë mirë. Kemi vendosur të ruajmë një standart të Konventës, si asistencë në procesin që të transferimit, invervistimit, apo dhe asistencës sanitare.
a.ç