Nga Agron Gjekmarkaj
Dje, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, bëri një deklaratë të fortë para gazetarëve. Në çdo këndvështrim, ajo dukej korrekte. Basha tha një sërë gjerash të vërteta në lidhje me aktualitetin politik, ekonomik e kriminal në vend, i cili kulmoi me agresionin e armatosur ndaj gazetares Klodiana Lala. Ajo çka bënte përshtypje ishte paralajmërimi ndaj Ramës për të mos kaluar vijën e kuqe!
Loja me forcën, në fakt, ka qenë gjithmonë pika e tij e dobët. Raporti mes retorikës dhe faktit ka pasur në mes përrenj të rrëmbyeshëm ngjarjesh, që i kanë mbajtur pafund larg brigjet e tyre.
Nuk është rasti për t’i përmendur ato me radhë sepse në 5 vite që Lul Basha qeveris PD-në, ato janë shumë. Një farë mundi për t’i kujtuar e shkruar duhet, por është momenti për të pranuar se ka trokitur e thekshme nevoja për të ndërtuar një mur të kuq, të cilin, për delikatesë, e thërrasim vijë! Dje, Basha u vetofrua si murator i tij.
Le t’i urojmë punë të mbarë, paçka se do duhej ta kishte filluar me kohë atë punë. Ajo që ka ndodhur me ministrat e Brendshëm gjatë këtyre viteve është e pazakontë, tronditëse, por ende më tepër produkti i punës së tyre, kanabizimi i vendit dhe shndërrimi i Shqipërisë në bazë të narkotrafikut, kapja e të gjitha institucioneve, vakumi me gjykatat e plot bëma të tjera, e kanë merituar me kohë vijën e kuqe. Sot, korrupsioni e tejkalon edhe fantazinë e zënë rob nga propaganda e rilindjes.
Por, çështja është se shpesh opozita nuk ka besuar në kauzat e veta. E fundit qe mosbindja civile, që u katandis në vrasje kohe. Edhe kur ajo ka pasur të drejtë, ua ka ngarkuar në shpinë atyre që s’i mbanin dot. Këtë e ka kuptuar edhe elektorati, i cili ia zvogëloi asaj ndjeshëm mbështetjen në zgjedhjet e fundit.
Duket si paradoks, por është thjesht logjikë. Në këtë kontekst ku Edi Rama hyn si elefanti në kinkalerinë e varfër te shtetit tone pa asnjë vrasje ndërgjegjeje e sidomos pa shenja frike për të prishur Teatrin Kombëtar dhe në vend të tij ta mbushë me kulla e në rrëzë të tyre një hajat që do zëvendësojë godinën klasike, ndjeshmëritë që e tejkalojnë opozitën janë zgjuar.
Personalisht, qysh ditën e parë kur ky lajm i çmendur na zuri derën, kam besuar që opozita duhet ta politizojë maksimalisht këtë kauzë. Shembja e Teatrit ose mbijetesa e tij janë simbolika ndërmjet një demokracie në agoni (siç ngjan teatri i vjetër e i rrjepur) me autoritarizmin pa kundërshtar (simbolikisht i përfaqësuar nga kullat e betonit).
Basha ka premtuar vijën e kuqe. Ai duhet ta dijë se inflacioni me deklaratat dëmton, së pari, autoritetin e tij, së dyti, fuqinë opozitare dhe çka do të ishte më tronditëse, i jep mundësi Ramës të dëshmojë forcë dhe të ndjellë frikë për kohën në vazhdim.
Kryetari i PD-së ka një mundësi të madhe për të futur në një kallëp identitar, deri tash të munguar, lidershipin e tij. (Basha të kujdeset që të mos i trembë qytetarët me disa prej deputetëve të tij.
Ata le të sjellin ujë e panine për protestuesit e të largohen me vrap). Por pas çdo mundësie fshihet një rrezik i madh.
Fati ndihmon guximtarët, na ka mësuar Virgjili dhe sa herë guximi mungon, ai s’të ndihmon dot. Me çadrën, Basha e mori një leksion kësisoj.
Nëse e zbyth Ramën nga zgrapsja e tokës publike, Lulzim Basha duhet të merret seriozisht pas asaj dite. Nëse vija e kuqe shndërrohet në llastik si plënci, që fryhet sa më shumë që ha, opozita s’i ka bash mirë punët për gjatë. Deri tani, ndërtimi i vijave të kuqe ngjan me legjendën e Rozafës që endet ditën e prishet natën. Të shpresojmë që nga folklori po kalojmë në realitet.
Një gjë nuk ndryshon përtej veglave të opozitës për të ndërtuar apo jo, e vërteta se Edi Rama ka nevojë për një mur të kuq për të na shpëtuar ne nga mënyra si qeveris dhe veten nga barra e madhe e mëkateve.
Duhet ta ndihmojmë veten dhe qytetarin Edi Rama, pse jo duke i besuar edhe dje Lulzim Bashës me shpresën që nuk do kalojnë mbi trupin e tij përsëri.
(Panorama)