Nëse Kosova e merr përkrahjen e vendeve kyçe të Perëndimit për këtë plan, kjo do të thotë se pala serbe dhe kryetari i tyre Aleksandar Vuçiç praktikisht do të mbesin të izoluar me propozimet e tyre “për kompromise”, dhe nëse nuk pajtohen me këtë propozim, Beogradi dhe Vuçiqi do të akuzohen për dështim të negociatave me pasoja të papara për Serbinë dhe për të personalisht.
Për këtë shefi i shtetit serb kishte deklaruar të mërkurën: “Kisha dashur që problemi i Kosovës të zgjidhet një herë e përgjithmonë, mirëpo kjo zgjidhje është ende shumë larg. Nëse guxojë të parashikoj, nuk do të fitojmë asgjë në negociata me Prishtinën”, transmeton Insajderi.com.
Këto dyshime të veta Vuçiç i ka përsëritur edhe gjatë bisedës së djeshme me telefon me ndihmës sekretarin e shtetit të SHBA Wess Mitchell, të cilit i ka përcjellë se konsideron se është shumë vështirë të arrihet marrëveshje në mes të Beogradit dhe Prishtinës, por se do të vazhdojë të bëjë përpjekje maksimale për arritje të stabilitetit të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor, shkruan “Novosti”.
“Përfaqësuesit e pushtetit të Kosovës po paraqesin para ambasadave perëndimore zgjidhjen për çështjen e Kosovës së pavarur në të cilën do të ishte rregulluar pozita e serbëve sipas modelit të Tirolit Jugor në Itali”, pretendon gazeta serbe “Novosti”.
Përndryshe krahina e Tirolit Jugor i ka kompetencat primare dhe sekondare. Në kompetencat primare hyjnë kultura, çerdhet e fëmijëve, çështjet sociale, rrugët, transporti publik lokal, vendbanimet, turizmi, artizanalet, tregtia, industria, bujqësia, mbrojtja civile dhe parqet dhe natyra. Në kuadër të këtyre fushave Tiroli Jugor mund të bjerë ligje pa marrë parasysh rregullat shtetërore. Kompetencat sekondare janë sporti, arsimi dhe shëndetësia,derisa mbrojtja, policia, gjyqësia dhe financat janë në duar të shtetit. Buxheti i Tirolit Jugor është rreth 5 miliardë euro në vit dhe mbushet nga të ardhurat tatimore të krahinës. Prej kësaj nëntë të dhjetat mbesin në arkën e krahinës, ndërsa një e dhjeta i paguhet Romës.