Do të jesh pjesë e Maratonës së Tiranës, por ende nuk ke nisur me stërvitjen? Tani mund ta bësh këtë edhe me ndihmën e profesionistëve. Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit njofton se është përcaktuar tashmë edhe kalendari i seancave të vrapit 3 herë në javë. Të hënën, të mërkurën dhe të premten çdokush që do të përgatitet për t’u bërë pjesë e garës sportive duhet të paraqitet në orën 18:00 te hyrja e Liqenit Artificial, tek diga. Aty do të gjejnë trajnerë profesionistë për tu stërvitur dhe për qenë gati për garën e 7 tetorit.
“Tani s’ka më justifikim s’jam gati. Urdhëroni edhe kalendarin e stërvitjeve parapërgatitore! Nga 3 herë në javë ju presin profesionistë të atletikës të stërviteni së bashku tek parku i Tiranës deri ditën e Maratonës”, njofton APR-ja në faqen e saj në facebook ku jep detaje edhe për oraret dhe ditët e stërvitjes. Për të tretin vit radhazi kryeqyteti do të mirëpresë maratonën e Tiranës e cila zhvillohet më 7 tetor 2018.
Ashtu si edhe në vitet e tjera pjesë e kësaj maratone do të jenë disa kategori, përkatësisht 3 të tilla: Half Marathon (21, 0975 km), Tirana 10K të ndara në nën kategori femër/mashkull dhe “We too”. Kategoria “We too” është një kategori që ka për qëllim të jetë më shumë motivuese se sa kompetitive. Gara e 7 tetorit do të paraprihet nga “Fun Run” e cila do të zhvillohet një ditë para garës së madhe, më datë 6 tetor 2018 me të rinjtë e shkollave të mesme të Tiranës.
ma.me