Nga Enver Robelli
Çetniku i zi një ditë vendosi të shkojë në Bosnjë-Hercegovinë. E la Beogradin, ku kishte bërë emër si huligan i Cërvena Zvezdës, atij ekipi futbollistik që përkrahej nga ultranacionalistët e Arkanit. Çetniku i zi shkoi në Pale, afër Sarajevës. Aty ishte vendosur krejt banda që quhej udhëheqje politike e serbëve të Bosnjës. Radovan Karagjiqi, një malazez i serbizuar, që e urrente ambientin urban dhe ëndërronte ta digjte Sarajevën. Dhe e dogji. Aty ishte Ratko Mlladiqi, të cilin ushtria e serbizuar jugosllave e kishte dërguar nga Maqedonia në Prishtinë me shpresën se aty do të shpërthente lufta së pari, pastaj, kur lufta nuk shpërtheu në Prishtinë, Mlladiqin njëherë e dërguan në Knin të Kroacisë, mandej në Bosnjë, ku ishte lindur dhe ku do të kryente krimet më të mëdha në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. Aty ishte Nikolla Koleviqi, profesori i letërsisë angleze, njohës i madh i Shakespeareit, i cili braktisi katedrën për t’u bërë anëtar i ekipit të kasaphanës. Aty ishte Biljana Pllavshiqi, biologia që i quante myslimanët «material i degjeneruar biologjik».
Çetniku i zi erdhi në Pale për të punuar në «Channel S», një radio propagandistike. Çetniku i zi ishte, sipas shefit të tij (të dikurshëm) Vojisllav Sheshel, edhe vullnetar i një aradhe çetnike. Si shumë të dyshuar për krime të luftës edhe ky i shpëtoi burgut të merituar. U kthye në Beograd çetniku i zi dhe më 1998 u bë ministër për informata (lexo: censurë e krime të tjera), në atë kohë në Kosovë vriteshin njerëz nga policia serbe dhe ndaloheshin gazeta. Çetniku i zi ishte i lumtur. Nuk kalonte ditë pa iu kërcënuar shqiptarëve dhe Perëndimit.
Çetniku i zi ngaherë është bërë udhëheqës i Serbisë. I ka ikur nga prehri shefit të tij të dikurshëm, ka themeluar një parti, ka fituar disa palë zgjedhje, e ka mbështetur opozitën për muri me mediat e tij kriminale. Çetniku i zi nuk ka kërkuar falje për krimet e shtetit të tij në Kosovë. Çetniku i zi ka arritur të etablojë narracionin: «ju na vratë, ne ju vramë». Pasi e ka marrë gjysmën e Bosnjës tash çetniku i zi ka gjetur partnerë në Prishtinë për ta marrë dhe një copë të mirë të Kosovës. Hap pas hapi ai po i arrin qëllimet. Territori i Kosovës është nxjerre në pazar. Parlamenti ka heshtur. Partitë politike kanë heshtur (me përjashtim të Vetëvendosjes), një pjesë e madhe e shoqërisë civile i ka shikuar në radhë të parë kuletat e veta të mëdha, mediat (me përjashtime lavdëruese) janë mjaftuar me përralla senzacionaliste.
E si erdhi deri këtu çetniku i zi? Si erdhi çetniku i zi deri para portave të Prishtinës? Si hyri çetniku i zi në Republikën e Kosovës? Sepse ia hapën derën politikanët e papërgjegjshëm të Kosovës. Ata që kanë halle personale: mos po shfaqet diku në këtë botë ndonjë dëshmitar i gatshëm për t’i ngarkuar rëndë për krimet e tyre gjatë dhe pas luftës. A qeveriset Kosova me politikanë të tillë? Përfundimisht jo. Nuk mund t’i mbrojë interesat e Kosovës dikush që ka vetëm halle personale.
Por, kjo klasë politike ka mundësuar zgjedhjen e tyre në poste të rëndësishme, kjo shoqëri e ka toleruar këtë rrëshqitje në batak, kjo klasë intelektuale e Kosovës ka heshtur (me përjashtime të vogla), andaj ja ku jemi në gushtin e vitit 2018 – në pazar me çetnikun e zi. Pas takimeve të fshehte të kërbishteve tona politike me çetnikun e zi nëpër dynja, ku është folur për matje territoresh e ndarje katundesh, pronash e pasurish tokësore e nëntokësore – tash ka ardhur koha të paguajmë çmimin e verbërisë – të verbërisë së klasës sonë politike, e cila, dorën në zemër, më së paku merret me politikë. Ndërsa qilimi i kuq iu ka shtruar çetnikut të zi, disa bërtasin: ndaleni! Mos është pak vonë?