Nga Mira Kazhani/
Unë kam pasur një dajë komunist, që s’jeton më, se e mbyti vetmia dhe cigaret pa ndërprerje! Disa e dinë, disa jo! Ka prej soji edhe që ma kanë përplasur online, si cen për profesionin që bëj, sot se qenkam mbesa e një daje komunist!
Daja, poet dhe tekstshkrues në kohë të Enverit, pa asnjë lidhje me punët e diktaturës, pa vrarë një mizë, pa marrë vendim për askënd qe thjesht një romantik, që i pëlqenin gratë e bukura, poezitë dhe këngët. I vetmi mëkat, për periudhën komuniste, ka qenë ndonjë rresht për Partinë!
Pas rënies së komunizmit dajë Hysniu (Milloshi) kuptoi që ishte komunist 24 karat, nga ata të idealeve të orëve të para, siç mund të kenë qenë intelektualë të shumtë, që i vrau Enveri bashkë me Nexhmien (siç thuhet).
Ndoqi rrugën e tij, pa dëgjuar askënd, pa pasur frikë, në atë që dukej më shumë si një kundër-rrugë edhe ferr. I qëndroi besnik bindjes së tij, derisa iku nga kjo botë, duke lënë pas veç disa këngë, që i këndojnë të rinjtë në festa kombëtare edhe në fitore. Këngët ia gjen në you tube, – kliko Ema Qazimin “Shqipëri o vendi im” dhe plot të tjera.
Fitorja nuk ishte e tij, sigurisht, por e Lul Bashës në krye të Bashkisë në 2011-ën! (votat e komunistëve ishin determinuese për fitoren e kandidatit të PD-së në zgjedhjet lokale të 2011-ës).
Iku sigurisht pa marrë asgjë me vete dhe pa lënë trashëgimi. Ndryshe nga ish-komunisti i devotshëm, vjehrri i Lulzim Bashës, që largqoftë mos i ndodhtë gjë, të paktën në këtë sistem borgjez i mori nja 14 milionë euro!
– Unë nuk besoj se jam komuniste dhe parathënien për dajën e bëra në respekt të atyre, që nuk e dinë dhe do lodhen kot me komentuesit që paguhen për të sharë të vdekurin. Këtë shkrim nuk do ta bëja, po të mos ishte për Ismail Kadarenë, të cilit ia kushtoj më së shumti. Është shkrimtari jonë, dreqi ta hajë, që e gjejmë nëpër libraritë e Europës, është shkrimtari, që duhet ta kemi dajë të gjithë, ose të paktën ta thërrisnim ashtu vetmevete!
Gjithçka nisi dje mbrëma, kur lexova një deklaratë për Vizion Plus të Enkeleid Alibeajt. Fliste më në të thella për draftin e radhës, që PD-ja ka për dekomunistizimin.
Do t’i kthehem pak më poshtë Alibeajt, aty ku e ka vendin. Fillimisht dy fjalë për PD-në dhe disa argument, se pse ajo nuk është serioze, sa herë flet për dekomunistizimin:
– Partia Demokratike ka pasur gjithë kohën e mundshme, për të bërë diçka për shqiptarët, që vuajtën diktaturën, ndryshe nga Berisha, që i kuroi plagët, apo daja im që i thuri këngë. PD-ja së dyti erdhi në pushtet në 2005-ën dhe qëndroi deri në 2013-ën. Kohë super e mjaftueshme, për të bërë realitet edhe kauzën me të cilën erdhi në pushtet, si në vitet ‘90 edhe në 2005-ën. Zero!
Vjet, Lulzim Basha tentoi të bënte një draft, për të cilin duhet të ketë djersitur nga sikleti dhe u tërhoq pa zhurmë. Sa për kujtesë, ishte projektligji i firmosur nga një grup deputetësh, i cili parashikonte shfuqizimin e datës 20 shkurt (e vendosur në kohë të Berishës) si dita e përkujtimit të viktimave dhe përkujtimit të komunizmit në Shqipëri, duke kërkuar që data të ishte 26 shkurt 1951. Lidhje me një ditë ku janë ekzekutuar 22 intelektualë, ose ndryshe si dita, që njihet për vendosjen e bombës në ambasadën sovjetike. Pra, zëvendësimin e një datë me një datë të dhimbshme, që ka pafund data të tjera si vetja me krimet e diktaturës komuniste. Disa media e panë si një përpjekje të Bashës, për të vënë datat e tij.
Diçka ndodhi dhe drafti u fashit!
Hollë-hollë, si atëherë edhe sot, vihet re tallja me dekomunistizimin nga ana e PD-së. Ose janë të ligj, ose janë amatorë, ose nuk dinë as vetë çfarë janë!
– Dekomunistizimi sot po kërkohet tek filmat dhe romanet, madje PD-ja kërkon t’u vendosë pullë edhe librave të shkrimtarit tonë më të madh, disa herë kandidat për Nobel, Ismail Kadaresë.
Me sa duket, nuk e kanë lexuar as Kështjellën, as Pallatin e Ëndrrave, as Natën me Hënë, as nuk e dinë se, kur Ismail Kadare fliste për Lady Makbethin, para syve të del Nexhmie Hoxha…etj, etj. Se duhet të marrim gjithë kolanën dhe duhet ulur në tavolinë i gjithë oborri i SHQUP-it!
Të shkulësh komunizmin nga Kadareja, është si të mbledhësh trëndafila në Sahara. Ismail Kadare në diktaturë, si një shkrimtar i madh, foli me simbolika, ndryshe nga Agolli i ndjerë, që ishte prerje tjetër dhe që sigurisht ajo pulla e PD-së, nuk e vret, as në varr ku prehet sot.
Po ta kishte seriozisht PD-ja që qëmoti, por edhe prej nga soti, në drafte nuk merrej me “Tomkën dhe shokët e tij”, se po qe për filma, ende shqiptarët shohin me kënaqësi stacionin “T” në Digitalb. Dekomunistizimi nuk bëhet me fasada dhe pulla tek shkrimtarët dhe kineastët. Më e para është të mos lejosh, që ata që ndëshkuan dhe ishin shërbëtorë të krimeve, ekzektues, urdhërues, vendimmarrës, të pranohen në jetën publike. Të mos kenë të drejtë të jenë edukatorë dhe mësues, ministra, kryeministra, drejtorë, gjykatës, prokurorë, as policë dhe njerëz të jetës publike. Sigurisht që ka për të bërë edhe më shumë sesa kaq, por ky është një shembull, për të ndarë talljen me seriozitetin.
Tani po i rikthehem revolucionit kulturor të Enkeleid Alibeajt, tek i cili hasa në një fjalë, nga e cila s’po dal dot e ndriçuar! Ja çfarë ka thënë ai: “… Problemi kryesor është që ky ligj të mundësojë krijimin e një lëvizjeje psikopublike për të ndëshkuar propagandën komuniste dhe…”.
Kam që dje, që dua të kuptoj fjalën e re “psikopublike”! O Zot, sa u lodha me i gjet kuptimin kësaj fjale! S’e gjej në asnjë gjuhë. Pyeta edhe Kadarenë, e as ai “i trashi” s’e dinte!
Nuk e di vërtet si mund të ketë reaguar Ismail Kadare, kur i ka shkuar ky kumt. Imagjinoj se. të paktën për këtë superfjalën “psikopublike” do t’ia ketë kërkuar një gotë ujë Helenës, se me gjasë nuk i ngelet hatri më me shqiptarët e tij, por për shqipen nuk i shteron dashuria dhe aty edhe thyhet e lëndohet.
P.S. Shpresoj që një ditë, kur historia psikopublike e SHQUP-it të sotëm të shkruhet, inshallah do jemi gjallë e t’u vëmë pullën që u takon!(tiranapost)