Liderët autoritarë kudo në botë po përballen me kriza në rritje, të cilat i kanë shkaktuar po ata vetë. Por ndërsa presidenti kinez Xi Jinping dhe ai rus Vladimir Putin përballen me sfida të ngadalta, homologu i tyre turk Erdogan dhe ai amerikan Trump, i kanë sjellë çështjet e vendeve të tyre kokë më kokë.
Nga Chris Patten
Shifrat e liderëve të fortë duket se janë në rënie. Tregu nuk ka rënë fare, por autokratët kanë pak arsye për t’u ndjerë të fuqishëm.
Të shohim Kinën. Lojërat e brendshme politike të Partisë Komuniste të Kinës (CPC) njihen si të fshehura dhe rrallë arrin grindja politike nivelin që nuk mund të mbulohet më. Dhe sërish, mund të dëgjohen murmuritje pakënaqësie. Këtë muaj, teksa presidenti Xi Jinping dhe këshilltarët e tij të lartë pushuan në resortin detar të Beidaihe, fjalët qarkullonin se kritikat ishin në rritje për kultin e personalitetit të Xi në rangjet e CPC.
Duke gjykuar nga fjalët, Xi duhet ta pyesë veten nëse do të qe e zgjuar të kthehej te reformat e Deng Xiaoping dhe të shpërfillte precedentët e vënë nga ish-liderët e CPC si Jiang Zemin dhe Hu Jintao. Ai mund të bëjë mirë të rimarrë në konsideratë retorikën e tij triumfatore, që të jep ndjesinë e thirrjeve nacionaliste të amerikanit Donald Trump dhe talljes së tij proteksioniste. Së fundmi, ai mund të bëjë mirë të rivlerësojë politikën e tij kryesore, Iniciativën e Rripit dhe të Rrugës, që po kritikohet vazhdimisht si një mekanizëm i Kinës për të eksportuar borxhe ndaj vendeve të tjera borxhlie, shpesh përmes investimeve në ‘elefantët e bardhë’ dhe projekte të tjera të dyshimta.
Ndërkohë, shoku i ri më i mirë i Xi, presidenti rus Vladimir Putin, mbetet politikisht i pathyeshëm. Por, siç sugjeroi dhe një gazetar i Fox Neës, kjo mund të jetë sepse shumë prej kritikëve të tij “përfundojnë të vdekur”. Qeveria e Rusisë varet ende te gazi dhe nafta për 40% të të ardhurave të saj dhe ekonomia, e privuar nga dinamizmi sipërmarrës dhe investimet e huaja, mbetet në agoni. Shikoni rreth shtëpisë suaj dhe kërkoni mos gjeni ndonjë gjë nga Rusia, përveç vodkës, energjisë apo veprave të Tolstoit.
Por telashet prej të fortësh të Putin dhe Xi zbehen përpara atyre të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe Trump, i cili tani është implikuar nga avokati i tij i hershëm dhe “përmbaruesi” në një komision për shkelje federale.
Pesëmbëdhjetë vite pas ardhjes në pushtet nga një krizë e këmbimit të huaj valutor, Erdogan tani duket se synon të prodhojë një krizë të re. Lira turke ka humbur 38% të vlerës së saj ndaj dollarit këtë vit, kryesisht prej padijes ekonomike të Erdogan, cronizmit dhe verbimit para pikëpamjeve të ndryshme.
Ndryshe nga paraardhësi i tij si president, Adullah Gul, Erdogan nuk është përpjekur kurrë të ishte një lider për të gjithë vendin. Sjellja e tij imponuese dhe politikat egoiste kanë thelluar ndarjet mes sekularëve të pasur dhe myslymanëve ruralë më të varfërve të cilët formojnë bazën e tij.
Kriza më e fundit e Turqisë është edhe më tragjike pasi është e panevojshme. Vendi është një qendër e rëndësishme rajonale, shtëpi e 81 milionë personave dhe urë mes Perëndimit, Lindjes së Mesme dhe Azisë Qendrore. Ka potencial të jetë një dinamo ekonomike. Por politikat e Erdogan po e tërheqin ekonominë e Turqisë në një vrimë.
Megjithëse lira është në rënie të lirë dhe inflacioni po rritet, Erdogan i ka bërë presion bankës qëndrore të mos i rrisë normat e interesit, nga frika se një ngadalësim i rritjes do të dëmtojë perspektivën e partisë së tij në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, veçanërisht në qytetet turke. Por gjatë 12 muajve të ardhshëm, atij do t’i duhet të përballet me një deficit në thellim dhe një mal me borxhe të dominuar nga dollari.
Për t’i bërë gjërat më keq, Erdogani së fundmi caktoi dhëndrin e tij të pakualifikuar, Berat Albayrak – Jared Kushnerin e Ankarasë – si ministër financash dhe thesari, duke i shqetësuar më shumë tregjet. Dhe ai është angazhuar në një mosmarrëveshje diplomatike dhe tregtare në vazhdimësi me SHBA rreth arrestimit të një pastori amerikan, akuzuar se ka marrë pjesë në grushtin e shtetit të 2016 kundër Erdogan. Trump, nga ana e tij, e ka bërë lirimin e pastorit një synim personal, me shumë gjasa si një shënjestër për të tërhequr vota të besimtarëve në bazën e tij gjatë zgjedhjeve afatmesme në SHBA këtë nëntor. Në këtë aspekt, ai së fundmi lajmëroi se do të dyfishojë tarifat amerikane ndaj aluminit dhe çelikut turk.
Dëshpërimi i Trump për të provuar se nuk mund të tallet askush me të (veçanërisht Putin) është i mirënjohur. Në mosmarrëveshjen me Truqinë, ai nuk hezitoi të hidhte në ajër tarifat si të ishin ëmbëlsira, pavarësisht zemërimit të mundshëm të bizneseve dhe klientëve amerikanë. Pa përmendur se Turqia është një aleate e rëndësishme e NATO-s. Trump duket se synon ta nxjerrë atë nga aleanca dhe ta hedhë në krahët e Rusisë dhe Kinës.
Pavarësisht problemeve në rritje ligjore të tij dhe shtimit të dyshimit për legjitimitetin e vet, Trump ka vazhduar të shkatërrojë rendin ndërkombëtar të pasluftës që Amerika ndihmoi të krijohej. Edhe më keq akoma, marka e tij e egoizmit po përhapet në Azi dhe Europë, duke nxitur politika shqetësuese në Itali, Hungari, Poloni dhe madje në Mbretërinë e Bashkuar.
Në Britani, sekretari i ri i jashtëm, Jeremy Hunt, ka argumentuar se lëvizja pas fushatës Brexit është ndryshe nga nacionalizmi populist në vendet e tjera. Nuk është kështu. Fanatikët e Brexit janë qartazi të nxitur nga armiqësia ndaj imigrantëve dhe të huajve. Nëse Hunt ka ndonjë dyshim për këtë, të mos shohë më larg se paraardhësi i tij Boris Johnson, i cili së fundmi shkoi një artikull ku tallte gratë myslimane që veshin perçe.
Ndryshe nga disa të fortë që qarkullojnë në politikë sot, një lider vërtet i fuqishëm do të qëndronte për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe do të kërkonte të bindte votuesit pse ka rëndësi. Të shpresojmë se presidenti francez Emmanuel Macron, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri japonez Shinzo Abe do të bëjnë pikërisht këtë në muajt e ardhshëm.
Ndërkohë, duhet të lutemi që ata që duan të jenë të fortë si Trump dhe Erdogan nuk do të bëjnë shumë dëme në vendet e tyre respektive dhe te pjesa tjetër e popullatës. Është koha që ta bëjmë bashkëpunimin sërish madhështor.
Project Syndicate- Tough Times for the Tough Guys