Nga Ilir Yzeiri/
Në çdo gusht dhe tash këtu e disa vjet, Jali, plazhi më i bukur ose ndër më të bukurit e Shqipërisë dhe vendi ndër më të shtrenjtët e plazheve të Jugut, bëhet lajm në mediat shqiptare sepse aty pushojnë të rinjtë e LSI-së dhe ata të PS-së. Këtë vit, siç mësojmë nga mediet, këta të rinj qenkan « ndeshur » mes tyre dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, deklaroi se këta të LSI-së ose organizata që thirret LRI, qënkan më të « stërvitur » dhe ata të PS-së ose FRESH-istat nuk i mundin dot.
Personalisht asnjëherë nuk e kam kuptuar se si organizohen këto forume atje në vendin më të shtrenjtë të plazheve shqiptare, sa shpenzojnë, kush i paguan ato shpenzime dhe çfarë vlere kanë ato. Po ashtu, nuk e kuptoj se përse i duhet dhënë kaq shumë shikueshmëri dhe i duhet bërë kaq shumë bujë këtij aktiviteti ? E gjitha kjo më duket një karshillëk banal dhe është një lloj talljeje me shqiptarët e tjerë dhe me të rinjtë anembanë vendit. Mirëpo, ajo që më duket absurde në këtë tollovi dhe në ahengun e Jalit është modeli që kanë zgjedhur këto forca politike për t’i nxitur të rinjtë e tyre që të përfshihen në politikë. Modeli i shpallur i zdërhalljes në Jalë dhe luksi i afirmimit përmes pushimeve prej fëmijësh të përkëdhëleur apo të rinjsh që mësohen të zgjedhin luksin në jetë, është një defekt i madh i modelit shqiptar të jetës.
Jali është metafora e politikës që shtillet në këtë vend. Politika është një aset që nuk mund ta ketë kushdo. E ndërtuar mbi klientilizmin, tarafin dhe modelin e përfitimit dhe të jetës luksoze, të rinjtë që përfshihen në politikë, mësohen që në rini ose qysh në hapat e parë, se politika nuk është shërbim dhe nuk është sakrificë, përkundrazi politika të bën të pasur, të krijon mundësi që të shijosh jetën dhe të kesh përfitime. Politika është si uji kristal i Jalit dhe si plazhi i Jalit- një parajsë që ti duhet ta fitosh me të gjitha mjetet, por, në radhë të parë, duhet ta fitosh duke i shërbyer liderit, klanit që të ka zjgedhur dhe tarafit që përfaqëson.
Metafora e Jalit është modeli që i mëson të rinjtë se politika mund të ta ndryshojë jetën ty, por jo të tjerëve, se politika të mëson të shijosh jetën dhe jo të vuash që atë ta shijojnë të tjerët.
Më kujtohet se edhe para disa vitesh kam shkruar për të njëjtën temë, sepse edhe i ndjeri Andrea Stefani, i ftuar në Jalë për një leksion mbi politikën kishte mbetur i pataksur nga ajo që kishte parë e dëgjuar aty dhe, edhe në atë kohë, pata sjellë në vëmendje një lloj tjetër « stërvitjeje » që bëjnë të rinjtë që duan të angazhohen në poltikë në vende të tjera. Këto janë universitetet verore që organizohen në qendra kulturore apo në mjedise të tjera të dijes dhe kombinohen me punë vullnetare në ndihmë të komunitetit. Ndërsa te ne Jali ka mbetur modeli që i josh të rinjtë të bëhen pjesë e politikës sepse ajo mund të ta bëjë jetën parajsë ashtu si jeta në Jalë.
Jo vetëm te ne, por në të gjithë botën, kriza e modelit politik është një nga problemet më të mëdha të demokracive sot. Abuzimi me pushtetin, korrupsioni dhe krimi, plakja dhe shfytyrimi i formacioneve politike të vjetra e ka vënë demokracinë në pikëpyetje të mëdha. Vlerat e mëdha të jetës që promovohen nga modelet më të larta të jetës njerëzore janë vënë po ashtu në pikëpyetje. Bota është bërë cinike, agresive dhe solidariteti, ndjenja e sakrificës për të tjerët, kuptimi i jetës si një shërbim i përkohshëm për të mirën e përbashkët janë vlera që sot nuk i përmend askush. Për fat të keq, stofi shoqëror dhe vlerat ideale që propogandonte idealizmi komunist jo vetëm që u dëshmuan si të rreme, por krijuan edhe një boshllëk të madh, duke e dëmtuar rëndë modelin e kuptimit të jetës sipas ndërtimit të saj me vlerën për t’u shërbyer të tjerëve më parë sesa vetes.
Tani shqiptarët po aplikojnë individualizmin agresiv dhe modeli i jetës që ata kanë zgjedhur është pasurimi me çdo kusht dhe lufta për ta vënë të përbashkëtën në shërbim të unit. Disa modele, si e mira e përbashkët, e mira publike, etj tashmë janë në periferi të vëmendjes dhe në qëndër është urija për të fituar gjithçka dhe me çdo çmim. Për fat të keq, modelin më të shëmtuar në këtë vend dhe në këta pothuajse tridhjetë vjet tranzicion e dhanë politikanët që u angazhuan pas rënies së diktaturës. Sot politikanët tanë mbahen mend vetëm për pasurinë që kanë vënë dhe luksin në të cilin jetojnë dhe jo për shërbimin që i kanë bërë këtij vendi. Në këtë mënyrë është edukuar edhe shoqëria edhe të rinjtë. Sa herë që ka seanca parlamentare mediat idiote dhe pa shpirt të këtij vendi, e kthejnë raportimin nga Kuvendi si raportimin nga një pasarelë mode dhe na tregojnë fustanet e shtrenjta, makinat, luksoze çantat mijëra dollarëshe të grave që popullojnë Kuvendin dhe nuk alarmohen e të investigojnë se ku i gjejnë paratë këto gra që kapardisën në Kuvendin e Shqipërisë me veshje milionerësh. Ndërsa paradoksi më i madh është kur sapo futen brenda në sallë, ato ulërasin kundër qeverisë së radhës për varfërinë.
Ndaj edhe modeli i Jalit është metafora e thirrjes për t’u bashkuar në një kauzë që ta ndryshon jetën ty dhe që të mëson se në politikë, nëse hyn nga Jali, atëhere edhe jeta do të bëhet det me pasuri.