Barcelona e startoi kampionatin me një fitore të pastër 3-0 ndaj Alavesit, që arriti të rezistojë deri në minutën e 64-t ndaj katalanëve. Pikërisht në këtë minutë, Lionel Messi zhbllokoi rezultatin, pasi ekzekutoi me mjeshtëri një goditje dënimi, duke kaluar topin poshtë murit të lojtarëve kundërshtarë dhe duke e dërguar në rrjetë.
Pikërisht ky gol i “Pleshtit”, përveçse zhbllokoi rezultatin, kishte edhe vlera historike, pasi ishte goli numër 6000 i shënuar nga Barcelona në La Liga.
Ylli argjentinas ka shënuar edhe golin numër 5000 të katalanëve, rreth 9 vite më parë, duke u bërë gjithmonë e më shumë pjesë e historisë së Barcelonës.
Për statistikë, ndaj Alavesit Messi shënoi edhe golin e tretë, falë një marrjeje të bukur të topit në zonë, ndërsa më herët kishte shënuar Coutinho dhe kishte çuar rezultatin 2-0, përgatiti Tema.