Katari ka premtuar 15 miliardë dollarë investim direkt në tregjet financiare dhe bankat e Turqisë.
Lajmi vjen në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të presidentit të Turqisë, pas takimit të këtij të fundit me emirin Tamim bin Hamad Al Thani të Katarit.
“Presidenti turk dhe emiri i Katarit u takuan sot (15 gusht) në kompleksin presidencial në Ankara.
Ata kanë shkëmbyer pikëpamje mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale. Al-Thani tha se Katari ka ndërmend të investojë direkt në Turqi 15 miliardë dollarë”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Zyrtarët turq nuk kanë dhënë informacione të mëtejshme mbi natyrën e investimeve, bën të ditur Associated Press, ndërsa zyra e Erdoganit saktëson se premtimi është bërë nga emiri i Katarit, Al Thani.
“Investimi do të kanalizohet në tregjet financiare dhe bankat turke”, i ka thënë një burim qeveritar agjencisë Reuters.
Ekonomia turke është goditur kohët e fundit nga një zhvlerësim rekord i monedhës kombëtare, lira. Të premten, presidenti i SHBA Donald Trump dyfishoi tarifat mbi aluminin dhe çelikut turk, në përgjigje të arrestimit të një shtetasi amerikan në Turqi.
Pastori Andreë Brunson po mbahet me akuzën për terrorizëm në Turqi, ku përballet me 35 vjet burg për rolin e tij të dyshuar në grushtin e shtetit të dështuar në 2016. Në përgjigje, Erdogan njoftoi bojkotin e pajisjeve elektronike të SHBA-ve, duke përfshirë produktet e Apple-it. Turqia gjithashtu shtoi tarifat mbi mallrat amerikane si duhani, alkooli, makina, kozmetika etj.
ma.me